RIJAD (AA) – Agjencia monetare e Arabisë Saudite (SAMA) ka deklaruar se me urdhër të prokurorit janë ngrirë llogaritë bankare të të arrestuarve për korrupsion, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas agjencisë zyrtare saudite të lajmeve SPA, SAMA ka ngrirë “llogaritë bankare private” të personave të cilët më parë u ndaluan për akuza korrupsioni.
Policia saudite në operacionet e antikorrupsionit të shtunën arrestoi 11 princa, katër ministra aktualë dhe disa ish-anëtarë të qeverisë.
Në njoftimin e SAMA thuhet se janë ngrirë vetëm llogaritë private, duke përjashtuar llogaritë e kompanive në të cilat të akuzuarit kanë aksione.
Mediat lokale më parë njoftuan se në mesin e të arrestuarve janë dhe miliarderi, Princi Alwaleed bin Talal dhe ministri i Gardës Kombëtare, Princi Mitab bin Abdullah.
Vetëm pak orë para fillimit të valës së arrestimeve, me dekret të mbretit Salman u formua Komiteti për Anti-Korrupsion, i udhëhequr nga princi i parë i kurorës Mohammed bin Salman.
Komiteti ka autoritetin për të kryer hetime, arrestime, të lëshon masa ndaluese, të bllokon asete të të dyshuarve për korrupsion.
Komiteti ka njoftuar se do të rihapë hetimet në lidhje me përmbytjet, në të cilën të paktën 100 persona humbën jetën në Xheda në vitin 2009, dhe më pas edhe hetimet rreth epidemisë virale koronare nga viti 2012.