Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti dhe Bahreini po ndërpresin marrëdhëniet diplomatike me Katarin.
Mbretëria e Saudisë bëri njoftimin nëpërmjet Agjencisë së Shtypit Saudit, duke thënë se po ndërmerrte masa për atë që e quajti “mbrojtje e sigurisë kombëtare”.
Agjencia e lajmeve lëshoi një deklaratë në të cilën e akuzoi Katarin për “mbajtjen e një numri të madh grupesh terroriste dhe sektare që synojnë të krijojnë paqëndrueshmëri në rajon”.
Tre vendet e Gjirit u dhanë vizitorëve dhe banorëve të Katarit dy javë për t’u larguar nga vendet e tyre, njofton agjencia e lajmeve Reuters.
Arabia Saudite gjithashtu e mbylli kufirin dhe ndaloi trafikun ajror dhe detar me Katarin, duke i nxitur “të gjitha vendet dhe kompanitë që të bëjnë të njëjtën gjë”.
“E pajustifikuar”
Ministria e jashtme e Katarit tha se ndjen keqardhje për masat e marra nga kombet arabe, duke i quajtur vendimet “të pajustifikuara”.
“Masat janë të pajustifikuara dhe bazohen në pretendime dhe pohime që nuk kanë bazë,” tha deklarata, duke shtuar se vendimet “nuk do të ndikojnë në jetën normale të qytetarëve dhe banorëve”.
“Qëllimi është i qartë dhe është të imponojë marrjen e pushtetit nga shteti i Katarit. Kjo vetë është një shkelje e sovranitetit të saj si shtet”, shtoi deklarata.
Edhe ministria e jashtme e Bahreinit lëshoi një deklaratë duke thënë se do të tërhiqte misionin e saj diplomatik nga kryeqyteti i Katarit, Doha, brenda 48 orësh dhe që të gjithë diplomatët e Katarit duhet të largohen nga Bahreini brenda së njëjtës periudhë.
Egjipti gjithashtu njoftoi mbylljen e hapësirës ajrore dhe portet detare për të gjithë transportin e Katarit “për të mbrojtur sigurinë e saj kombëtare”. /MESAZHI/