2.5 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, deklaratat e krerëve të shtetit dhe reagimi i Presidencës çeke

Më të lexuarat

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryeministrin Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca, të mërkurën nënshkruan aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian në një ceremoni zyrtare të organizuar në ambientet e Presidencës së Kosovës.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE e cilësoi si ditë historike për vendin dhe një hap vendimtar drejt jetësimit të ëndrrës kolektive dhe ambicies sonë të patjetërsueshme, raporton Telegrafi.

“14 dhjetori ka rëndësi të dyfishtë për historinë e Kosovës. Në njërën anë po aplikojmë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në anën tjetër po shënojmë përvjetorin e themelimit të ushtrisë sonë. Dy akte që shkojnë në drejtim të realizimit të vizionit tonë, integrimit euro-atlantik”, tha ajo.

Sipas saj, për Kosovën dhe qytetarët e saj nuk ka pasur asnjëherë alternativë tjetër.

“Ëndrrat bëhen realitet vetëm kur veprohet e ambiciet bëhen të prekshme vetëm kur punohet. Në vigjilje të 15 vjetorit të shpalljes së pavarësisë ky akt i dedikohet të gjithë qytetarëve të vendit tonë, evropianëve të devotshëm e promovues të vlerave evropiane… I dedikohet çdo fëmije, gruaje e burri të Kosovës që sakrifikuan jetën duke mbrojtur idealet për liri, pavarësi e demokraci gjersa u përballën padrejtësisht me okupim e gjenocid”, tha e para e shtetit.

“Shteti më i ri në kontinentin e vjetër, vend i pluralizmit politik, garantues i të drejtave të njeriut, Kosova e ekonomisë së tregut të lirë e meriton të jetë pjesë e Bashkimit Evropian”, tha Osmani.

Ceremonia e nënshkrimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE

Sipas saj, procesi i anëtarësimit në BE nuk është proces i njëtrajtshëm dhe procesi në tërësi mund të jetë afatgjatë, por siç tha ajo Kosova është e vendosur të ja dalë me sukses.

“Ne do ta bëjmë pjesën e punës sonë, në mënyrë që Bashkimi Evropian ta bëjë pjesën e vet”, tha presidentja.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se Kosova e meriton që të bëhet vend kandidat në Bashkimin Evropian.

Në ceremoninë e nënshkrimit të aplikimit Kosovës për anëtarësim në BE, Konjufca ka deklaruar se kjo është ditë shumë e rëndësishme.

“Sot është ditë e rëndësishme për Republikën e Kosovës. Jemi mbledhur me shumë krenari e përkushtim për ta nënshkruar letrën e kërkesës në emër të Kosovës për aplikim për anëtarësim në BE”.

Tutje, kryeparlamentari ka thënë se për Kosovën dhe gjithë rajonin anëtarësimi është në këtë union është i një rëndësie të veçantë.

“Ky është hapi i parë zyrtar në rrugën e anëtarësimit të Kosovës drejt BE-së. Një rrugë që ishte e gjatë dhe aspak e lehtë. Ne e meritojmë të bëhemi vend kandidat dhe ta fillojmë rrugëtimin tonë drejt hapjes së negociatave për anëtarësim në BE, fazë që synojmë ta arrijmë në një kohë sa më shpejtë të mundshme”.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka thënë se ky është një moment historik për Kosovën.

“Bazuar në aspiratat dhe përkushtimin e pathyeshëm të popullit tonë për paqe, liri, barazi dhe drejtësi, orientimin tonë të qartë evropian e euroatlantik dhe konsensusin shoqëror e politik se e ardhmja e vendit tonë është brenda BE-së, sot po bëjmë hapin e parë drejt anëtarësimit në organizatën më të madhe të paqes dhe prosperitetit në Evropë”, ka thënë Kurti.

Kurti ka bërë të ditur se aplikimi do t’i dorëzohet Presidencës Çeke të BE-së në Pragë.

“Aplikimi në BE i nënshkruar sot nga krerët e Republikës tonë, do t’ia dorëzojmë presidencës çeke të Këshillit të BE-së në Pragë. Ky është moment historik për vendin tonë që synon hapjen e një kapitulli të ri për shtetin dhe shoqërinë tonë”, ka thënë Kurti.

Kryeministri ka shtuar se progresi do të varet nga përkushtimi i Kosovës për reforma të thella që e forcojnë sundimin e ligjit, zhvillojnë ekonominë dhe avancojnë demokracinë.

E pas nënshkrimit të letrës për aplikim në BE nga krerët e shtetit, nga Presidenca çeke kanë thënë se do të konsultohen menjëherë me vendet e tjera anëtare.

Presidenca çeke do të informojë Këshillin për marrjen e aplikacionit në takimin e ardhshëm të ambasadorëve të BE-së më 20 dhjetor në Bruksel.

“Ne vlerësojmë se vendimi për hapin e ardhshëm drejt perspektivës së Kosovës në BE po merret nga Qeveria e Kosovës gjatë Presidencës Çeke të Këshillit të BE-së, pasi rajoni i Ballkanit Perëndimor ka qenë një nga prioritetet e Presidencës. Presidenca do të angazhohet menjëherë në konsultime me shtetet e tjera anëtare të BE-së”, ka thënë në një përgjigje për RTV Dukagjinin, Marek Zeman, shef i departamentit të marrëdhënieve me publikun të Ministrisë për Çështjet Evropiane të Çekisë.

Në përgjigje tutje thuhet se Presidenca çeke do të informojë Këshillin për marrjen e aplikacionit në takimin e ardhshëm të ambasadorëve të BE-së më 20 dhjetor në Bruksel.

“Pas një vendimi nga Këshilli, Komisionit mund të kërkohet të përgatisë opinionin e saj për aplikimin e Kosovës”.

Ndryshe, lidhur me këtë, në një përgjigje nga zyra e BE-së, është thënë se Unioni vazhdon ta mbështesë Kosovën në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian.

“Kosova ka një perspektivë të qartë evropiane. BE-ja vazhdon ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së, duke filluar përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit BE-Kosovë që ka hyrë në fuqi në vitin 2016. Kur bëhet fjalë për aplikimet për anëtarësim, procedurat për aplikim janë të përcaktuara në Traktatin e BE-së”, thuhet në përgjigje. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit