-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Apeli i Dom Gjergjit dhe heshtja jonë ndaj krimit

Më të lexuarat

AGIM BAÇI 

Një shkrim i Dom Gjergj Metës më rastin e 23 Gushtit, Ditës Europiane të Përkujtimit të Regjimeve Totalitare, më risolli edhe një herë në mendje frazën e fundit të shfaqjes “Ata hyjnë pa trokitur” të regjisorit Armand Bora: “Njeri, ku je, më ndihmo!”. Një frazë që vjen e rimerr formë e zë të ndryshëm nga ish-të përndjekurit dhe pasardhësit e tyre, edhe pse kanë kaluar gati 30 vite nga ndryshimet e regjimit komunist. Dom Gjergji, me të drejtë, theksonte se mungesa e një qëndrimi të qartë ndaj diktaturës, mungesa e një studimi të thelluar ndaj traumës së madhe që shkaktoi denatyrimi njerëzor në diktaturë, ka sjellë një hipokrizi shoqërore që vijon të ketë pasoja në përditshmërinë tonë.

Kjo hipokrizi është vënë re më së shumti në atë pjesë të shoqërisë që konsiderohej elitë në kohën e diktaturës e që vijoi të mbante poste politike dhe kulturore edhe pas vitit 1990. Ata, në emër të mendimit të lirë, futën në kotecin e arsyes dhelprën e tyre të relativizmit të së shkuarës, e cila kafshon çdo tentativë për ta konsideruar kriminal regjimin e Enver Hoxhës. Kështu, sa herë flitej për kohën e diktaturës, për ish-të burgosurit apo ish-të përndjekurit, jepej edhe ndonjë emër prej tyre i rekrutuar nga ish-Sigurimi apo kur ndonjë prej drejtuesve të ish-bllokut ishte treguar i butë, duke shpëtuar ndonjë prej familjarëve të të dënuarve. Si për ta përmbyllur hipokrizinë, tashmë e shkuara kriminale e diktaturës ka pasur përpjekje për esstetizim përmes disa qendrave me emra me nocione spektakli, si “Shtëpia me gjethe” apo “Bunkart”, duke e futur të shkuarën kriminale në hullinë e një historie, e cila nuk ka të bëjë me të tashmen, por vetëm me të shkuarën.

Me të drejtë, drejtuesja e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, Jonila Godole, ka ngritur prej kohësh çështjen e mungesës së studimit të numrit të saktë të të pushkatuarve, të humburve dhe të përndjekurve në kohën e diktaturës, si dhe caktimit të një dite për përkujtimin e të mbijetuarve shqiptarë, të cilët kanë nevojë të kenë një memorial përkushtuar mbijetesës së tyre. Për këtë mungesë të simbolikave të mbijetesës, pa dyshim që pengesa kryesore ka qenë përpjekja e një pjesë të shoqërisë shqiptare të lidhur me të shkuarën komuniste, që nuk mund të pranojë zëvendësimin e simbolikave të tyre me atë të mbijetesës ekstreme të shoqërisë. Elita e emëruar në kohën e diktaturës, e cila artin e vetëm kishte servilosjen, frikën dhe shërbesën deri në skllavëri, ka vijuar në këto vite të mbajë në këmbë përpjekjen që e shkuara të mos jetë kurrë nën shenjën e një dhune dhe humbje të njerëzores deri në rrëzimin më të fundmë të vlerave njerëzore, ku mbi gjithçka ishte partia. Është pikërisht kjo elitë, që ka vijuar të edukojë kokëtundës e jo individë, që në vend të dinjitetit zgjedhin skllavërimin.

Duhet pohuar se mbrojtja e së shkuarës, sidomos vitet e fundit, nuk ka qenë e fshehur për adhuruesit e kohës së diktaturës. Mjafton të kujtojmë se jo shumë kohë më parë, deputeti Spartak Braho, ish-hetues në kohën e diktaturës, dhe disa pasues të tjerë, nisën një debat publik lidhur me studimin e krimeve të komunizmit, duke kërkuar reduktimin e kompetencave të institucionit të drejtuar nga Agron Tufa, më qëllim që të mos merrej në studim koha e Luftës së Dytë Botërore. Shkak për këtë u bë libri i studiuesit Çelo Hoxha, lidhur me krimet që kishin ndodhur nga vitit 1939 deri në vitin 1944. Kjo përkujdesje e deputetit Braho dhe disa studiuesve të tjerë tregon vëmendjen e një pjesë jo të vogël të shoqërisë shqiptare të lidhur me kohën e diktaturës për simbolikat e tyre, sidomos simbolikën e vendosjes së diktaturës komuniste, me emrin më paradoksal “diktatura e proletariatit”.

Dom Gjergji, me zërin e njeriut që më parë se të falë kërkon të kujtojmë, dhe, të pranojmë, na risolli edhe një herë në vëmendje se sa nevojë ka shoqëria shqiptare të pohojë me zë të lartë përmasat e tragjikes në të shkuarën e kohës së komunizmit. Ai është zëri i butë i arsyes që kërkon një pendim nga ata që dikur kryen krime makabre, si dhe pasuesve të tyre, të cilët jo vetëm që nuk mund të krenohen me të shkuarën e baballarëve të tyre, por edhe duhet të gjejnë rrugën e ndjesës. Sepse ndjesa është një rrugë për të na rritur shpirtërisht, që më pas të kemi guximin të shohim tjetrin në sy. Thirrja e fundit e një pinjolli të një prej familjeve ndër më të persekutuarat e regjimit, Tomor Alizotit, lidhur me rikthimin e vëmendjes ndaj krimeve të komunizmit dhe në respektimin e atyre që i mbijetuan ferrit, tregon se thirrja e Dom Gjergji është një nevojë për shërim, është një nevojë për të kuptuar veten dhe për të pasur guximin që të paktën fëmijëve tanë t’u rrëfejmë se, nëse harrojmë të keqen, hijet e saj përgjojnë për një përsëritje të pandreqshme.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit