Autoritetet më të larta shtetërore turke dhe politikanë me peshë në vend vazhdojnë të reagojnë me forcë kundër vendimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) për të përfshirë Turqinë në një mbikëqyrje politike…
Autoritetet më të larta shtetërore turke dhe politikanë me peshë në vend vazhdojnë të reagojnë me forcë kundër vendimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) për të përfshirë Turqinë në një mbikëqyrje politike.
“Dënojmë këtë vendim të qëllimshëm, i cili nuk aspak lidhje me realitetin, barazinë dhe drejtësinë”, deklaroi zëdhënësi dhe sekretari i përgjithshëm i Presidencës turke, Ibrahim Kalin, në lidhje me vendimin e PACE-së për Turqinë.
“Vendimi i PACE-së është një operacion politik i qarqeve armike të Turqisë”, theksoi Ibrahim Kalin përmes një postimi nga llogaria e tij në median sociale.
Nga ana e tij, Kryeministri Binali Yildirim tha se vendimi i PACE-së është politikisht i motivuar nën hijen e racizmit në rritje.
“Bashkimi Evropian duhet të rishikojë vizionin e tij, sërish dhe sërish”, potencoi shefi i Ankarasë zyrtare.
Kurse zëvendëskryeministri Numan Kurtulmus e cilësoi vendimin e PACE-së për të rifilluar procesin e monitorimit politik të Turqisë si “rezultat i fushatës antiTurqi”.
Fatkeqësisht – nënvizoi Numan Kurtulmus – ky vendim është rezultat i një fushate raciste, fashiste, antiturke, islamofobe dhe armiqësore kundër Turqisë, e cila zhvillohet hap pas hapi; është një vendim tërësisht politik dhe kryekëput i papërputhshëm me realitetin.
“Shpresoj që PACE-ja të bëjë hapat e nevojshme për të kompensuar disi këtë vendim dhe mendoj se do të ishte në dobi të së ardhmes së tyre që t’i ktheheshin idealit të një Evrope të aftë për shkrirë në të njëjtën enë kultura dhe besime fetare të ndryshme si një strukturë multikulturore dhe shtëpi evropiane e përbashkët, e brumosur me vlerat themeluese të vetë Evropës, toleruese dhe jo diskriminuese ndaj të huajve. Po, sot mund të jenë gëzuar qarqet fashiste, antiturke dhe islamofobe, të cilat kanë bërë të mundur marrjen e këtij vendimi; por jam i mendimit se ata, që duhet të mërziten me të vërtetë, janë politikanët e përmbajtur evropianë, të cilët vrasin mendjen për të ardhmen e Evropës. Shpresoj që të kthehen nga ky gabim sa më parë të jetë e mundur”, tha zv/kryeministri Kurtulmus.
Ndërsa ministri i Çështjeve të Bashkimit Evropian dhe kreu i negociatave për anëtarësimin e Turqisë në BE, Omer Çelik, deklaroi se PACE-ja mori një vendim të padrejtë, pa barazi dhe të gabuar.
Omer Çelik tërhoqi vëmendjen se ky vendim, pa asnjë lidhje me realitetin e Turqisë, është një gabim historik për Këshillin e Evropës dhe Asamblenë Parlamentare të tij.
“PACE-ja duhet t’i dilte zot demokracisë dhe të drejtave të njeriut; duhet të demonstronte solidaritet me Turqinë. Ata shfaqën një qëndrim të padrejtë. Duhet të falënderonin me zë të lartë një vend, i cili po bën për refugjatët atë çfarë s’po e bën dot e gjithë bota”, vlerësoi ministri Çelik.
Vendimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për përfshirjen e Turqisë në një mbikëqyrje politike e dënoi gjithashtu lideri i Partisë Lëvizja Nacionaliste (MHP), Devlet Bahçeli.
“Kemi mbërritur në një udhëkryq strategjik, ku Turqia do të rishikojë në mënyrë të gjithanshme marrëdhëniet e saj me Evropën. Padyshim që përjashtimi dhe akuzimi padrejtësisht i Turqisë nuk do të mbetet pa kundërpërgjigje dhe një faturë e rëndë do të peshojë mbi Evropën”, u shpreh kreu i MHP-së.