1.1 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Andin Hoti i përgjigjet Velko Odaloviqit: Dëshira për masakra është ende në gjakun tuaj!

Më të lexuarat

Kreu i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit dhe drejtues i delegacionit të Kosovës për bisedime për të pagjeturi, Andin Hoti, ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve provokuese të sekretarit të Përgjithshëm të Asamblesë Kombëtare të Serbisë, Velko Odaloviq.

Ky i fundit tha sot se “kudo që ishin amerikanët, ata u larguan përfundimisht, Prishtina duhet të mendojë për këtë”, duke iu referuar situatës së fundit në Afganistan.

Deklarimet e zyrtarit serb, i biri i veprimtarit të zhdukur Ukshin Hoti, i cili po angazhohet drejtpërdrejtë në mënyrë institucionale për zbardhjen e fatit të babait dhe të gjithë personave që Serbia i mori dhunshëm dhe për fatin e të cilëve ende nuk dihet, po i sheh si shkelje mbi plagët ende të hapura nga lufta e fundit në Kosovë.

Hoti në një postim në Facebook një mendësi të tillë të Odalloviqit e quan një kërcënim të hapur se sikur të mos ishte SHBA-ja, shteti serb do të vazhdonte krimet e saja çnjerëzore ndaj popullit shqiptar.

“Një Serbi që e mban të pushtuar Kosovën nuk është as vetë e lirë. Liria e vërtetë e Kosovës është një premisë themelore edhe për lirinë e vërtetë të Serbisë. Kosova për Serbinë është kulti i robërisë së vetvetes, nëse nuk bëhet shans i lirisë dhe i evropianizimit të saj të ardhshëm.” – Ukshin Hoti (Të cilin ende sot e mbani peng)”, shkruan Hoti.

Postimi i plotë i Hotit:

“Sapo ma ngacmove plagën e pashëruar! (Mua dhe mijëra qytetarëve të Republikës së Kosovës)

Sapo mi kujtove masakrat e panumërta, përdhunimet, krematoriumet, vrasjet me mënyrat më çnjerëzore që njeh historia ndaj grave, fëmijëve e pleqve civil në gjenocidin e fundit në Kosovë nga ju!

Sapo mu parafytyruan djegia e njerëzve të gjallë e të vdekur nga Ushtria, Policia, e paramilitarët serb, vetëm PSE ishin Shqiptarë!

Sapo ma ri-dëshmove fjalën ‘dhunë’ tek të zhdukurit ME DHUNË!

Sapo ma zbehe shpresën se një ditë, për hir të humanizmit, megjithatë do të provoni të gjeni një pikë njerëzore tek vetja, duke na treguar se ku janë edhe 1632 persona të zhdukur me dhunë, duke na i lehtësuar sado pak dhimbjet që na ndjekin kudo tash e 22 vite!

Sapo ma kujtove se deri ku mund të shkojë mëndja e vepra e ‘njeriut’!

Ende pa bërë as edhe një hap të vetëm për t’u shkëputur nga mendësia kriminale e Millosheviqit, ende pa kërkuar falje, ende pa dhënë përgjigje për fatin e 1632 personave të zhdukur me dhunë në Kosovë, ju guxoni të na shkelni mbi plagët tona të luftës dhe të KËRCËNONI haptas se ‘mos të ishte Amerika, ju do të vazhdonit krimet çnjerëzore ndaj popullit tonë’.

Ju guxoni të tregoni fytyrën tuaj haptas, se megjithëse kanë kaluar 22 vjet, mendësia juaj nuk ka ndryshuar, dëshira për masakra është ende në gjakun tuaj.

Por… sapo ma kujtove që njeriu për të arritur lirinë, është GJITHMONË në gjendje të sakrifikoj edhe jetën!

Njeriu nuk ka ku të shkoj përtej atdheut të vet.

Amerika nuk ka urrejtje ndaj serbëve, përkundrazi, Amerika lufton kudo në botë për të drejtat e njerëzve, nga padrejtësitë që u bëhen prej kriminelëve si Millosheviqi.

Prandaj, nëse jo për hir të humanizmit, pse jo për hir të popullit tuaj, nuk arrini të ndryshoni mendësinë tuaj dhe ta çlironi edhe popullin e Serbisë nga epiteti që keni marrë kudo në botën demokratike si ‘Dhunues e Kriminel’?

Çfarë faji ju ka populli juaj?

“Një Serbi që e mban të pushtuar Kosovën nuk është as vetë e lirë. Liria e vërtetë e Kosovës është një premisë themelore edhe për lirinë e vërtetë të Serbisë. Kosova për Serbinë është kulti i robërisë së vetvetes, nëse nuk bëhet shans i lirisë dhe i evropianizimit të saj të ardhshëm.” – Ukshin Hoti (Të cilin ende sot e mbani peng)”, ka shkruar Hoti.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit