-3.2 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Analizë për çështjen “Burkini”: Kush janë më të këqinj, talebanët apo politikanët francezë?

Më të lexuarat

Prestigjiozja “Elle” i ka kushtuar një shkrim asaj që po ndodh këtë verë në plazhet franceze  me urdhër të autoriteteve të këtij vendi: ndalimit të mbajtjes së burkinit nga ana e femrave. Me titullin “Ndalimi i bartjes së burkinit nuk do ta shpëtojë as gruan muslimane po as vlerat perëndimore; është më tepër një veprim seksist”, autorja Mattie Kahn, e përmbyll atë në mënyrë shumë guximtare, duke i bërë njësh, si talebanët e si politikanët francezë…

Shkrimi:

Ndodhi në një vend publik, nën diellin e shkëlqyer. Tre meshkuj të armatosur rrethuan një grua në plazh dhe kërkuan nga ajo që të heqë rrobat e jashtme. Dëshmitarët po bënin foto. Këto foto u shpërndanë përmes internetit në mbarë botën.

Por këta meshkuj nuk do të përballen me pasoja, sepse ata nuk kanë kryer asnjë krim. Ata janë policë në Nice të Francës. Dhe për sa i përket zbatimit të ligjit, ata janë të pafajshëm.

Të paktën 15 qytete franceze, përfshirë Nicen, kanë ndaluar bartjen e burkinit, kostum larjeje që mbulon trupin dhe kokën e femrës, në pajtim me praktikimin e tyre fetar. Gruaja të cilës iu afruan meshkujt nuk kishte të veshur vetëm një rrobë, ajo kishte veshur një tunikë blu dhe dollakë të zeza deri te zogu i këmbës. Momentin kur arritën policët, të gjitha fotot shfaqnin se si ajo e heq tunikën. Ajo ishte e strukur në rërë, ndërsa policët i qëndronin si kullë mbi kokë.

Deri më tani kjo grua nuk ka lëshuar ndonjë deklaratë publike. Por, në një vend tjetër në Francë, një grua ka pranuar se është dënuar gjatë kësaj jave për shkak se kishte të veshur një tunikë dhe mbulesë koke, në një plazh në Kanë. Asaj i është lëshuar një gjobë për shkak të veshjes e cila nuk respekton “moralin e mirë dhe sekularizmin”.

Franca e çmon sekularizmin apo laicitetin qysh nga koha e Revolucionit Francez dhe ky rregull u bë parim qysh në vitin 1905. Por pasi popullata e Francës është rritur në dekadat e fundit për shkak të emigracionit, sidomos me muslimanë, francezët si duket janë bërë më këmbëngulës në këtë rregull.

Në vitin 2004, të gjitha simbolet e “spikatura” të besimit u ndaluan në shkollat shtetërore dhe ngjarje qytetare. Që nga 2010, gratë nuk lejohen të mbulojnë fytyrën e tyre në publik. The Economist në vitin 2014, përmbledh pasojat në këtë mënyrë:

“Kritikët kanë akuzuar Francën për mungesë liberalizmi, për frenim të lirisë së shprehjes fetare, dhe për imponim të interpretimit perëndimor të shtypjes së femrës…Për francezët, megjithatë, kjo është pjesë e përpjekjeve të tyre për të mbajtur shprehjen e lirive fetare në sferën private, duke mbështetur kështu identitetin republikan laik të vendit”.

Por pa marrë parasysh rrënjët e polemikës, retorika mbi atë se si vishen femrat muslimane është bërë më ekstreme. Kryebashkiaku i Korsikës ka ndaluar veshjen e burkinit “me qëllim të mbrojtjes së popullatës”. Një tribunal në Nice konsideroi ligjin si “të nevojshëm, të përshtatshëm dhe proporcional” si përgjigje ndaj sulmeve të fundit terroriste në Francë. Kostumi i larjes është konsideruar si “fyerje e bindjeve fetare të përdoruesve tjerë të plazhit” dhe madje është interpretuar si “provokim”. Kryeministri francez, Manuel Valls ka insistuar se burkini simbolizon “skllavërim të grave”. Ministri francez për të drejtat e familjes, fëmijëve dhe grave, Laurence Rossignol tha se “muslimanët praktikues po e fshehin trupin e grave për t’i kontrolluar ato më mirë”.

Marine Le Pen i dha ngjyrim gjithë çështjes me terma nacionaliste. “Franca nuk e mbyll trupin e femrës”, tha ajo, dhe për më tepër shtoi se “Islami e mban atë në pranga”.

Një përkujtim! Nëse mendoni se vlerat e juaja progresive mund të mbijetojnë atëherë kur ju i vëzhgoni trupat e femrave, atëherë ju tashmë i keni humbur ato.

Më duket e vështirë të besoj se gratë janë të lira, atëherë kur përfaqësuesit e qeverisë i urdhërojnë ato të zhvishen në plazh. Çfarëdo që veshin gratë, qofshin ato të zhveshura apo të mbuluara, dikush do të gjejë një mënyrë për t’i thënë asaj gruaje në publik se vetë ekzistenca e saj është “provokim”. Duket e qartë, por ja ku jemi! Është aq jo-liberale t’i thuash një gruaje “që të veshë më tepër rroba” sa ta detyrosh atë të zbulojë më tepër se sa që ajo zgjedh të zbulojë për veten e saj.

Kur frika kaplon një popull, janë gratë ato që vuajnë, janë trupat e grave ato që bëhen provokative, të pahijshme, dhe paraqesin “problem”.

Duke shkruar për The Guardian, krijuesja e burkinit thotë se ajo ka shpikur kostumin e larjes për “t’u dhënë liri grave, e jo për t’ua marrë atë”.

“Pra kush është më i mirë”, pyet ajo, “talebanët apo politikanët francez? Janë të këqinj sa njëra palë aq edhe tjetra”./tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit