13.1 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Amsterdam, ezani thirret për herë të parë nëpërmjet altoparlantëve

Më të lexuarat

Në kryeqytetin e Holandës, Amsterdam, ezani është thirrur për herë të parë nëpërmjet altoparlantëve.

Në xhaminë Blu (De Blauwe Moskee), e cila frekuentohet kryesisht nga marokenët, ezani për namazin e xhumasë u thirr për herë të parë nga altoparlantët pavarsisht pengesave që u përjetuan javën e kaluar.

Besimtarët e xhamisë dhe banorët e lagjes që ndodheshin duke pritur jashtë për të dëgjuar ezanin e parë në Amsterdam me thirrje nga altoparlantët, regjistruan me telefonat e tyre momentin e thirrjes së ezanit.

Përfaqësuesi për media i xhamisë, Nourdeen Wildeman, në një deklaratë për gazetarin e AA-së tha se janë të lumtur dhe krenarë për thirrjen e ezanit këtë javë, gjë që nuk ishte e mundur të bëhej javën e kaluar.

Wildeman tha se në 7 përqind të xhamive në Holandë ezani prej vitesh thirret nga altoparlantët, por në kryeqytetin Amsterdam kjo ndodh për herë të parë, duke shtuar:

“Nga banorët e lagjes ka reagime të ndryshme për thirrjen e ezanit nga altoparlantët. Pavarsisht se ka edhe kritika, në përgjithësi reagimet janë pozitive. Pavarsisht se pati një zhurmë kur njoftuam thirrjen e ezanit nëpërmjet altoparlantëve, kjo më shumë u shkaktua nga politikanët se sa nga banorët”.

Ai thotë se çështja e ezanit i takon banorëve të lagjes, ku siç sqaron ai, jetojnë edhe muslimanë.

“Ne jemi muslimanë që jetojmë në Amsterdam, këtu është shtëpia jonë dhe për këtë arsye jemi pjesë e kësaj lagjeje. Kur shikohet nga ky këndvështrim, kuptohet se thirrja e ezanit nga altoparlantët në të vërtetë është një gjë që i përket kësaj lagjeje”, deklaroi Wildeman.

Ai tha se pas njoftimit për thirrjen e ezanit kishte nga ata që erdhën për herë të parë në xhami dhe nga këtu morën reagime të bukura dhe shumë pozitive, duke shtuar se xhamia ndodhet në mes të lagjes dhe dyert e saj janë të hapura për të gjithë.

Duke folur për qytetet tjera ku ezani thirret prej vitesh nëpërmjet altoparlantëve, Wildeman tha se banorët e atyre lagjeve janë mësuar me kalimin e kohës dhe se po ashtu edhe ata që jetojnë përreth xhamisë De Blauwe Moskee do ta pranojnë këtë situatë.

Ursula van Spronsen, një prej banorëve të lagjes, tha se “thirrja e ezanit tingëllon këndshëm në vesh”.

“Kam ardhur sot këtu posaçërisht për të dëgjuar ezanin. E kam dëgjuar edhe më parë në hapjen e xhamisë dhe më pëlqeu shumë. Banoj shumë afër nga xhamia, edhe pse nuk dëgjohet shumë nga shtëpia ime, unë mund ta dëgjoj atë çdo javë”, tha ajo.

Samir El Kadaoui i cili shprehet se vjen nga lagjia Bos en Lommer për të përjetuar këtë ndjenjë në Amsterdam, theksoi se thirrja e ezanit nga altoparlantët i jep një ndjesi ndryshe.

Ezani pritej të thirrej nga altoparlantët për herë të parë javën e kaluar, por kjo u pengua pasi një person apo persona të paidentifikuar prenë kabllin që shkonte në çatinë e xhamisë.

Në Holandë ka gjithsej rreth 500 xhami, ndërsa në disa prej xhamive në qytete të ndryshme, ezani thirret nëpërmjet altoparlantëve që prej 30 vitesh./AA

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit