8.5 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Amnistia vjetore

Më të lexuarat

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!
Paqja dhe bekimi qofshin mbi më fisnikun e pejgamberëve dhe të dërguarve, Muhamedin, Pejgamberin tonë, si dhe mbi familjen e shokët e tij!
Qofshi të mirëseardhur, vëllezër!
Siç e dini, vetëm disa net na ndajnë nga muaji Ramazan. Kur njeriu është duke pritur një vizitor të shtrenjtë, zemra e tij fillon të preokupohet me të para se ai të arrijë. Nuk na ka hije që ky muaj të na afrohet e t’i gjejë zemrat tona në luginën e ftohtë të shpërfilljes. Zakonisht, kjo ndodh për shkak të hutisë së madhe që e mbulon zemrën, e si pasojë, njeriu nuk e ndien ardhjen e këtij muaji të madhërishëm. Kurse zemrave të gjalla, afshi i mallëngjimit për muajin Ramazan, vetëm se ua shton edhe më shumë zjarrin e përmallimit. Prandaj, në disa takime me radhë, ne do të flasim për disa kuptime dhe domethënie të muajit Ramazan.
Prej këtyre kuptimeve, të parin që do të përmendim, mund ta quajmë:

Amnistia vjetore

Vetë kujtimet e Ramazanit të kaluar flasin për atë që njeriu ka në mendje. Ta zëmë se dikujt i është shkruar të ketë ymër edhe gjatë këtij Ramazani, nga i cili na ndajnë vetëm pak ditë. Vallë sa e sa gabime kemi bërë dhe sa e sa herë kemi veshur turpin e shpërfilljes gjatë këtij viti, i cili ndau këtë Ramazan me të kaluarin? Pash Allahun, kujto se sa herë ke dëgjuar diçka të ndaluar e sa shikime i ke çuar në haram? Sa e sa fjalë të ndaluara janë regjistruar në fletushkat e veprave tona! E gjithë kjo përgjatë vitit që shkoi! Kundrejt kësaj, Zoti i Lartësuar Bujar na i hap dyert e amnistisë vjetore. Për çdo vit, ne kemi një takim me këtë amnisti, një mundësi kjo për fshirjen e fletushkave, çka nuk mund të zëvendësohet me asgjë.

Në përmbledhjen e tij autentike, Imam Muslim ibn Haxhaxhi përcjell hadithin e Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Pesë namazet, xhumaja deri në xhumanë tjetër dhe Ramazani deri në Ramazanin tjetër, janë falje për mëkatet e bëra mes tyre, nëse njeriu ruhet prej mëkateve të mëdha.” Pra, çdo gjë, qoftë mëkat i vogël ose shkarje, është e shkruar. Njeriu, disa prej tyre i mban mend, por shumicën i harron. Megjithatë, ato ndodhen në një “Libër”, të cilin Allahu i Lartësuar e përshkruan (me fjalët e robërve): “… Çfarë është ky libër që nuk paska lënë asnjë vepër të madhe apo të vogël pa e shënuar…”. (Kehf, 49)

Allahu na e hap derën e kësaj amnistie madhështore. Ai na i fshin të gjitha këto shkarje dhe mëkate të vogla. Pra, Ramazani është pastrim për shpirtin nga plagët e një viti të tërë, siç ka thënë Pejgamberi ﷺ: “Ramazani deri në Ramazanin tjetër i fshin mëkatet e vitit të shkuar, nëse njeriu ruhet nga mëkatet e mëdha.”
Dikush mund të thotë se i Dërguari ﷺ në këtë hadith përmend:
1 — Amnistinë ditore, kur thotë: “Pesë namazet…”;
si dhe
2 — Amnistinë javore, kur thotë: “E xhumaja deri në xhumanë tjetër…”.

Nëse pesë namazet i fshijnë mëkatet mes tyre, atëherë çfarë i mbetet amnistisë javore, nga xhumaja deri në xhumanë tjetër? Njashtu, nëse pesë namazet i fshijnë mëkatet (gjegjësisht aministia ditore) dhe e xhumaja deri në xhumanë tjetër i fshin po ashtu ato (gjegjësisht aministia javore), atëherë çfarë i mbetet amnistisë vjetore të Ramazanit? Pra, a mund të themi se kjo amnisti e Ramazanit nuk do të ketë efekt?

Përgjigjja është: Jo. Kjo përgjigje është e lidhur me një parim të përgjithshëm fetar, i cili thotë se:
– pasoja vjen në përputhje me veprën;
– efektet, rezultatet dhe pasojat e fjalëve dhe veprave të lavdëruara apo të nënçmuara në fe, shfaqen në përputhje me veprën e personit;
– fuqia që ka vepra e mirë për të fshirë gabimet, varet nga përsosja e veprës dhe nga realizimi i kushteve të pranimit të saj.

Marrim si shembull namazin: Ebu Davudi, në përmbledhjen e tij të haditheve përcjell transmetimin e Amar ibn Jasirit, sipas të cilit, i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ndodh që njeriu të kryejë namazin dhe t’i shkruhet vetëm një e dhjeta, apo një e nënta, apo një e teta e tij…”. Në hadith përmendet edhe një e pesta, një e treta apo gjysma e namazit të personit. Pra, aq sa i pranohet njeriut namazi, aq është edhe fuqia e atij namazi, apo e asaj të mire për të fshirë gabimet. Siç thotë Allahu i Lartmadhërishëm: “… veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija…”. (Hud, 114)

Pra, në saje të fuqisë së veprës vjen edhe fuqia e largimit të pengesave. Kësisoj edhe namazi i xhumasë përfshihet në këtë rregull të përgjithshëm, ashtu sikurse edhe namazet ditore. Argumente të tjera bëjnë të qartë faktin se njerëzit dallojnë shumë mes tyre në përsosjen e namazit të xhumasë. Në lidhje me këtë, në dy përmbledhjet me hadithe të sakta përcillet hadithi i Ebu Hurejrës, ku përmendet se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që pastrohet ditën e premte, ashtu siç pastrohet prej xhunubllëkut (gjendjes së papastërtisë pas kryerjes së marrëdhënieve intime) dhe shkon në xhami, konsiderohet sikur ka bërë kurban një deve. Ai që shkon në çastet e dyta, konsiderohet sikur ka bërë kurban një lopë. Ai që shkon në çastet e treta, konsiderohet sikur ka bërë kurban një dash të majmë. Ai që shkon në çastet e katërta, konsiderohet sikur ka bërë kurban një pulë. Ai që shkon në çastet e pesta, konsiderohet sikur ka dhënë sadaka një vezë. E kur imami ngjitet në minber, melekët ndalen për ta dëgjuar dhikrin (hutben).”

Pra, në saje të vlerave të xhumasë, që robi arrin t’i realizojë, është edhe fuqia e kësaj vepre për t’i shlyer gabimet dhe për të falur mëkatet. Nga kjo kuptojmë që, edhe në rast se besimtari tregon shpërfillje në përqendrimin e tij gjatë pesë namazeve dhe gjatë namazit të xhumasë, prapë Allahu ia hap dyert e amnistisë vjetore: “Ramazani deri në Ramazanin tjetër i fshin mëkatet e vitit të shkuar, nëse njeriu ruhet nga mëkatet e mëdha.”

Këtë parim të përgjithshëm fetar e trajton edhe Ebu Abas ibn Tejmije në vende të ndryshme në librat e tij. Ndër to përmendim librin “Minhaxh es-suneh”, ku në njërën prej temave, të titulluar: “Dhjetë shkaqet që eliminojnë dënimin e mëkatit”, ai flet për veprat e mira që i fshijnë gabimet. Gjatë shtjellimit të kësaj pike, Shejhul Islam Ibn Tejmije parashtron një pyetje: “Dikush mund të thotë: Nëse mëkatet më falen me pesë namazet, atëherë çfarë më shlyejnë e xhumaja dhe Ramazani?”

Shejhul Islam Ibn Tejmije e shtron këtë pyetje nga vetja e tij dhe në përgjigje të saj thotë: “Shlyerja dhe falja e mëkateve ndodh për veprat e mira të pranuara, — ky është parim, — kurse Allahu i Lartësuar i pranon veprat vetëm prej të druajturve. Shumica e njerëzve janë shpërfillës në vepra të mira, prandaj nga namazet ditore të pranuara fshihet një pjesë e mëkateve, pastaj nga xhumatë e pranuara fshihet një pjesë dhe nga Ramazanët e pranuar fshihet një pjesë tjetër.”

E vëreni se si ky kuptim, të cilin e përmend Ebu Abas ibn Tejmije, është i lidhur me fjalën e Allahut të Lartësuar: “Allahu pranon vetëm prej të druajturve.” (Maide, 27)?

Përmendja e druajtjes këtu, a mos nënkupton se personit që nuk ruhet nga mëkatet e mëdha, nuk i pranohet asgjë? Jo, i tillë është interpretimi i havarixhëve për këtë ajet.

Mos vallë kuptimi i devotshmërisë këtu, është se personit që ruhet nga shirku, Allahu ia pranon çdo vepër? Kështu e interpretojnë murxhitë.

Atëherë, cili është interpretimi i saktë sipas ehlu sunetit? Citati “Allahu pranon vetëm prej të druajturve.” (Maide, 27) nënkupton se kush i druhet Allahut në një vepër të caktuar, Allahu do t’ia pranojë atë. Kështu, mund të ndodhë që një person të bëjë ndonjë mëkat të madh, por ai i druhet Allahut në një vepër të caktuar, të cilën Allahu ia pranon. Po ashtu, mund të ndodhë që një person tjetër të jetë më i mirë se i pari, por nuk i druhet Allahut në një vepër të caktuar, dhe si pasojë Allahu nuk ia pranon atë, edhe pse ia pranon veprat tjera në të cilat është druajtur.

Çfarë nënkupton “druajtja” në një vepër të caktuar?

Ajo nënkupton kushtet e pranimit të veprës. Që vepra të pranohet, ajo duhet të plotësojë kushtet e mëposhtme:
– të jetë e sinqertë; pra, të synohet kënaqësia e Allahut nëpërmjet saj;
– të jetë e qëlluar; pra, të jetë në harmoni me sunetin e Pejgamberit ﷺ.
Ky është interpretimi i saktë për vargun e njëpasnjëshëm të veprave shlyerëse të mëkateve dhe kjo është amnistia vjetore madhështore. Kur njeriu mediton mbi domethënien e saj, ai bëhet më punëtor dhe i druhet Allahut gjatë përpjekjes së tij për të agjëruar, sepse fuqia e fshirjes së gabimeve dhe e largimit të mëkateve të vogla nga regjistri i tij, varet nga pranimi i agjërimit.

#Ibrahim_Sekrani

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit