2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Amnistia e pakërkuar fiskale, karremi i regjimit për paratë e pista

Më të lexuarat

Nga Vehap Kola 

Amnistia e pakërkuar fiskale, karremi i regjimit për paratë e pista
Kur një qeveri ngul këmbë të ofrojë një gjë të pakërkuar nga publiku, nuk do shumë mend se ajo është përfituesja më e madhe nga ky propozim. Kur këtë e bën një qeveri e korruptuar, e lidhur pazgjidhshmërisht me krimin e organizuar, rrjetet ndërkombëtare të trafikut të narkotikëve dhe oligarkinë, ajo është duke folur edhe në emër të këtyre të fundit.

Ideja e amnistisë fiskale nuk është një blasfemi në vendet demokratike dhe me ekonomi të lirë të tregut. Përgjithësisht ajo është zbatuar në një moment kthese drejt formalizimit të ekonomive, si një marrëveshje e gjerë sociale ndërmjet të gjitha palëve politike dhe komunitetit të biznesit. Kjo marrëveshje sociale ka garantuar se amnistia do të prekë burimet e pastra të të ardhurave dhe nuk do të përdoret si avantazh politik nga qeveritë.

Përveç kësaj marrëveshjeje, vendet që e kanë aplikuar amnistinë më parë kanë rritur kapacitetet për të luftuar pastrimin e parave me origjinë kriminale dhe të dyshimtë. Ato kanë forcuar kuadrin ligjor e institucional që mbikqyr zbatimin e amnistisë. Pra, në parim, amnistia fiskale mund të realizohet vetëm pas një marrëveshjeje të gjerë dhe falë kuadrit ligjor e kapaciteteve të mira administrative.

Një vend që e ka humbur apo e ka braktisur luftën ndaj krimit të organizuar, trafikut ndërkombëtar të narkotikëve dhe pastrimit të parave nuk mund të realizojë një amnisti të pastër fiskale. Në këtë rast, amnistia është vetëm emri i përdorur për aktivitetin faktik të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Propozimi i qeverisë Rama për të shpallur amnistinë fiskale dhe penale për të gjithë kapitalin e padeklaruar ka ardhur si rrufe në qiell të pastër. Që prej shtatë vitesh, kjo qeveri ka thyer çdo rekord në bashkëpunimin me krimin e organizuar dhe rrjetet e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve. Raporti i Strategjisë për Kontrollin e Trafikut Ndërkombëtar të Narkotikëve për vitin 2019, publikuar nga Departamenti i Shtetit, e shpall Shqipërinë vend bazë për operacionet e krimit të organizuar në Amerikën e Veriut dhe të Jugut dhe në Europë. Sipas po këtij raporti, Shqipëria është një vend kyç në industrinë e pastrimit të parave.

Prej tre vitesh, Shqipëria është shpallur zyrtarisht Vend Kryesor i Pastrimit të Parave në botë dhe që nga muaji i kaluar ajo zë vend në listën gri të Task Forcës së Pastrimit të Parave. Në Europë, vendi ynë është njëri prej 4 shteteve me risk më të lartë për pastrimin e parave, krahas Ukrainës, Turqisë dhe Serbisë. Renditja vjetore realizohet nga Indeksi i Bazelit për pastrimin e parave, i cili mat riskun e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Në renditjen e fundit, Shqipëria renditet në vendin e 39-të, si një ndër 40 vendet më të rrezikuara në botë nga veprimtaria e nëndheshme e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Fqinji ynë Maqedonia është një ndër 4 vendet më pak të rrezikuara, sipas këtij indeksi.

Në të gjithë këtë panoramë të zymtë, ku Shqipëria shfaqet nën kontrollin e pamëshirshëm të organizatave të mafias dhe krimit të organizuar, propozimi i Ramës për një amnisti të madhe fiskale e penale është edhe i pakërkuar nga ndonjë dhomë biznesi apo nga komunitetet e diasporës. Si i vetmi artikulues publik i kësaj ideje, Rama duket se përfaqëson interesat e atyre që nuk mund t’i shprehin hapur ato: organizatat e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve dhe oligarkia që pastron paratë e tyre me ndërtime luksoze e projekte të dyshimta.

Rama dhe ndihmësit e tij në qeveri e kanë paraqitur propozimin për amnisti si një derë e hapur që biznesi të deklarojë asetet e padeklaruara, diaspora të investojë në Shqipëri kursimet e emigracionit dhe që Shqiptarët që kanë mospërputhje ndërmjet të ardhurave të deklaruara dhe pronave që zotërojnë, të mund të shpëtojnë nga ankthi i informalitetit.

Të trija këto pretendime të propagandës qeveritare janë tërësisht të rreme. Së pari, asnjë dhomë e biznesit në Tiranë nuk e ka kërkuar nga qeveria një gjë të tillë. Së dyti, emigracioni shqiptar i ka kursimet e tij në bankat e vendeve përkatëse dhe nuk ka asnjë pengesë që t’i përdorë ato për investime në Shqipëri. Pengesa e vërtetë është klima e keqe e biznesit dhe humbja tërësore e avantazhit konkurrues që gëzonte vendi përpara ardhjes në pushtet të Ramës. Shqipëria zbriti vetëm vitin e fundit 20 vende më poshtë në rankimin e raportit “Doing Business” të Bankës Botërore. Për vitin 2020, ajo është një ndër tre vendet me klimën më të keqe të biznesit në Europë.

Së treti, shqiptarët që kanë blerë apo ndërtuar shtëpi e prona të tjera gjatë tranzicionit i kanë rivlerësuar tashmë ato dhe i kanë legalizuar. Shqetësimi i vërtetë i një qeverie të përgjegjshme do të ishte shpërthimi i ndërtimeve me financim të paqartë në Tiranën e pas vitit 2015.

Është e qartë se amnistia po kërkohet për vlera marramendëse që qarkullojnë me çanta dhe valixhe jashtë sistemit bankar. Këto janë të ardhurat nga prodhimi e tregtimi i shumëfishuar i kanabisit, dhe nga tranziti i drogave të forta me origjinë vendet e Amerikës Latine.

Dëmet që do t’i shkaktojë Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë hapja e portave që paratë e errëta të galerive të mafias të hyjnë në vend do të jetë i paimagjinueshëm. Pasoja më e rëndë e hyrjes së kësaj paraje do të jetë fuqizimi i regjimit oligarkik Rama-Veliaj. Çdo përfitim që teorikisht mund të supozohet nga një amnisti e tillë, do të ishte i pavlerë nëse nga ana tjetër realizimi i saj konsolidon pushtetin e oligarkëve dhe politikës së shkrirë me krimin.

Një tjetër dëm i madh i hyrjes së parasë së pistë për kushtet e lirisë ekonomike në Shqipëri është forcimi i monopoleve dhe oligopoleve, që zotëron oligarkia në kurriz të sipërmarrjes së vogël dhe të mesme.

Propaganda qeveritare po përpiqet të miklojë opinonin publik me tundimin fals të parave që do të hyjnë në vend, a thua se këto para do të ndahen për frymë.

Në fakt, paratë që do të pastrohen përmes amnistisë dhe do të shkojnë për të financuar projektet e oligarkëve në ndërtime luksoze, korruptimin e qeverisë dhe gjyqësorit. Hendeku ndërmjet të pasurve dhe të varfërve do të thellohet më tej dhe shpopullimi i Shqipërisë do të përshpejtohet nga padrejtësia ekonomike e shoqërore që buron prej këtij hendeku.

Shqetësues është edhe mosprononcimi i opozitës, dhomave të biznesit dhe ekspertëve të ekonomisë. Ndërsa përfituesit e vetëm të pastrimit të parave do të jenë regjimi Rama-Veliaj, grushti i oligarkëve klientë të pushtetit dhe krimi i organizuar, pësuesit më të mëdhenj do të jenë partitë opozitare, shumica dërrmuese e bizneseve dhe popullsia e gjerë.

Vetëgënjimi se Rama është i shqetësuar për krizën e madhe të ekonomisë dhe thjesht dëshiron të kalojë lumin me varfërinë është një çark, që do të zërë të parët ata kritikë të qeverisë që shpresojnë të përfitojnë edhe vetë nga kjo hile e regjimit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit