1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Ambasadori turk në Tiranë: Shqipëria është fqinji ynë i zemrës

Më të lexuarat

Gjatë të gjithë mandatit tim këtu, bashkë me ekipin tim do të kemi vullnetin dhe vendosmërinë për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët në të mirë të të dy palëve, duke u mbështetur në projekte konkrete dhe në mekanizmin e bashkëpunimit, thotë në mesazh

-Ambasadori i Turqisë: Shqipëria është fqinji jonë i zemrës

Mesazhi i Ambasadorit të Republikës së Turqisë në Tiranë, M.Ahmet Yörük, i cili filloi zyrtarisht detyrën më 16 janar 2018.

“…Duke filluar nga data 16 janar 2018 kur paraqita letrat kredenciale, ndihem i nderuar që kam filluar zyrtarisht detyrën time në Shqipëri, një ndër vendet më të bukura të Ballkanit, të rajonit që lagen nga Deti Mesdhe dhe Deti Adriatik, një vend me ajër të pastër, me natyrë të paprekur dhe me pasuri kulturore.

Shqipëria është një vend ku lidhjet tona të sinqerta miqësore shtrihen që në shekullin e 14-të dhe që ne e vështrojmë si një vend vëlla. Turqit dhe shqiptarët kanë ecur së bashku ndër shekuj. Afërsitë tona social-kulturore të trashëguara nga e shkuara jonë e përbashkët si gjuha, familja, struktura e shoqërisë, kuzhina dhe mënyra e jetesës vazhdojnë edhe në ditët e sotme. Disa personalitete të rëndësishëm në historinë tonë të përbashkët kanë dhënë kontribute të rëndësishme si në zhvillimet ideore, ashtu edhe në zhvillimet politike, administrative dhe ushtarake të vendit tonë dhe të Shqipërisë. Shtetasit tanë me origjinë shqiptare, prania e të cilëve në vendin tonë shprehet me miliona, janë simbol konkret i faktit se popujt tanë kanë edhe lidhje farefisnore si mishi me thoin.

Pak kohë pas shpalljes së Republikës së Turqisë, brenda vitit 1923 njëra nga marrëveshjet e miqësisë që lidhi vendi ynë ishte ajo me Shqipërinë.

Kjo marrëveshje e emërtuar “Marrëveshja e Përhershme e Miqësisë dhe e Bashkëpunimit” shpreh edhe faktin se në thelb marrëdhëniet tona nuk janë vetëm midis shteteve, por edhe midis njerëzve. Ndonëse midis nesh nuk ka kufij gjeografikë, ne e konsiderojmë Shqipërinë si fqinjën tonë të zemrës.

Politika e Turqisë ndaj merr formë mbi bazën e parimeve të “interesimit për rajonin”,“gjithëpërfshirjes”, “iniciativës”, “nxjerrjes në plan të parë të dimensionit human dhe njerëzor”. Turqia ka një këndvështrim racional që dëshiron vendosjen e mirëqenies, sigurisë, paqes, qetësisë dhe të drejtësisë në të gjitha vendet e rajonit.

Për këtë arsye, gjatë gjithë mandatit tim këtu, bashkë me ekipin tim duke u frymëzuar nga e shkuara jonë me rrënjë të thella midis Turqisë dhe Shqipërisë, do të kemi vullnetin dhe vendosmërinë për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët në të mirë të të dy palëve, duke u mbështetur në projekte konkrete dhe në mekanizmin e bashkëpunimit.

Gjithashtu ambasadori i Turqisë në Tiranë në mesazhin e tij citon:

“…Ne mbështesim hapat e guximshëm dhe të vendosur që po hedh Shqipëria për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian dhe urojmë me gjithë zemër që në përfundim të këtij procesi ta shikojmë Shqipërinë mike si një anëtare të Bashkimit Europian…

Në kuadrin e marrëdhënieve dypalëshe ekonomike dhe tregtare, në fund të vitit 2017 vëllimi tregtar midis të dy vendeve arriti në 460 milionë dollarë dhe Turqia është partneri i pestë më i madh për Shqipërinë. Siç u shpreh Presidenti ynë (Rexhep Taip Erdogan) gjatë vizitës në Shqipëri më 13 maj 2015, ne synojmë që këtë shifër në fazën e parë ta ngremë në një miliard dollarë.

Në kompanitë turke që kanë investuar në Shqipëri në sektorë me rëndësi tepër strategjike si energjetika, sistemi bankar, telekomunikacioni, logjistika, minierat, infrastruktura, ndërtimi janë të punësuar rreth 10.000 vëllezër tanë shqiptarë. Vlera aktuale e investimeve tona në Shqipëri, përfshirë infrastrukturën është rreth 2,7 miliardë dollarë. Kompanitë turke renditen ndër vendet e para midis investitorëve të drejtpërdrejtë të huaj në Shqipëri. Duke zgjeruar gamën e pranisë sonë ekonomike dhe tregtare në Shqipëri, ne synojmë të rrisim edhe kontributin tonë material për mirëqenien dhe zhvillimin e vendit, si dhe për procesin e reformave.

Ne inkurajojmë shtimin e mëtejshëm të kontakteve reciproke midis popujve tanë, të marrëdhënieve dhe veprimtarive kulturore midis universiteteve, prefekturave dhe bashkive të të dy vendeve. Ne mirëpresim me kënaqësi interesimin reciprok që tregohet në Shqipëri për gjuhën turke dhe kulturën tonë, si dhe në Turqi për gjuhën shqipe dhe kulturën shqipe.

Unë personalisht, bashkë me ekipin tim jemi të vendosur për të ngritur në maja më të larta marrëdhëniet tona dypalëshe, të cilat zhvillohen në mënyrë të përkryer në fushat politike, ekonomiko-tregtare, kulturore, ushtarake, të sigurisë dhe në të gjitha fushat e tjera, si dhe për të bërë maksimumin e mundësive tona në këtë drejtim.

Bashkë me Zyrën e Këshilltarit Tregtar, Zyrën e Atasheut Ushtarak, Zyrën e Këshilltarit për Arsimin, Zyrën e Këshilltarit për Çështjet e Fesë, TIKA-n, Institutin Junus Emre dhe Fondacionin Maarif gjithmonë do të jemi në shërbimin tuaj.

Uroj që Viti 2018 t’u sjellë më shumë mbarësi, mirëqenie, shëndet dhe qetësi vendeve tona, popujve tanë miq dhe vëllezër….”, mbaron mesazhi i Ambasadorit të Turqisë në Shqipëri, Murat Ahmet Yörük.

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit