Në Shkodër është zhvilluar ceremonia për inaugurimin e memorialit të restauruar të Hasan Riza Pashës, ku restaurimi është mundësuar nga Agjencia Turke për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA), Tiranë.
Në këtë ceremoni merrnin pjesë, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar, koordinatori i TIKA-s në Shqipëri, Eyüp Yavuz Ümütlü, nënkryetari Bashkisë së Shkodrës, Dritan Meta, prefekti i Shkodrës, Paulin Radovani, deputeti për qarkun e Shkodrës, Agron Cela, ushtarakët e nëndetëses Turke TCG I. İnönü, si dhe qytetarë të Shkodrës.
Ambasadori Bayraktar, gjatë fjalës së tij në ceremoni u shpreh se monumenti i Hasan Riza Pashës ka cilësinë e monumentit të vetëm të Turqisë për dëshmorët në Shqipëri.
“…Të gjithë jemi mbledhur këtu në ceremoninë e përurimit të përmendores së Hasan Riza Pashës. Kjo përmendore është e vetme e një dëshmori turk në Shkodër. Prania e tij është krenari për ne. Përulemi përpara të gjithë të rënëve, përfshirë këtu mbrojtësin Hasan Riza Pasha, të cilët ranë për Shkodrën. Hasan Riza Pasha bashkë me ushtarët dhe popullin e këtij qyteti mbrojti popullin e Shkodrës nga sulmuesit serbo-malazezë. Në këtë kohë, shumë vende kishin dalë nga drejtimi Osman, në këtë kontekst i janë dashur të ndëshen në shumë vende kundër armiqve….”
Ambasadori tha se ashtu sikurse Hasan Riza Pasha luftonte kundër tradhëtarëve atëherë, Turqia sot lufton kundër tradhëtarëve të organizatës terroriste FETO. Ai shtoi më tej se pret nga populli dhe autoritetet shqiptare të jenë pranë Turqisë në luftën kundër FETO-s.
“…Ne si Turqi kemi luftuar si deri dje me armiqtë që luftonin përballë Hasan Riza Pashës. Edhe sot na duhet të ndeshemi me organiztata terroriste si FETO, PKK, PYD…Të gjitha këto janë organizta terroriste, jo dashamirëse ndaj Turqisë dhe ne jemi në luftë të përhershme me ta. Më lejoni të theksoj se ne jemi në pritje që edhe autoritetet shqiptare të ndiejnë të njëtën gjë dhe të jenë pranë nesh në luftën kundër këtyre organiztave terroriste”…
Ndërsa nënkryetari i Bashkisë së Shkodrës, Dritan Meta, u shpreh në ceremoni se sot është një ditë e veçantë për Shkodrën, me inaugurimin e monumentit të restauruar të Hasan Riza Pashës.
“…Ne përkujtojmë sot një nga mbrojtësit më të shquar të qytetit që edhe sot ngjall emocion, mirënjohje dhe respekt për kontributin që dha për mbrojtjen e qytetit tonë nga pushtuesit serbo-malazezë. Hasan Riza Pasha dhe shumë figura të tjera kanë shërbyer si ura të natyrshme lidhëse mes popullit turk dhe popullit shqiptar. Sot konstatojmë me kënaqësi që bashkëpunimi ynë shtrihet në shumë fusha, si në arsim, turizëm, zhvillim ekonomik, sport, etj…”…
– Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri –