Ambasadori i Republikës së Kosovës në Turqi, Zoti Avni Spahiu të hënën ishte i ftuar në emisionin e Zërit të Turqisë në gjuhën shqipe, ku bëri një vlerësim të përgjithshëm mbi marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.
Ambasadori i Republikës së Kosovës në Turqi, Zoti Avni Spahiu të hënën bëri një vizitë në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme të Radiotelevizionit të Turqisë TRT, ku bën pjesë edhe Radio Zëri i Turqisë, e cila që nga korrikut i vitit 1981 vazhdon transmetimet radiofonike edhe në gjuhën shqipe, nga 41 gjuhë dhe dialekte që transmeton sot në radio dhe internet.
Ambasadori u prit nga Zv. Drejtori i Departamentit, Zekeriya AYDIN, Drejtori i Gjuhëve të Huaja Nevzat MEMET dhe Shefi i Redaksisë së Gjuhës Shqipe, Serdar HÜSEYNİ.
Në takim, Ambasadori Spahiu vlerësoi bashkëpunimin me redaksinë dhe punën e saj në pasqyrimin edhe të aktiviteteve që organizohen nga Ambasada e Kosovës në Turqi.
Ambasadori i Kosovës tha se në Turqi ndjehet shumë mirë dhe shërbimi i tij gjashtëvjeçar ka kaluar shumë shpejt; ka pasur një bashkëpunim të një niveli të jashtëzakonshëm me institucionet turke dhe bujaria e njohur turke e ka bërë atë që bashkë me familjen të ndjehet si në shtëpinë e tij.
Zoti Spahiu i vlerëson si 6 vite të shkëlqyera të jetës së tij kohën që ka shërbyer në kryeqytetin e Turqisë, për të cilin thotë se ka qenë gjithmonë një vend mik i Kosovës.
Ambasadori është befasuar përballë mozaikut të pasur kulturor që paraqet Turqia, gjë që e ka konstatuar gjatë vizitave që ka realizuar në provincat anembanë vendit, ku është njohur personalisht jo vetëm me thesarin e jashtëzakonshëm të kulturave të vjetra, por edhe me popullin turk me veçoritë e traditat e pasura që ka.
Në lidhje me marrëdhëniet dhe bashkëpunimin me Turqinë, Ambasadori Spahiu veçon se Turqia është ndër vendet e pakta që e ka kuptuar pozitën e Kosovësdhe të popullit të saj dhe është përpjekur ta ndihmojë vazhdimisht atë. Ai rikujton takimin në Ankara të ish-Presidentit Rugova me ish-presidentin e atëhershëm turk, Turgut Özal. Jo vetëm gjatë ditëve të para të lëvizjes për liri, Turqia ka qenë e gatshme ta ndihmojë Kosovën edhe gjatë luftës, jo vetëm si pjesë e Aleancës Perëndimore në fushatën për shpëtimin e popullit të Kosovës, por edhe duke strehuar një numër të madh të kosovarëve. Kjo mbështetje vazhdoi natyrshëm edhe pas shpalljes së Pavarësisë. Turqia ishte ndër vendet e para, pse jo edhe e para, që e ka njohur Kosovën dhe që nuk e ka kursyer mbështetjen në shtetndërtimin dhe vendosjen e institucioneve demokratike.
Spahiu: Turqinë e konsiderojmë si një ndër miqtë tanë më të mirë
Jemi të interesuar që këto marrëdhëniet të shkëlqyeshme që kemi me Turqinë ti mbajmë dhe ti zhvillojmë edhe më tutje, pasi Turqinë ne e konsiderojmë si një ndër miqtë tanë më të mirë,- u shpreh më tej Ambasadori Spahiu.
Ambasadori i Kosovës fton firmat turke të investojnë në vendin e tij
Turqia e ka ndihmuar Kosovën edhe përmes investimeve, pasi tani dihen tashmë investimet dhe prania e mbi 400 bizneseve turke në Kosovë, por Kosova shpreh dëshirën që të shikojë një prezencë më të madhe të kompanive turke në Kosovë dhe në rajon,- u shpreh Ambasadori Spahiu në lidhje me marrëdhëniet ekonomike ndërmjet dy vendeve.
Ambasadori veçoi edhe sektorët, ku Kosova mund të tërheqë më shumë investimet, siç janë ai minerar, energjisë, IT-së, agrikulturës.
Në lëmin e kulturës Zoti Spahiu foli për aktivitetin e Qendrës së Kulturës Shqiptare “Sami Frashëri”, e cila është vetëm një prej adresave të bashkëpunimit kulturor, bashkëpunim që tani ka edhe bazën ligjore pas nënshkrimit të marrëveshjes mes dy vendeve.
Intervistën me Ambasadorin Spahiu mund ta ndiqni duke klikuar këtu.