Ambasadori i Turqisë uroi Myftiun Tërnava
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, z. Tunc Angili, i cili shoqërohej nga atasheu për Çështje Fetare në Ambasadën e Turqisë, z. Bunjamin Albayrak.
Në këtë takim, ambasadori z. Angili, uroi Myftiun Tërnava për rizgjedhjen e tij edhe për një mandat në krye të institucionit të Bashkësisë Islame të Kosovës, duke i dëshiruar punë të mbarë, të suksesshme e të bereqetshme. Ai tha se një bashkëpunim i mirë i deritanishëm ndërmjet dy institucioneve duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen, për çka shprehu gatishmërinë e tij për një gjë të tillë.
Me këtë rast, Myftiu Tërnava, falënderoi ambasadorin z. Angili dhe atasheun z. Albayrak për urimet dhe për bashkëpunimin e mirë që kanë pasur deri më tani si institucione me Bashkësinë Islame të Kosovës. Ai tha se vetëm të bashkuar mund t’i çojmë proceset përpara dhe se vetëm kështu mund të kontribuojmë për të mirën e qytetarëve tanë.