6.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Ambasadori i SHBA-së në Serbi apelon për “përmirësime në tonin” e deklaratave të zyrtarëve

Më të lexuarat

Në mënyrë që të ketë përmirësime në marrëdhëniet dypalëshe midis Kosovës dhe Serbisë, Christopher Hill, bëri thirrje që të ketë “përmirësime në tonin” e deklaratave të zyrtarëve

Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, bëri thirrje që të ketë “përmirësime në tonin” e deklaratave të zyrtarëve, në mënyrë që të ketë përmirësime në marrëdhëniet dypalëshe midis Kosovës dhe Serbisë, raporton Anadolu.

Ambasadori Hill mbajti një fjalim në konferencën “Sfidat e sigurisë rajonale dhe zhvillimet në vendet e Ballkanit Perëndimor” të mbajtur në Shkup në kuadër të Qendrës Presidenciale për Edukim Politik, ku i pranishëm ishte edhe presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Christopher Hill ka qenë ambasador i SHBA-së në Shkup në vitet 1996-99 dhe njëkohësisht ka qenë edhe i dërguar special në Kosovë në vitet 1998-99, pikërisht në vitet e luftës së Kosovës.

Ai gjithashtu ka qenë zëvendës i diplomatit të lartë amerikan Richard Holbrooke në bisedimet për arritjen e Marrëveshjes së Dayton-it për arritjen e paqes në Bosnje e Hercegovinë.

Ambasadori Hill në fjalën e tij tha se Maqedonia e Veriut ka përparuar shumë që nga koha kur ai ka qenë ambasador, duke shtuar se vendi “shumë shpejt” do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian (BE).

Ai foli gjithashtu edhe për çështjet rajonale, duke theksuar nevojën për integrimin e rajonit. Hill përshëndeti pjesëmarrjen e Maqedonisë së Veriut në nismën “Ballkani i Hapur”, duke u shprehur se SHBA e mbështet këtë nismë.

Duke folur për çështjen Kosovë-Serbi, ai bëri thirrje që të ketë “përmirësime në tonin” e deklaratave të zyrtarëve, që të ketë përmirësime në marrëdhëniet dypalëshe.

“Kjo është një çështje shumë e vështirë dhe mendoj se nëse pyesni shumë serbë ‘çfarë mendoni se duhet bërë’, përgjigja është: ‘Kosova është Serbi dhe Kosova duhet t’i kthehet Serbisë’. Nuk mendoj se kjo do të funksionojë. Mendoj se kur je në një botë praktike, duhet t’i shikoni problemet nga perspektiva praktike”, tha ambasadori Hill.

Ai gjithashtu tha se shpreson të ketë përmirësime në situatën në Bosnje e Hercegovinë.

Presidenti Pendarovski në fjalën e tij përshëndeti aktivitetet e Qendrës Presidenciale për Edukim Politik dhe kryetarit të Këshillit të Programit, është Prof. Dr. Aleksandar Spasov, duke theksuar se kjo është gjenerata e tretë e të rinjve që po marrin pjesë në këto aktivitete.

“Dhe këtë vit, si dy të mëparshmit, falë profesor Spasovit, ne bëmë përpjekje dhe arritëm të sjellim, mendoj, një seri pedagogësh të shquar dhe të mirë nga sfera akademike ose nga ajo praktike, të cilët do të mund t’ju prezantojnë nga afër kategoritë kryesore politike, do t’ju flasin për tendencat aktuale politike, jo vetëm në vendin tonë, por edhe më gjerë në rajon dhe në botë”, tha Pendarovski.

Qendra Presidenciale për Edukim Politik është formuar me vendim të presidentit Stevo Pendarovski me qëllim të përforcimit të vlerave politike demokratike, promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, pluralizmit politik, tolerancës së ndërsjellë, bashkësisë dhe solidaritetit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit