Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka kujtuar 18 shkurtin e vitit 2008, ditën kur SHBA-të njohën shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.
SHBA-të e njohën Kosovën më 18 shkurt, vetëm një ditë pas shpalljes së pavarësisë.
Ambasadori amerikan kujton 18 shkurtin e 2008-së gjersa thekson se janë krenarë për mbështetjen dhe të frymëzuar nga demokracia në Kosovë.
“Këtë Ditë të vitit 2008, Shtetet e Bashkuara e njohën zyrtarisht Kosovën. 15 vjet më vonë, ne jemi krenarë për mbështetjen tonë dhe të frymëzuar nga demokracia ka arritur populli i Kosovës”, shkruan ambasadori amerikan në Twitter, të cilës ia ka bashkëngjitur një kolazh me fotografi të ngjarjeve kryesore dhe takimeve ndërmjet zyrtarëve amerikan e nga Kosova.
Ai një ditë më parë me një video drejtuar qytetarëve të Kosovës në ditën e pavarësisë tha se shteti më i ri në Evropës ka bërë hapa të mëdhenj në këto 15 vjet.
Hovenier theksoi se ka nderin të jetë pjesë e historisë së përbashkët.
“Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Kosovë! Kam pasur privilegjin dhe nderin të jem pjesë e historisë sonë të përbashkët, duke parë Kosovën duke bërë hapa të mëdhenj gjatë 15 viteve të fundit. Shtetet e Bashkuara janë krenare për mbështetjen e hershme dhe të qëndrueshme dhe për partneritetin me popullin kosovar, derisa ky vend i ri e merr vendin e saj në strukturat evropiane, euro-atlantike dhe ndërkombëtare”, ishte shprehur të premten ambasadori Hovenier.
“Kemi qenë me ju prej fillimit dhe partneriteti ynë mbetet i fortë si guri”, thotë ndër të tjera ambasadori.
Ambasadori amerikan në këtë video theksoi se gjatë këtyre viteve ka parë personalisht progresin e madh që është arritur gjatë këtyre viteve dhe kjo sipas tij është rezultat i punës dhe përkushtimit të popullit të Kosovës për të çuar para sovranitetin, pavarësinë dhe demokracinë e vendit të tyre. /Telegrafi/