Të enjten më 02 Nëntor 2023, Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të RMV, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, në selinë e Rijasetit të BFI e priti Shefin e zyrës politike në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. David Myers i shoqëruar nga Këshilltari politik pranë kësaj Ambasade, z. Adrian Ismaili.
Fillimisht, Kryetari i BFI i falënderoi për vizitën mysafirët nga Ambasada e SHBA-ve dhe u foli për rëndësinë e vlerën e madhe që ka miqësia mes BFI dhe SHBA-ve, sidomos në kohë të vështira, duke kujtuar ngjarjet në Veri të Kosovës, në Ukrainë e së fundmi në Gazë. Reisul Ulemaja ritheksoi se paqa është prioritet i gjithë njerëzimit dhe se palët së bashku me faktorin ndërkombëtar duhet të angazhohen që sa më parë të gjendjet një zgjidhje paqësore e cila do ta ndalonte gjakderdhjen.
Për sa i përket angazhimeve në vendin tonë, Kreu i BFI, ritheksoi qëndrimin e Bashkësisë Fetare Islame se institucioni të cilin ai e drejton është i vendosur dhe i përkushtuar maksimalisht që të ndikojë në ngritjen e vetëdijes së besimtarëve se rruga të cilën duhet ta ndjekim si shoqëri, është ajo drejt Bashkimit Evropian, duke frymëzuar kështu edhe politikanët që përfaqësojnë këtë popullatë, që të japin maksimumin e mundur në këtë drejtim.
Nga ana e tij, z. David Myers vlerësoi lartë angazhimin e Reisul Ulemasë për sa i përket dialogut ndërfetar dhe kontributit të tij në drejtim të paqes dhe bashkëjetesës në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ai gjithashtu lavdëroi edhe përkrahjen e parezervë që Kryetari i BFI H. Hfz. Shaqir ef. Fetai i jep politikave progresiste që janë në favor të rrugëtimit të vendit tonë drejt Bashkimit Evropian.
Në këtë takim Reisul Ulemanë e shoqëronin: Sekretari i Përgjithshëm i BFI H. Irsal ef. Jakupi, Shefi i Kabinetit Dr. Abdulqerim ef. Iseini, Drejtori i informacionit dhe publikimeve z. Fidush Ibrahimi dhe Drejtori i Sektorit për marrëdhënie me publikun z. Agron Vojnika.