Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i është përgjigjur deklaratës së Ambasadës së SHBA-së në Bosnjë dhe Hercegovinë, e cila tha se konkluzionet e miratuara në “kuvendin gjithëserb” në Beograd paraqesin sulm ndaj Dejtonit, duke e pyetur ambasadën se ku shkruhet në atë marrëveshje se prona i takon shtetit dhe jo entiteteve.
Vuçiq thotë se me Marrëveshjen e Dejtonit janë rregulluar kompetencat e autoriteteve qendrore dhe të entiteteve.
“Pyetja ime e parë për ta është se si, ku dhe që kur shkruan diku se prona është e autoriteteve qendrore dhe jo e entiteteve. Neni 3.3 i Kushtetutës së Bosnje dhe Hercegovinës, aneksi katër i Marrëveshjes së Dejtonit, përcakton se të gjitha funksionet shtetërore të autoritetit që nuk u janë caktuar shprehimisht institucioneve të Bosnje dhe Hercegovinës u përkasin entiteteve”, tha Vuçiq në një video në Instagram e tij, të adresuar, siç shkruan ai, për “aleatët amerikanë”.
Kështu ai iu përgjigj njoftimit të djeshëm të Ambasadës së SHBA-së në Bosnje dhe Hercegovinë, ku thuhet se “deklaratat publike të zyrtarëve të Republikës Srpska, veçanërisht të presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik” për konkluzionet dhe planet për ndarjen e Republikës Srpska nga Bosnja e Hercegovina përfaqëson “një sulm ndaj Dejtonit dhe ndaj integritetit territorial, sovranitetit dhe karakterit multietnik të Bosnjës e Hercegovinës, transmeton Telegrafi.
Ambasada amerikane vuri në dukje se Marrëveshja e Paqes e Dejtonit dhe Kushtetuta e Bosnjës e Hercegovinës shprehimisht thonë se Bosnje e Hercegovina është shteti pasardhës i Republikës së Bosnjes e Hercegovinës me strukturën e saj të brendshme, të modifikuar, në mënyrë që të përbëhet nga dy entitete.
“Prandaj ju lus partnerë të nderuar nga Ambasada Amerikane të më jepni një përgjigje konkrete se si keni ardhur në konkludim dhe mbi bazën e cilit akt dhe çfarë akti se prona është e autoriteteve qendrore dhe jo e entiteteve, siç shkruhet qartë në Marrëveshjen e Dejtonit, dhe pse ndër të tjera keni marrë pjesë në shkaktimin e krizës në territorin e Bosnjes e Hercegovinës. Në të njëjtën kohë, pres që të më përgjigjeni, siç e keni thënë në disa raste, se kjo ka të bëjë me marrëveshjen për trashëgimi të vitit 2001, e cila ka hyrë në fuqi në vitin 2004”, tha ai.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese së Bosnje e Hercegovinës, prona shtetërore paraqet sende të luajtshme dhe të paluajtshme që shërbejnë për ushtrimin e pushtetit dhe mund të përfshijë edhe të mira publike (lumenj, male, pasuri natyrore, infrastrukturë komunikacioni etj.)
Pronat shtetërore në Bosnje e Hercegovinë nuk kanë qenë në dispozicion prej vitit 2005, kur përfaqësuesi i lartë i atëhershëm në Bosnje e Hercegovinë, Paddy Ashdown, vendosi Ligjin për mos lënien në dispozicion përkohësisht të pronës shtetërore.
Ai është në fuqi derisa Asambleja Parlamentare e Bosnje e Hercegovinës të miratojë një vendim të ri për vënien në dispozicion të pronës në nivel shtetëror.
“Kuvendi gjithëserb” u mbajt më 8 qershor në Beograd, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Qeverisë së Serbisë dhe të entitetit serb, Republika Srpska.
Ai u organizua nën sloganin “Një popull, një kuvend – Serbia dhe Srpska” dhe prodhoi të ashtuquajturën Deklaratë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të ardhmërisë së përbashkët të popullit serb. /Telegrafi/