1.3 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Altruizmi kinez – Ervin Hatibi

Më të lexuarat

Altruizmi kinez

Ervin Hatibi

Tregojnë në libra të vjetër se një ditë, rreth një mijë vjet më parë, dikush shkoi t’i kërkonte të urtit Xhunejd sekretin e lartësimit mbi veten, për t’u afruar ashtu me Zotin. Përgjigjja i erdhi pak e mërzitshme kërkuesit: duhej agjëruar gjatë, duhej ngritur për natë për lutje, duhej larguar nga çka Zoti ka bërë të ndaluar, e si këto. Kështu përherë, e gjithmonë, e gjer në fund, me shpresë se dikur vetja do të zbutet, do ta nxjerrë kokën nga thesi ku rrëmon me ngulm, për të dalë në dritën e Zotit, përherë e më shumë, gjer në plotësim. Rrugën e gjatë e dija edhe pa ardhur të pyes të diturit, kishte thënë pyetësi; kujtova mos ata njohin ndonjë sekret për më shkurt e shpejt. Puna për ta përkulur unin dhe fituar veten në rrugë të Zotit është e gjatë e do durim, tregojnë se tha i urti Xhunejd, po për kë do më shkurt, ka edhe shpejt. Vetëm se nuk është e lehtë. Fillimisht shko e rruaj mustaqet, kishte thënë, pastaj flokët – dhe këtu ia vlen një ndalesë e vogël: sipas etikës së mirënjohur për kohën, mustaqet që zbresin e fshehin gojën vështroheshin si mëkat, ndaj rruajtja e tyre qe shenjë zelli; deri diku, dhe rruajtja e kokës, si pas haxhit në Mekë, nuk ishte ndonjë pamje e habitshme. Problemi është se Xhunejdi i rrëfenjës e zbret tehun e këshillës deri tej pikës së vetëvrasjes sociale. Shko rruaj mustaqet dhe kokën, dhe mjekrën, dhe vetullat! Pastaj shko e merr një thes me arra e ulu në një nga portat e Bagdadit, e thërrit me zë të qartë: kujt më pështyn në fytyrë, i fal një kokërr arrë! Kujt më pështyn në fytyrë, i fal një kokërr arrë! Gjersa të zbrazet thesi.

Çka duket se thurte qartë pëlhurën sociale të kohës, në një pjesë të madhe të botës, mund të thuhet se qenë pikërisht qimet e kokës: gratë përgjithësisht i fshihnin, burrat përgjithësisht i shfaqnin, duke shfokusuar po ashtu fytyrën, për të formuar, si njëra gjini, dhe tjetra, dy portrete kolektive të sakta, mbi polaritetin e të cilave mbështetej gjithë rendi moral. Dhe për të shpjeguar mbizotërimin e mjekrës në epokë, jo thjesht në mjedise të ngushta përkushtimi fetar, mjafton të kujtojmë atë pasazhin e njohur nga vepra e Marko Polos mbi një përbetim ksenofob të kinezëve, që kishin vendosur të vrisnin çdo njeri me mjekër nëpër qytete, të sigurt se kështu preknin vetëm mëkëmbësit e urryer të Khanit – “meqë mjekra mbajnë veç tartarët, saraçenët e të krishterët”, në një dallim më shumë antropologjik se “racial”. Akoma më e rëndë si tabu duket prekja e vetullave, dhe nuk ka shumë dyshim se anekdota thjesht i mvesh autoritetit të një mistiku të njohur, si Xhunejdi, frymëzimin për sjellje historikisht më të vona, anarkiste, të rrymave ekzoterike, grupuar më së shumti nën emrin e kalanderëve. Termi nuk ka qenë i huaj në shqipe dhe fjalori më popullor online e bart që nga viti 1980 shpjegimin e tij, si “Dervish që mbahej sikur kishte hequr dorë nga kënaqësitë e epshit e të gjakut dhe që rronte thjesht e në kushte të vështira, duke u endur andej-këtej.” (Kuptimi i dytë, po aty: “Njeri i varfër, lypës.”)

Me kalanderët dhe pasuesit e tyre bëhet fjalë për një formë alternative fetarie të dendësuar si dukuri jo më vonë se shekulli i trembëdhjetë midis Sirisë e Egjiptit, rreth personazhesh karizmatikë të kulturës perse, me pretendimin për refuzim të kësaj bote përmes refuzimit të shoqërisë, çka demonstrohej bujshëm me veshje provokative a lakuriqësi, rruajtje të plotë të trupit, fytyrës e kokës, përdorim halucinogjenësh, ushqim me thërrime e barishte, mospranim të familjes, pasurisë e çdo lloji pune, shtegtim të përhershëm a stinor, strehim në varreza. E të tjera si këto, bazuar në lexime metaforike të Kuranit, përhapur me kalanderët më vonë gjer në Ballkan e Indi. Rruajtja katërfish (e mjekrës, pra, mustaqeve, flokëve e vetullave – ndonjëherë dhe qerpikëve), stilizuar në persisht si “katër goditjet”, i mvishet në fillesë njërit prej mjeshtërve të parë kalanderë, herë si stratagjemë shëmtimi vullnetar për t’u shpëtuar përndjekjeve erotike të një zonje të guximshme, herë si ndërhyrje e mbinatyrshme, që ia zhvesh fytyrën e kokën fill pas lutjes, për t’u çliruar nga pesha e të dy jetëve e “të vdesë para se të vdesë” – si thotë një hadith i mirënjohur në rrethet e mistikëve. Një trajtesë anonime, po persisht, shkruar mes shekujve XVI-XVIII, shpjegon:

Shpesh e pyesin udhëtarin: Cili është kuptimi i katër goditjeve? Thuaj: Kuptimi i rruajtjes së mjekrës është të mos i përulemi asgjëje tjetër veç së Vërtetës [ose Realitetit – el-Hak – Zotit] e t’i lëmë mënjanë stolitë e kësaj bote. Dhe kuptimi i rruajtjes së mustaqeve është të mos i shpiem buzët te gënjeshtra, përfolja, shpifja a shqetësimi i njerëzve. Kuptimi i rruajtjes së kokës është të shpallim e vendosim veten në stacionin e mosqenies. Dhe kuptimi i rruajtjes së vetullave është të kapërcejmë dualitetin, dhe ta shohim e njohim gjithçka si një.

Procedurë disiplinimi, shëmtimi, kthimi në foshnjëri, braktisje e respektueshmërisë përmes kundërshtimit të normave kulturore e fetare, qëllimi me “katër goditjet” në fytyrën e shoqërisë qe mbërritur me sukses: traktatet dhe kronikat e kohës – jo thjesht nga vendasit, po edhe nga udhëtarët a dijetarët e huaj – janë të mbushura përgjithësisht me urrejtje dhe përçmim e akuza shpesh të pabesueshme ndaj kalanderëve, në çdo emërtim që shfaqen gjatë dekadave në shkrime, herë lakuriq vetëm me disa gjethe përmbi, me vathë të hekurt apo copëra gurësh ngulur në veshë, me lëkura egërsirash dhe brirë drerësh, tek ushqehen me hardhuca apo hashish, duke rrahur daulle a fryrë në bori.

Por çka intrigon këtu më shumë është projekti, skica e përshpejtimit të ngadhënjimit mbi egon, që shkrues të mëvonshëm i atribuuan Imam Xhunejdit të Bagdadit. Kujt më pështyn në fytyrë, i fal një kokërr arrë! Përfytyro mes hareje e sharjesh pështyma fëmijësh, lypësish, të marrësh, rrugaçësh e cinikësh, arrë pas arre, tek portat me diell të qytetit, dora zhytet në thesin që gumëzhin si turma në shesh prej kokrrave që rënkojnë mbi njëra-tjetrën, të vyera. Nuk bëhet fjalë më për të kthyer thjesht faqen tjetër, gjithë koka me përgjakje të freskëta brisku është faqe kudo, hapur për goditje, rrumbull si çdo kokërr arrë me të cilën shpërblehen pështymat. Jo, thjesht t’i falësh poshtëruesit, t’u falësh dhe nga një frutë të fortë si një kafkë, dikur mbështjellë butë me një mish të hidhur, të gjelbër. Të paduruarit mund të thyejnë dhëmbët, duke u përpjekur t’ia thyejnë lëvozhgën. Të pakujdesshmit, ende duke u gajasur, me sytë nga viktima që shpërndan arra (vetëm pema me kokrra goditet), mund të godasin gabim e të thyejnë ndonjë gisht, mund ta shkërmoqin frutën madje fare nën peshën e gurit, t’ia përziejnë thelbin me lëvozhgën. Disa do të mendojnë se nuk ia vlejti ta pështyjnë të marrin e gjorë për këtë çmim, dikush pikërisht prej kësaj sulmon për së dyti. Hurmat, përveçse mall më i lirë, do të kishin qenë më praktike si dhuratë publike, do të kishin prodhuar një publik më uniform, një konsum të menjëhershëm, event më të shpejtë. Po depërtimi i mundimshëm në arrë krijon xhepa kohe meditative, agjërime të vogla para të ngrënit, pendime, ndëshkime, përvoja, parabola; arra vetiu e përçan turmën pikërisht prej vonesës me të cilën jepet, të cilën gjithkush e mbush ndryshe, pikërisht prej rezistencës së koracës ndaj egos, sado të vogla i qofshin sekondat. Plus që çdo arrë do zemër për ta vrarë, pas një, dy, tre o katër goditjesh.

Thirrja për të marrë një arrë si shpërblim për të keqen nuk ka mbledhur rreth të marrit njerëzit më të mirë a më të rritur, por thyerja e arrës do t’i rrisë sado pakëz, thyerja aksidentale e dhëmbëve ose e gishtave do t’u kujtojë shpagimin e së keqes, e kjo do t’i rrisë edhe më shumë. Të bërit mirë edhe atij që të bën keq, të bërit mirë duke goditur katër herë veten në fytyrë me shëmtim e shkatërrim të paktit me shoqërinë, duke prishur kështu bashkë me portretin gjithë aparatin që vjel simpati, solidaritet e lavdi, pra varësi prej njerëzisë. Por gjithsesi, siç shënohet ndonjëherë në fund të filmit, asnjë arrë nuk u thye vërtet për realizimin e këtij shkrimi, anekdota përfundon pa u eksperimentuar dot skenari as në dyert e Bagdadit a tjetërkund. Njeriu u tremb para rrugës së shkurtër po aq sa para rrugës së gjatë drejt ngadhënjimit mbi veten dhe u tërhoq nga anekdota, duke lënë vetëm aty Imam Xhunejdin, sigurisht fiksional, ose ndoshta një tjetër mistik të njohur bagdadas me origjinë perse – pse jo Bajazit Bistami? Kujtesa sillet rrotull si flutur nate mbi dritën në shuarje të një libri të rrallë, shfletuar njëzet e ca vite më parë, vetëm pak dhjetëra kilometra larg vendit të asaj që s’ndodhi.

Gjithsesi, edhe rruga e gjatë nënkupton, po ashtu, katër goditjet e veta, jomateriale, si në parabolën e njohur të Imam Gazaliut, rimarrë më pas shekuj me radhë nga poetë e piktorë e teoricienë, së cilës mund t’i referohet lehtë kushdo në kryeveprën e tij.

Një ngjarje tregohet se dikur kinezët e romakët [bizantinë] u matën me njëri-tjetrin para një mbreti për sa i përket mjeshtërisë më të lartë në vizatim e pikturë. Kështu mbreti vendosi t’u jepte një dhomë, në mënyrë që kinezët të mundnin ta pikturonin njërin mur të saj e romakët tjetrin, dhe një perde të varej mes tyre, që të parandalonte asisoj secilin grup të vëzhgonte tjetrin. Sapo të mbaronin, do të hiqej perdja, do të gjykoheshin të dyja palët dhe do të dilte fituesi. Romakët mblodhën e sollën ngjyra të panumërta e të rralla, por kinezët erdhën pa asnjë pikë ngjyre me vete dhe thjesht filluan ta lëmojnë e lustrojnë anën e tyre të dhomës. Kur romakët përfunduan punë, kinezët pretenduan se punë kishin përfunduar edhe ata. Mbreti u habit nga deklarata e tyre dhe mënyra se si e kishin përfunduar pikturën pa përdorur ngjyrë fare. Kështu ata u pyetën: ‘Si e përfunduat vallë pikturën pa asnjë ngjyrë?’. U përgjigjën: ‘Nuk jeni ju përgjegjës për ne; hiqni perden’. Perden e ngritën dhe, ja, ana e kinezëve shihej e shndritshme e plot ngjyra, krejt të njëjta me anën e romakëve, sepse në pastërtinë dhe qartësinë e vet, ajo funksiononte si një pasqyrë. Ana e kinezëve shkëlqente përmes më shumë qartësie; në të shfaqej ajo që kishin provuar të bënin edhe romakët.

Cilindo cep gjeografik të dhomës të kishin prekur kinezët, prej aty ndriçonte, meqë ashtu thotë dhe fjala: “ex oriente lux”, drita prej lindjes.

Sipas autorit (edhe ky pers), piktorët romakë përfaqësojnë rrugën e filozofëve dhe të dijetarëve, të cilët e kuptojnë Zotin duke përbrendësuar format që ofrojnë dijet, teksa sufinjtë e perceptojnë Zotin përmes manifestimit të shkëlqimit të Tij mbi zemrat e tyre të pastruara “nga njollat e ndryshkut të pasioneve e veseve”, ku pasqyrohet pastaj njohja e vërtetë. Aspirata për vetëfshirje e “orientalit” – qoftë kjo pas qiellores, natyrës, traditës apo kolektivit – e cila duket si konstrukt i një epoke më të vonë skematizmash, nxjerr pafajësisht kokë në këtë parabolë mijëvjeçare, duke pasur përballë po atë antipod të individualizmit, inovacionit prometean perëndimor.

Ose, thënë me gjuhën e kalanderëve, kinezët thjesht kishin përdorur brisk në vend të penelit: në fytyrat e tyre të lëmuara ironike tashmë pasqyroheshin mjekra të famshme piktorësh bizantinë.

Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit