Altruizmi dhe egoizmi në historinë shqiptare
Dorian Koçi
Në një editorial të vitit 1909 në gazetën Lirija të Selanikut, intelektuali i njohur i botës shqiptare, Mid’hat Frashëri, shkruante “…një komb është një familje madhe që ka nevojë për të gjithë të mirat e së voglës: shkuarja e mirë, harmonia, bashkëpunimi këtu janë shumë më të nevojshme se te familja. Për lumturinë e një kombi duhet që njeriu të ketë këtë virtyt, që në frëngjisht i thonë altruizëm. Altruizmi është vetia fare kundër egoizmit: egoizmi na urdhëron që të mundohemi vetëm për veten tonë, të bëjm’ atë që na do qejfi, t’i bëjmë dëm tjetrit për të mirën tonë. Po altruizmi na këshillon që më parë të mendojmë tjetrin, të shikojmë të mirën e tij, të ruajmë të drejtat e shokut tonë, me një fjalë, altruizmi na thotë që çdo punë ta gjykojmë pas interesit të përgjithshëm dhe jo vetëm pas interesit tonë. Altruizmi është ajo lëndë, mund të themi, që lidh njerëzit e një kombi, gëlqerja që lidh gurët e një muri.” Ky editorial i shkruar vetëm më pak se një vit pas Revolucionit Xhonturk dhe disa muaj pas Kongresit të Manastirit – provës gjenerale të shqiptarëve për të qenë të lirë e të pavarur – ndriçonte dy veti të shpirtit shqiptar që, ashtu si filozofia e të kundërtave, kishin shenjuar edhe veprimet e udhëheqësve të tij politikë përgjatë historisë së mesme e të re. Lumo Skëndo, në përçapjen e tij intelektuale, vërente se nëse për egoizmin mund të sillte shembuj pa fund të sjelljes politike të shqiptarëve, për altruizmin e ndiente se për shqiptarët ishte një koncept i huaj. “Altruizmi! – shkruante në të njëjtin editorial Mid’hat Frashëri, – Ah, është një fjalë e panjohur për ne shqiptarët. Sa është larg nesh altruizmi, kjo ndjenjë, ky virtyt! Armiqësi e përjetshme e shqiptarëve, fisi me fisin, fshati me fshatin, vëllai me vëllanë, është një prov’e mjaftë, që altruizmit në vendin tonë as emri s’i është dëgjuar!
Editoriali në fakt i referohej sjelljes sociale brenda etnisë së shqiptarëve, brenda çatisë së Perandorisë Osmane ku shqiptarët mendonin se pas Revolucionit Xhonturk dhe statusquo-së që Fuqitë e Mëdha Evropiane, Perandoria Austro-Hungareze dhe Perandoria Britanike garantonin për Gadishullin Ballkanik, do të fillonin të shijonin frytet e barazisë konstitucionale. Marsi i vitit 1909 ishte herët që shqiptarët t’i kallnin flakën Perandorisë Osmane, pasi shpresat ishin vërtet të mëdha. Shkolla shqipe, klube shqiptare të shtrira në të gjitha hapësirat shqiptare, deputetë shqiptarë në Parlamentin Osman ishin fitore jo të vogla që shqiptarët s’i kishin pasur kurrë gjatë sundimit të Abdyl Hamitit-Sulltanit të Kuq. Ndërkohë në kancelaritë e vendeve të pavarura ballkanike dhe në Shën Petersburg po përgatiteshin aleancat dhe planet për mësymjen e përgjithshme ndaj osmanëve për ta zgjidhur njëherë e mirë “nyjën gordiane” të çështjes lindore me anë të luftës. Mes shpërthimit të Luftës së Parë Ballkanike dhe tërheqjes së Perandorisë Osmane nga Ballkani lindi shteti shqiptar. Shteti kombëtar shqiptar u krijua pas rrënimit dhe tërheqjes së otomanëve nga Ballkani dhe kufijtë e tij do të përcaktoheshin në një konflikt të hapur me fqinjët e vet që dëshironin të zbatonin parimin e plaçkës së luftës. Kjo lakmi e fqinjëve për të përfituar sa më shumë territore edhe pa e respektuar fare parimin etnik në terren po dëmtonte shumë popullsinë shqiptare që në vigjilje të krijimit të shtetit të vet kombëtar i duhej që një pjesë e konsiderueshme e popullsisë së saj të mos përqendrohej rreth bërthamës së vet etnike, por t’i nënshtrohej autoritetit të shtetit kombëtar të popujve fqinjë. Sigurisht që parimi etnik nuk ishte respektuar tërësisht dhe në caktimin e kufijve të shteteve kombëtare ballkanike, por në ndryshim nga Shqipëria që po krijohej, popullsitë dhe territoret e këtyre vendeve kishin mbetur nën dominimin osman, çka linte një shpresë që në të ardhmen diçka mund të arrihej në kuadër të shpërbërjes së Perandorisë Otomane. Në rastin e Shqipërisë caktimi i kufijve të saj merrte një rëndësi të veçantë jo vetëm për të qenë leben fahig-viable (për të përdorur një term që përdori dhe diplomacia austro-hungareze), por edhe për të arritur dhe për të përfshirë, në bazë të kriterit etnik, pjesën më të madhe të popullsisë dhe etnike shqiptare, pasi lënia e tyre nën administrimin e shteteve kombëtare fqinje nuk linte asnjë shpresë se në të ardhmen mund të kishte ndonjë rivendikim kufijsh. Për rreth pothuajse një shekull ringjalljeje të etnisë shqiptare për të krijuar shtet modern shqiptar, elita e tyre kombëtariste ishte ballafaquar me vetëpërpjekjen dhe bashkëpunimin me të tjerët për të zgjidhur problemet mbi territorin dhe hapësirën gjeografike që administronte. Pashallëqet e mëdha shqiptare u kishin dhënë mundësi elitave shqiptare të kontrollonin Adriatikun, Jonin, si dhe një pjesë të Egjeut dhe luginën e Vardarit, pozicionet më strategjike të Ballkanit, ndaj në vigjilje të tronditjes së pushtetit otoman në Ballkan nga revolta serbe (1815) dhe revolucioni grek (1821), elitat serbe dhe elitat greke u përpoqën të bashkëpunonin me elitën shqiptare të pashallëqeve. Siç është një fakt i njohur historik, shpërthimi i rebelimit të Ali Pashë Tepelenës në Epir rriti shanset për triumfin e Revolucionit Grek. Revolucioni Grek dhe lufta për pavarësi 1821-1832 do të shërbenin edhe si lakmues identitar për popullsitë e Epirit, ku suliotët do të përqafonin identitetin kulturor helen. Për më tepër, të vonuar do të ishin në këtë drejtim dhe klasa drejtuese e ajanëve myslimanë shqiptarë ku bënte pjesë dhe Ali Pasha Tepelena që shpeshherë në aksionet e tyre politike do të ishin transmetues solidariteti të ummas islamike në territoret shqiptare duke krijuar konflikte të panevojshme me bashkësitë ortodokse shqiptare, si Suli dhe Himara. Në një shoqëri shumëkombëshe, siç ishte ajo e Perandorisë Osmane, jeta e nënshtetasve të saj, ç’është e vërteta, ishte organizuar rreth besimit të cilit ata i përkisnin: domethënë vija ndarëse ndërmjet të qeverisurve dhe qeverisësve – ose, thënë më shkoqur, popullsisë hegjemone – ishte religjioni dhe jo kombësia, ku padyshim, ashtu si në të gjithë perandorinë, myslimanët përftonin një pozicion të privilegjuar, gjë që në rastin e Shqipërisë qe shndërruar e kishte përbërë një pengesë objektive për të arritur bashkimin kombëtar të myslimanëve me të krishterët, qofshin ata ortodoksë apo katolikë.” Në këtë rast tipari altruist i disa prijësve etnikë shqiptarë, të krishterë apo myslimanë, u shfrytëzua në maksimum nga elita kombëtariste greke, pasi duke rrënuar pushtetin otoman pa asnjë garanci politike për mbijetesën e tyre etnike ata u gjendën në zemër të rrebeshit të asimilimit në shtetin e ri kombëtar grek. Rezultati ishte katastrofal për popullsinë etnike shqipfolëse në Greqi. Si të krishterë ortodoksë që ishin, duke qenë se ortodoksia ishte në themel të identitetit helen modern që po lindte, shumë prej arvanitasve kishin marrë pjesë në luftën për çlirim, disa prej tyre madje u bënë dhe udhëheqës të saj. Njëlloj si në shekujt e mëparshëm, helenizmi ndihmohej nga përzierja dhe moskompaktësia e disa popullsive, si dhe nga procesi i urbanizimit. Mungesa e një tradite letrare vepronte po kështu në këtë drejtim. Rrjeti i arsimimit greqisht që po zhvillohej ishte, së bashku me Kishën, një motor i fuqishëm i greqizimit, veçanërisht kur u shtuan përpjekjet për të shkolluar dhe vajzat. Por, ajo që ndihmoi në fshirjen e gjuhës shqipe ishte dhe zhvlerësimi i saj social, të paktën në hapësirën publike: të flisje shqip do të thoshte t’i përkisje shtresës më të ulët të shoqërisë neohelenike, domethënë të ishe fshatar ose marinar, kurse të flisje greqisht kishte kuptimin e të qenit një “helen i vërtetë”.
Tetëdhjetë vjet më vonë, në prag të shpërthimit të Luftës së Parë Ballkanike, shtetet ballkanike, kryesisht Serbia, dolën me parullën “Ballkani i ballkanasve” duke dashur të eliminonin çdo ndërhyrje të Fuqive të Mëdha dhe të rikonfirmonin hegjemoninë e tyre. Për fat të keq, një pjesë e rëndësishme e krerëve të popullit shqiptar, përfshirë Isa Boletini, Mehmet Pashë Dëralla, Esat Pashë Janina, Hasan Tahsin Pasha (Masareja), ranë dakord të bashkëpunonin në veprime të përbashkëta ushtarake me forcat serbe e greke duke përshpejtuar disfatën e forcave osmane. Historiografia shqiptare nuk e ka analizuar qartë këtë problem, duke mbajtur qëndrim njësues si të gjitha historiografitë zyrtare të vendeve ballkanike, ku rëndësi kishte dëbimi i osmanëve nga Ballkani dhe jo pasojat. Pas përfundimit të Luftërave Ballkanike kufijtë e përcaktuar në Konferencën e Londrës kishin lënë jashtë më shumë se gjysmën e territoreve shqiptare dhe shqiptarët nuk zotëronin më të njëjtin pozicion strategjik në konfigurimin e shteteve të reja në Ballkan. Parë në këtë këndvështrim, analiza dekonstruktive e bilancit të forcave në Ballkan përforcohet kur shikon sesi këto ushtri të dobëta turke që ishin shpartalluar aq lehtë në luftërat ballkanike nga ushtritë e vogla ballkanike, dy vjet më vonë mbrojtën heroikisht Galipolin në gadishullin e Azisë së Vogël nga sulmet e ushtrive moderne anglo-franceze, të përforcuara dhe me elementë shqiptarë. Nga gjiri i kësaj elite fisnike ushtarake kishin dalë ushtarët më të mirë e trima osmanë. Gjatë shekujve të mëparshëm popullsia shqiptare në përgjithësi kishte qenë një element force në perandori. Këtë dobësim të pozicionit dhe të kontrollit strategjik elita shqiptare e kuptoi shumë lehtë kur pa se më 26 prill 1915 u kthye në një plaçkë tregu në Traktatin e Fshehtë të Londrës. Karakteri altruist në rrëzimin pa kushte të Perandorisë Osmane disa vjet më vonë nxori në pah karakterin egoist të elitës shqiptare që në Luftën e Vlorës më 1920 dhe përkundrejt gjithë parashikimeve, nxori fitimtare elitën shqiptare komëtariste të edukuar në Perandorinë Osmane dhe të trajnuar në oborrin perandorak të Vjenës. 102 vjet më parë sovraniteti dhe liria kombëtare e shtetit të pavarur shqiptar u siguruan me anë të triumfit të Luftës së Vlorës, epopesë moderne të bashkimit të forcave shqiptare të diplomacisë, artit ushtarak dhe heroizmit të tribunëve popullorë. Lufta e Vlorës ishte një luftë me një karakter kombëtar ku u përfshinë strukturat e shtetit shqiptar, nëpërmjet Prefekturës së Beratit që mbulonte administrativisht edhe hiterlandin e Vlorës që mbahej ende e pushtuar nga italianët, organizimit të forcave vullnetare dhe mbështetjes diplomatike. Si një luftë e tillë u perceptua dhe në opinionin publik shqiptar të kohës dhe jehonën që pati në shtyp. At Shtjefën Gjeçovi do të shprehej në gazetën Mbrojtja Kombëtare për këtë ngjarje se: “Në luftë të Vlonës luftoj besa e trimnija kundra fuqijet e dijet… Filluen luftën të pështetun në shpresë të ndihmës së Perëndisë e të bashkimit vëllazëror, e patën sosë a me mbetë të gjithë në lam të luftës ose me shpërthye dyert e hekurta e ledhet e çelikta të armiqve… Hytë ngathnjyes në Vlonë në atë Vlonë kreshnike e cila kurdoherë e ka pas dëftye veten se ndër deje i vlon gjaku fjesht shqiptar” .
Për fat të keq pësimet e së shkuarës nuk u bënë mësime kur qielli i Evropës u trazua sërish nga retë e Luftës së Dytë Botërore. Internacionalizmi i komunistëve shqiptarë nuk bëri të mundur që të mobilizonte të gjitha forcat e kombit shqiptar këndej e andej kufirit për të realizuar kompaktësinë etnike dhe siguruar një vazhdimësi të Shqipërisë që apostulli i shqiptarizmit, Naim Frashëri, në 1886 i kishte kënduar tek Bagëti e Bujqësia:
…Dellëndyshe bukuroshe, që thua mijëra fjalë,
Dhe të k’ënda vahn’ e lumën, që vjen me vrap e me valë,
A mos vjen nga Shqipëria? Eni vjen pej Çamërie
Me këto milëra fjalë e me gluhë perëndie?
Apo vjen nga Labëria, pra më duke kaqë trime,
Edhe fjalëtë që thua më gëzojnë zëmrën time,
Q’është thier, bërë posi një pasqirë,
Duke këputur nga cmagu, që s’e kanë vartur mirë,
Apo vjen nga fush’e Korçës, nga vënd’i mir’ e i gjerë,
Pej zembrësë Shqipërisë, që del gjithë bot’ e ndjerë?
A më vjen pej Malësie, pej Skrapari, pej Dobreje,
Nga Vijosa, nga Devolli, pej Vlor’ e pej Myzeqeje?
Të munjam të fluturonja e të kishnjam krahë si ti,
Me gas të math do t’i vinjam Shqipërisë brënda në gji!
Për me marrë drejt Shkumbinë edh’ Elbasan’ e Tiranën,
E me ardh ke ti, o Shkodrë, të shof Drinin e Bujanën,
Kostur, Përlep, Fëllërinë, Dibrë, Ipek e Jakovën,
Mat’ e Ysqyp e Prështinë dhe Mirëdit’ e Tetovën;
Krojënë e Skënderbegut, q’i ka pas dhan ner Shqypnisë,
Tue bam me trimni luftë, e m’e munt mren e Tyrqisë.
Durrës, o qytet i bukur, që je kërthiz’ e mëmëdheut!
Edhe ti Leshi me emrë, që ke eshtrat e Skënderbeut!
Burrat tuaj aqë trima do ta lenë vall’ Ylqinë
Edhe gjithë shqipëtarët ta mbanjë armiku ynë?
Nukë më ngjan e s’e besonj, kam te zoti shumë shpresë,
Shqipëria këtej-tutje kshu po nukë do të mbesë.
Altruizëm apo egoizëm në marrjen e vendimeve kryesore për rrugëtimin drejt mirëqenies dhe përparimit kombëtar? Marrëdhëniet mes njërës rrymë mendimi e tjetrës duhet ta braktisin modelin faustian të paktit me Mefistofelin për të fituar rininë, por të fillojnë një reformim të vetë jetës kombëtare të shqiptarëve, ku vlerat demokratike perëndimore dhe prognozat e sakta të përfitimit dhe humbjeve duhet të zënë vend në ligjërimin publik, politik, ekonomik e shoqëror në Shqipëri. Nëse pragmatizmi politik shpeshherë, për shkak të kompleksitetit të tij, krahasohet si det i madh ku derdhen të gjitha pasionet politike, ekonomike e kulturore, ka ardhur koha që notarët profesionistë të mësojnë dhe zhytjen, sepse problemet gjenden shumë thellë brenda shpirtit kombëtar dhe pastaj të fillojnë të notojnë sërish në sipërfaqe për të siguruar më të mirën për interesin kombëtar.
Burimet:
1- At Shtjefën Gjeçovi. Gazeta “Mbrojtja Kombëtare”. 1921.
2- Charles & Barbara Jelavich. Themelimi i shteteve kombëtare të Ballkanit, 1804-1920. Dituria. Tiranë, 2004.
3- Dorian Koçi. Pikëtakime historike, kulturore, identitare. Bota Shqiptare, Tiranë, 2016.
4- Ferdinant Salleo. Shqipëria: gjashtë muaj mbretëri. Tiranë. Shtëpia e Librit dhe Komunikimit, 2000.
5- Lumo Skëndo. Gazeta “Lirija”. Selanik, 7 mars 1909.
6- Naim Frashëri. Bagëti e Bujqësi. Bukuresht, 1886.
7- Natalie Claire. Në fillimet e nacionalizmit shqiptar, Tiranë. Përpjekja, 2009.
Burimi: Medius Communication Institute