Pas hapjes së portave të burgut Sejdnaja në lindje të kryeqytetit Damask, bota u zgjua me pamjet e tëmerrshme të burgut që brenda mureve të tij mbajti mbi 20.000 të arrestuar politikë. Të gjithë zunë të pyesin për këtë burg, torturat e të cilit u ngjanin metodave naziste të Luftës së Dytë Botërore. Kush e drejtonte dhe si ka mundësi që në shekullin XXI të ekzistojnë akoma burgje të tillë? Në të vërtetë, burgu dhe metodat e torturimit të ndjekura në të kanë lidhje të drejtpërdrejtë me nazistët.
Alois Bruner (Alois Brunner) ishte oficeri nazist i Gestapos i cili ia doli të krijojë një lidhje të afërt me Hafiz Esedin, për t’u kthyer në këshilltarin e parë të Esedit për çështjet e sigurimit, një nga arkitektët kryesorë të organeve të sigurimit dhe një nga trainuesit e oficerëve sirianë të regjimit esedist.
Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, një numër i mirë ushtarakëve dhe i eprorëve nazistë u arratisën në vende të ndryshme të botës. Bruner ishte një nga të arratisurit nazistë që pas shumë peripecive ia arriti të hynte në Siri në mesin e viteve 50.
Bruner ishte një nga oficerët më me zë të Gestapos dhe krahu i djathtë i Oto Adolf Aihmanit (Otto Adolf Eichmann), eprorit të lart nazist të policisë sekrete nazisteaa Gestapo, i gjykuar dhe i dënuar me vdekje në 1962 për krime lufte dhe përgjegjës për Holokaustin. Kreu i Gestapos Adolf Aihman e vlerësonte Brunerin dhe shprehej se ai ishte një nga burrat më të mirë që kishin. Ndryshe nga eprori i tij, Alois Bruner arriti të shpëtojë dhe ia arriti të krijojë lidhje dhe miqësi me personazhe dhe drejtues politikë me ndikim në Lindjen e Mesme. I pari ishte Abdulhamid Seraxhi, dora e djathtë e Xhemal Abdunaserit dhe njërit prej oficerëve më gjakatarë në sigurimin egjiptian. Egjipti me Sirinë në atë kohë formonin një union të vetëm.
Bruner ishte traineri kryesor i shumë prej oficerëve të regjimit esedist, nga më kryesorët e tyre mund të përmenden Muhamed Talasi, ministër i mbrojtjes gjatë masakrave të Hamasë më 1982, Ali Hajderi, komandant i Forcave Speciale dhe Ali Duba, komandant i Degës së Sigurimit Ushtarak.
Takimi i parë i Brunerit me Hafiz Esedin kthehet në vitin 1966, nëpërmjet zëvendësit të Esedit Muhamed Huliut, atëherë kur Esedi mbante postin e Ministrit të Mbrojtjes. Në atë kohë Bruneri ishte zbuluar nga amerikanët të cilët ishin përpjekur ta eleminonin me një letër të minuar. Bruner shpëtoi, por nga shprthimi humbi njërin sy.
Hafiz Esedi e bëri Brunerin këshilltar jozyrtar të tij, por me marrjen e pushtetit në vitin 1970, Bruner do të ishte trainuesi dhe këshilltari kryesor i forcave të sigurimit në regjimin e Esedit. Marrëveshja mes tyre ishte e qartë “Shërbimet dhe eksperienca në këmbim të mbrojtjes së jetës”.
Me ndihmën e Alois Brunerit, Hafiz Esedi ia doli të themelojë një nga organet më të afta dhe më të egra të sigurimit në Siri, organ që bazohej në spiunimin dhe mbikëqyerjen e ndërsjelltë edhe mes vetë degëve dhe nëndarjeve të shumta të tij. Çdo gjë bazohej në politikën terrorit pa kufi për mbajtjen me çdo kusht të pushtetit.
Pamjet e herëpashershme që dilnin nga burgjet siriane të torturave dhe të mënyrave çnjerëzore të hetimit, llojet e tortuarave trupore dhe mendore të të burgosurve, flisnin qartë për përngjashmëritë me metodat naziste të Gestapos. Gestapoja naziste i arrestonte dhe i mbante të burgosurit nëpër burgje pa asnjë akuzë të ngritur në organet e drejtësisë. Të burgosurit u nënshtroheshin torturave çnjerëzore deri në vdekje ose vazhdonin të dergjeshin në burgje për vite e vite me rradhë pa asnjë gjykim, as në gjykatë ushtarake dhe as në gjykatë civile dhe pa u ditur përfundimi i tyre. Të njëjtat metoda u përdorën edhe në Siri, pa ndryshimin më të vogël. Nuk është nevoja të zgjatemi në detajet e tepërta dhe të panumërta, pak prej të cilave i janë zbuluar botës nga zhvillmet e fundit.
Oficeri nazist Alois Bruner vdiq në vitin 2001 në Damask në moshën 89 vjeçare, në banesën ku jetonte nën mbrojtjen dhe mbikëqyrjen e regjimit dhe u varros në fshehtësi të plotë në varrezën El Afif në Damask. Raporte të ndryshme dëshmojnë që Bruner vuajti shumë në vitet e fundit të jetës përpara se të vdiste.
Hoxhë Florian Leli