-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai

Më të lexuarat

Në suren et Talak, apo siç emërtohet ndryshe edhe en Nisa es Sugra, kanë ardhur katër ajete fisnike, të cilat kanë bërë ndërlidhjen mes veprës dhe shpërblimit dhe suksesin e kanë kushtëzuar me shkaqet. 
Ajeti i parë është fjala e Allahut të Lartësuar: “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret.” (Talak, 2,3)
Ajeti i dytë: “Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai.” (Talak, 3)
Ajeti i tretë: “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’ia lehtësojë çështjen.” (Talak, 4)
Ajeti i katërt: “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’ia shlyejë veprat e këqija dhe do t’ia rrisë shpërblimin.” (Talak, 5)
Me këto ajete do të ndalemi në disa ndalesa.

Ndalesa e parë: Shpërblimi në tre prej ajeteve është kushtëzuar me frikërespektin (takvanë) ndaj Allahut. Takva është të punuarit e asaj që ka urdhëruar Allahu i Lartësuar dhe të larguarit nga ajo që ka ndaluar dhe ajo është çështja kryesore. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, i porosiste shokët e tij me fjalët: “Ki frikë Allahun kudo që të jesh.” Shënon Ahmedi dhe Tirmidhiu dhe thotë se hadithi është hasen sahih.

Ndalesa e dytë: Fjala e Allahut të Lartësuar: “Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai”, ka ardhur si plotësim i çështjes së takvasë. Nëse frika ndaj Allahut konsiderohet shkak i largimit të vuajtjeve, atëherë pa dyshim se mbështetja e muslimanit te Zoti i tij, bindja se Allahu Fuqiplotë është Ai i Cili ia largon çdo të keqe dhe çdo dëm, i jep rrugëdalje nga ajo gjendje në të cilën ndodhet, ia lehtëson shkaqet e riskut prej nga nuk e kujton fare. Këtë e vërteton me fjalët e Tij, ku thotë: “Allahu e përmbush me siguri vendimin e Tij” (Talak, 3) d.m.th. mos e përjashtoni mundësinë e përmbushjes së asaj që ju ka premtuar Allahu, ngase Ai kur premton diçka, atë e ka dëshiruar, ndërsa kur do diçka, i lehtëson dhe i krijon shkaqet.

Kemi shumë hadithe në këtë kontekst, prej të cilëve është edhe ky të cilin e transmeton Ebu Dherri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili thotë se ka thënë i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të: “Unë di një ajet, po që se njerëzit do të punonin sipas tij, do t’u mjaftonte, pastaj e lexoi fjalën e Allahut të Lartësuar: “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret.” Vazhdonte ta përsëriste këtë ajet.” Shënon Ahmedi, Hakimi dhe të tjerët.

Gjithashtu imam Ahmedi në “Musnedin” e tij shënon hadithin të cilin e transmeton Thevbani, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Robi privohet nga risku me mëkatin që bën, nuk e kthen mbrapsht kaderin (përcaktimin e Allahut) vetëm se duaja dhe nuk e shton jetën diçka tjetër përveçse bamirësia.”

Ndalesa e tretë: Allahu i Lartësuar u ka premtuar besimtarëve të drejtë, atyre që nuk i tejkalojnë kufijtë e Tij, se do t’u gjejë rrugëdalje nga vështirësitë dhe nga problemet me të cilat po ballafaqohen. Allahu Fuqiplotë gjendjen e tyre e ka ngjasuar me një vend të mbyllur, ndërsa atë që u ka dhënë nga mirësia dhe lehtësimi i çështjeve me rrugëdalje nga ai vend i mbyllur, nga i cili dalin dhe shpëtojnë.

Ndalesa e katërt: Në fjalën e Allahut të Lartësuar: “prej nga nuk e pret”është një lloj nxitjeje nga ajo që mund të imagjinohet se rrugët e riskut janë të mbyllura. Risku është mirësi nga Allahu. Allahu di më së miri se si t’i lehtësojë atij shkaqet e paimagjinueshme dhe të papritura. Fjala e Tij: “prej nga nuk e pret” do të thotë nga vendi prej të cilit nuk e kujton fare se prej tij mund t’i vijë risku, respektivisht nuk i shkon fare mendja se do të furnizohet prej tij.

Ndalesa e pestë: Ajetet e mësipërme tregojnë se robi i cili i respekton urdhrat e Allahut dhe u ruhet ndalesave të Tij, Allahu do t’ia lehtësojë atij vështirësitë që mund t’i vijnë. Qëllimi i tërë kësaj është realizimi i premtimit për lehtësim, për atë që gjendet në vështirësi.

Ndalesa e gjashtë: Në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’ia shlyejë veprat e këqija dhe do t’ia rrisë shpërblimin.” Është përsëritur inkurajimi për takvanë edhe një herë tjetër, pas së cilës rezulton premtimi për diçka që është akoma më e madhe sesa risku, sesa largimi i vështirësisë dhe lehtësimi i saj e ajo është falja e mëkateve dhe rritja e shpërblimit.

Frika ndaj Allahut ka ndikim jashtëzakonisht të madh në jetën e besimtarit. Ajo konsiderohet çelës i çdo mirësie. Ajo është rruga drejt lumturisë së robit në këtë botë dhe për në botën tjetër. Për këtë të mjafton fjala e Allahut Fuqiplotë: “Sikur banorët e atyre qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, Ne do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe toka, por ata mohuan, prandaj i dënuam për atë që bënë.” (A’raf, 96)

Ndërsa prej lutjeve të të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ka qenë edhe kjo lutje: “O Allahu im, unë kërkoj prej Teje udhëzimin, devotshmërinë, dëlirësinë dhe kënaqësinë.” Shënon Muslimi.

E lusim Allahun e Lartësuar të na bëjë prej atyre që i respektojnë urdhrat e Tij dhe u ruhen e largohen ndalesave të Tij.

Almedin Ejupi
5.4.2009

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit