2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Alili, djaloshi që u bë pjesë e historisë së mundjes në Maqedoninë e Veriut

Më të lexuarat

Besir Alili, mundësi 16-vjeçar nga Klubi i Mundjes “Liria” në Shkup, fitoi simpatitë e opinionit në Maqedoninë e Veriut kur më 22 qershor u shpall kampion i Evropës në kategorinë e kadetëve, në kampionatin që u mbajt në qytetin Faenza të Italisë.

Në një bisedë për Anadolu Agency (AA), Alili tregon se ka filluar stërvitjet që nga mosha shtatë vjeçare dhe se bën stërvitje pothuajse 10 vite pa ndërprerë.

Edhe vitin e kaluar, Alili arriti në finalen e Kampionatit Evropian të mundjes për kadetë, që u zhvillua në Shkup. Atëherë ai mori medaljen e argjendtë, pasi u mund nga reprezentuesi armen, Rafajall Hurutjunan.

Mirëpo, këtë vit Besir Alili arriti të triumfojë në finale, duke u bërë pjesë e historisë së sportit të mundjes në Maqedoninë e Veriut, pasi kjo ishte medalja e parë e artë për një mundës të kategorisë së kadetëve nga ky vend.

Ai tha se fitorja erdhi falë dëshirës së Zotit, e më pas shkaku i disiplinës në stërvitje.

“Ka qenë shumë vështirë, po deshi Zoti, ushtrova shumë dhe arrita medaljen e artë”, thotë Alili.

Alili sqaron se që nga mosha shtatë vjeçare, i është dashur të udhëtojë për stërvitje nga shtëpia e tij që ndodhet në lagjen Vizbeg deri te palestra sportive në Shkollën Fillore “Liria” në Çair, një distancë prej rreth katër kilometrave. Ai thotë se zakonisht udhëton me autobus, por se shpeshherë këtë distancë e ka kaluar në këmbë. Megjithatë, Alili thotë se gjithmonë ka pasur përkrahjen e familjes dhe trajnerit.

“Po, përkrahjen e familjes e kam pasur, shumë përkrahje. Edhe përkrahjen prej trajnerëve të mi, Sufjan Ismaili. Më kanë thënë duhesh të dëgjosh (këshillat), duhet të ushtrosh, për të arritur rezultatin”, thotë Alili.

Kampioni evropian i mundjes për kadetë ka edhe një porosi për të rinjtë, të cilëve u apelon që të jenë sa më të përkushtuar për të arritur rezultate.

“Të rinjve, fëmijëve, (u apeloj) të ushtrojnë më shumë, t’i dëgjojnë trajnerët, mos të dëgjojnë njerëzit anash, të ushtrojnë nga dy herë në ditë nëse dëshirojnë të arrijnë rezultate”, thotë Alili.

Sufjan Ismaili, trajner i Klubit të Mundjes “Liria”, rikujton se Alili në finale triumfoi me rezultat 7-6 ndaj mundësit nga Armenia, Harutyun Hovhannisyan, ndërsa në përballjet e mëparshme gjatë kompeticionit, Alili kishte triumfuar edhe kundër një mundësi nga Gjeorgjia. Duke bërë një krahasim me sportin e futbollit, Ismaili thotë se kjo do të ishte e barazvlefshme me një fitore të Maqedonisë së Veriut kundër Brazilit dhe Argjentinës.

Medalja e artë, siç thotë Ismaili, ka ardhur kryesisht shkaku i talentit të Alilit, por edhe kushteve të mira që ka Klubi i Mundjes “Liria”. Trajneri i Alilit, thotë se mundësi i ri ka talentin e duhur për të arritur edhe më shumë, duke rikujtuar se kjo ishte hera e parë që një mundës nga Maqedonia e Veriut të shpallet kampion i Evropës në kategorinë e kadetëve.

“Ne vitin e kaluar ishim të dytë, mirëpo edhe më herët ka pasur vende të dyta. Mirëpo, për kadetë vend të parë nuk kemi pasur asnjëherë. Prej se ekziston mundja në Maqedoni (të Veriut), nuk ka pasur. Hera e parë është që Besir Alili me këtë medalje futet në historinë e mundjes në Maqedoni (të Veriut) për kadetë”, thotë Ismaili.

Edhe Besir Alili, por edhe trajneri i tij, janë shumë falënderues për lëvdatat që morën nga opinioni në Maqedoninë e Veriut, por edhe nga përkrahja e institucioneve të nivelit qendror dhe lokal. Kur u bë e ditur se Alili ka fituar medaljen e artë, qindra qytetarë kishin dalë për ta pritur atë, duke festuar arritjen e madhe.

Alili gjithashtu ka marrë shpërblime financiare dhe mirënjohje nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, Agjencia për Rini dhe Sport, Qyteti i Shkupit, Komuna e Çairit dhe nga ndërmarrje publike.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit