2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Alija Izetbegoviç

Më të lexuarat

Një jetë në shërbim të idealeve

Në fundvjeshtën e vitit 1995, një udhëheqës do t’i drejtohej popullit të tij me këto fjalë: “Ne nuk do të vrapojmë pas urrejtjes e hakmarrjes dhe të ardhmen nuk do ta kërkojmë në të shkuarën tonë”.

Kur shkrimtari i njohur Abdullah Sidran, e pyeti për hakmarrje ndaj serbëve pas lufte në Sarajevë, Alija Izetbegoviç, i cili edhe më herët apelonte se ata që bëjnë incidente të mos thirren në emrin e tij, thotë: “Mos harro, Abdo, se kaluam nëpër xhehenem, e përkundër të gjithave kemi mbetur njerëz normalë. Kjo është fitorja jonë”.

Alija Izetbegoviç lindi më 8 gusht 1925 në Bosanski Shamac. Në Sarajevë u shkollua dhe jetoi që nga viti 1928. Studimet i filloi për agronomi, ndërsa më 1954 kaloi në fakultetin juridik. U diplomua në vitin 1956, ndërsa në vitin 1962 dha provimin e avokaturës. Ai ishte kundërshtar i flaktë i komunizmit dhe për aktivitetet e tij pan-islame u burgos dy herë nga regjimi totalitar i Jugosllavisë; herën e parë më 1946 si anëtar i organizatës “Myslimanët e Rinj”, me tre vjet burgim dhe më pas në procesin e montuar gjyqësor më 1983 u dënua me 14 vjet burgim, që më vonë u shkurtua në 12 e në fund në 9 vjet.

Asokohe u dënua si autor i “Deklaratës islame” të shkruar më 1970. Nga burgu doli më 1988, pas pesë vjet e tetë muajsh.

Nga fundi i vitit 1989 inicioi themelimin e një partie myslimane në Jugosllavi (Partia e Aksionit Demokratik), ndërsa në kuvendin themelues të kësaj partie, të mbajtur në Sarajevë më 1990, u zgjodh kryetar i saj. Po në atë vit, në zgjedhjet shumëpartiake, kjo parti triumfoi mbi komunistët kurse ai u bë president i Bosnjës.

Gjatë holokaustit që myslimanët përjetuan në vitet 1990-95, Izetbegoviçi qëndroi në mesin e tyre pa lëshuar zyrën dhe apartamentin e tij.

Pas presioneve ndërkombëtare dhe vuajtjeve të mëdha që populli i tij po përjetonte, në nëntor të vitit 1995, ai u detyrua të nënshkruajë marrëveshjen e Dejtonit për paqe, e cila e ndau de facto Bosnjën. Në shtator 1996 ai u rizgjodh president i presidencës treanëtarëshe të Bosnjes.

Më 1999 ai shpalli vendimin e tij për dorëheqje nga posti i presidentit të Bosnjës. Shëndeti në njërën anë, mosha e shtyrë nga ana tjetër dhe më e rëndësishmja, ashtu siç u shpreh ai, përcaktimi i komunitetit ndërkombëtar dobësoi esencën islame të Bosnjës: “Komuniteti ndërkombëtar po i shtyn gjërat përpara në Bosnjë, por është duke e bërë këtë në kurriz të popullsisë myslimane. Unë e konsideroj këtë si padrejtësi. Këto janë gjëra me të cilat unë nuk mund të jetoj dot”.

Alija Izetbegoviç ishte gjithashtu mendimtar dhe shkrimtar i vlerësuar. Ai u njoh botërisht për veprën e tij “Islami ndërmjet lindjes e perëndimit”, i cilësuar si libri më i mirë i viteve ‘80. Në vitin 1997 fitoi çmimin “Faisal”, çmim ky që u dedikohet autorëve myslimanë më të suksesshëm të vitit.

Libri doli në qarkullim në vitin 1984 kur Izetbegoviçi ishte akoma në burg. Libri u vlerësua nga autori britanik Asad Yawar si “libri më i shkëlqyer i publikuar në Evropë në vitet ’80”.

Përveç librit të lartëpërmendur, Izetbegoviç është autor i veprave “Deklarata islame”, “Mendimet në burg”, si dhe përmbjedhjes me artikuj “Problemet e rilindjes islame”.

Alija Izetbegovic është shumë i respektuar nga bota perëndimore për krenarinë dhe mosfshehjen e identitetit të tij islam dhe nga bota myslimane si ideolog dhe shkrimtar i madh. Ai do të mbetet si një ndër personalitetet më me ndikim në botë, e para, si politikan i aftë dhe, e dyta, si njeriu më i shquar islam i fundshekullit të kaluar.

Po të mos ishte Alija Izetbegoviç nuk do të kishte as Bosnjë, – do të shprehej Riçard Hollbruk në kohën kur vizitoi Izetbegoviçin në Sarajevë. Ndërsa vetë Izetbegoviçi shprehej se para largimit të Sllovenisë dhe Kroacisë nga Jugosllavia lufta mund të shmangej. Pas kësaj: Jo!

Alija Izetbegoviç, kryetari i parë i Bosnje Hercegovinës së pavarur, ndërroi jetë më 19.10.2003 në moshën 78-vjeçare dhe u përcoll për në botën e amshuar nga më shumë se njëqindmijë vetë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit