Ali Jakup Efendi “Hoxha shqiptar që mësoi shumë profesorë turq”[1]
Lindi në kasabanë e Gjilanit, vilajeti i Kosovës. Babai i tij ishte Hafiz Hyseni ndërsa nëna e tij ishte zonja Hyrishah. Gjyshi i tij në brezin e 8-të, Omer Bej ka emigruar nga fshati Kolgec i Shkodrës dhe është vendosur në fshatin Desivojca në Gjilan dhe në zonë familja e tij njihej me emrin Shkodraliu. Gjyshi i tij Haxhi Jakupi është formuar në medresenë e Nishit, ndërsa babai i tij Hafiz Hyseni ka përfunduar medresenë Fatih në Stamboll.
Ali Jakup Efendiu arsimin fillor e kreu në shkollën fillore sërbe të Gjilanit. Në të njëjtën kohë nga babai i tij merrte mësime edhe në Kuran, shkeca fetare dhe lëndë të formimit të përgjithshëm. Në vitet 1924-1927 studioi në medresenë e Gjilanit dhe në të njëjtën kohë merrte mësime bazë nga Molla Kadri Efendiu dhe Myderris Abdurrahman Efendiu. Ndërsa nga Hasan Faik Efendi në mënyrë private merrte mësime formimi dhe të gjuhës Frënge. Në vitin 1927 u vendos në Shkup dhe filloi studimet në medresenë “Meddah” të Shkupit ku mori mësim nga hoxha i njohur Ataullah Efendi. Nga i njëjti mësues që jepte mësim edhe në medrese Sejfedin Efendi mori mësime në belagat (elokuencë) dhe në letërsi turke. Përsëri kthehet në Gjilan dhe për dy vjet (1928-1929) ndjek shkollën e mesme shtetërore.
Më pas i orientuar nga anëtari i mexhlisit të dijetarëve (Ulema Meclisi) të Sarajevës Shakir Mesihoviç në vitin 1931, pasi kaloi provimin pranues për tre vite me radhë ndjek studimet në “Mektebi Nuvvab” (Medreseja e Kadinjëve) të Sarajevës. Në vitin 1932 pas vdekjes së babait të tij u detyrua ti ndërpresë studimet për një kohë. Më 1936 shkon në Egjipt ku fillon studimet në Universitetin e Ezherit, Fakulteti i Usuluddin dhe e përfundon atë. Gjatë kësaj kohe u njoh dhe mori mësim nga personalitete të shquara të periudhës osmane që ishin vendosur në Egjipt si shejhul-islam Mustafa Sabri, Zahid Kevseri dhe Yozgatlı İhsan Efendi.
Gjatë viteve 1946-1957 punoi si nënpunës në bibliotekën qëndrore të Universitetit të Kajros. Nga Korriku i vitit 1957 deri në Nëntor të vitit 1959 punoi si përkthyes pranë ambasadës së Egjiptit në Ankara. Më vonë duke përfituar edhe nga detyra që kishte, në vitin 1960 Ali Jakup Efendi mori nënshtetësinë turke, u vendos në Stamboll ku dhe krijoi familje. Pas këtij viti filloi punë si ekonomist ne sektorin privat pranë një fabrike. Në të njëjtën kohë jepte edhe mësim në xhamitë Fatih, Mesih Pasha dhe Emir Buhari, ku lexonte veprat si; “İhyau-ulumud-din”, “Edebud-dunja ved-din”, “Medarikut-tenzil ve Divanul-Mutenebbi”.
Vlen të përmendet që në periudhën 1976-1980 dha mësim në qendrën mësimore të Dijanetit “Haseki” lëndët e tefsirit, kelamit dhe belagat (elokuencë). Ndërsa në shtëpinë e tij në të cilën u formuan shumë studentë, jepte mësim për studentë të shkollave të mesme dhe të larta.
Ali Jakup Efendi në vitin 1983 pësoi një paralizë, ndërsa më 22 Maj 1988 ndërroi jetë ku edhe u përcoll në varrezat e Sakızağacı në Edirnekapı të Stambollit.
Bashkë me Osman Özturk përkthen dhe boton në vitin 1967 veprën e Muhammed Kutub “Xhahilijetu Karnil-ishrin” (İnjoranca e shekullit XX). Ali Jakup Efendi gjatë kohës që ishte në Kajro përktheu në arabisht poezinë e parë të librit Safahat “Fatih Xhami’i” e cila u botua në gazetën Mexhel-letul Edeb. Gjatë kësaj kohe përktheu në formë proze poezinë që përshkruan betejën e Çanekalasë që ndodhet në kapitullin e VI të librit Safahat të patriotit të tij Mehmet Akif Ersoy, ndërsa miku i tij poeti Savi Sha’lan e solli në vargje me titullin (Kasidetush-Shuheda) “ Poezia e Shehidëve”.
Kronologjia e jetës së Ali Jakup Efendiut.
(1913) lindi në Gjilan, Kosovë.
(1921-1924) bëri arsimin fillor.
(1924-1927) kreu studimet në medresenë e Gjilanit.
(1927) vazhdoi studimet në medresen Meddah të Shkupit.
(1928-1929) vazhdon shkollën e mesme në Gjilan.
(1931) pasi kaloi në provimin pranues fillon studimet në (Mekteb-i Nüvvab) shkollën e kadinjëve në Sarajevë.
(1932) për shkak të vdekjes së babait të tij ndërpret studimet.
(1936) shkon në Kairo, fillon studimet në Fakultetin e Usuluddin.
(1938) shkon në Gymylxhine (Komotini-Greqi) si vaiz për Ramazan.
(1939) për të dytën herë shkon në Gymylxhine (Komotini) si vaiz për Ramazan.
(1946-1957) punon si nëpunës në bibliotekën qëndrore të Universitetit të Kajros.
(1957-1959) punon si përkthyes në ambasadën e Egjiptit në Ankara.
(1960) pasi mori nënshtetësinë turke vendoset në Stamboll.
(1961) martohet dhe fillon të punojë si ekonomist në një fabrikë.
(1962) fillon të japë mësim “İhjau-ulumid-dijn” në xhaminë Fatih.
(1967) bashkë me Osman Özturk përkthen dhe boton në dy vëllime veprën e Muhammed Kutubit “Xhahilijetul- karnil-ishrin” (İnjoranca e shekullit XX)
(1968) në lagjen Fatih, në xhaminë Emir Buhari fillon dhe jep mësim për 15 vjet librin “İhjau-ulumud-dijn”.
(1972) pëson një aksident automobilistik teksa kalonte rrugën në lagjen Saraçhane, shtrohet në spital për disa ditë.
(1976-1980) fillon të japë mësim tefsir, kelam dhe belagat në qendrën e Dijanetit “Haseki” në Stamboll.
(1978) merr pjesë në një aktivitet që organizonte një radio në Libi me rastin e plotësimit të 100 hatmeve të kënduara në radio.
(1980) shkon në Umre bashkë me hoxhallarët e tjerë që jepnin mësim në qendrën e Dijanetit “Haseki”.
(1982-1983) fillon të japë mësime të gjuhës arabe në kursin e Kuranit “Tuba” për vajza.
(1983) pëson paralizë.
(21 Maj 1988) ndërron jetë në Stamboll, përcillet në varrezën Sakızağacı në Edirnekapı.
Allahu xh.xh. e pastë marrë në rahmetin e tij.
__________________________
[1] Materiali është marrë nga libri “Ali Yakup Cenkçiler Hatıra Kitabı” i cili është në përkthim e sipër. Libri është përgatitur nga Dr. Necdet Yılmaz dhe botuar Stamboll 2013./ardhmeriaonline/