Ministri turk i Ekonomisë Zeybekci priti në Ankara homologun e tij nga Katari, Al Thani dhe me këtë rast tha se të dy ministritë janë në kontakt të vazhdueshëm
ANKARA (AA) – Ministri i Ekonomisë i Republikës së Turqisë Nihat Zeybekci porositi sot se Turqia nuk duhet dhe nuk do të dëgjojë leksione për demokraci, të drejtat dhe liritë e njeriut prej cilit do vend në botë, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri turk i Ekonomisë Zeybekci priti në Ankara homologun e tij nga Katari, Ahmed bin Qassim bin Muhammed Al Thani dhe me këtë rast theksoi se të dy ministritë janë në kontakt të vazhdueshëm nga vendosja e bllokadës dhe izolimit të “padrejtë” të Katarit nga disa vende të Gjirit.
“Qëllimi i Turqisë nuk ka qenë vetëm të përmbush nevojat e popullit të Katarit, por edhe të parandalojmë trazirat që me bllokadën dhe mungesën e mallrave planifikonin të nxisnin vendet të cilat vendosën bllokadën. Këtë e parandaluam. Deri tani nga Turqia për në Katar me mallra të konsumit të ndryshëm kanë shkuar 197 avionë mallrash, kontingjentë prej 16 maunëve, por edhe anije mallrash. Në këtë mënyrë përmbushëm nevojat e Katarit, por edhe më tej këtë do ta bëjmë”, porositi Zeybekci.
Duke theksuar se stabiliteti është i rëndësishëm për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik, Zeybekci shfaqi shpresën se kriza aktuale në Gji do të zgjidhet së shpejti dhe popujt vëllezër në këtë pjesë të botës sërish do të kenë marrëdhënie të normalizuara. Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Jemeni më 5 qershor ndërprenë marrëdhëniet dhe bllokuan Katarin të cilin e ngarkojnë për mbështetje të terrorizmit, për çka autoritetet e Katarit i mohojnë.
Ministri Al Thani sot në Ankara tha se Katari ka patur plan të gatshëm për situata të jashtëzakonshme.
“Katari ka ekonomi shumë të fuqishme. Edhe më herët kemi treguar rezistencë të shumë krizave rajonale dhe globale. Kemi një nga ekonomitë me rritje më të shpejtë dhe jemi eksportuesi më i madh i gazit. Do të tejkalojmë edhe këtë krizë”, tha Al Thani.
Ai falënderoi presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe popullin mik turk që Turqia nga ora e parë ka qenë në anën e Katarit. Ai sot tha se me homologun Zeybekci do të bisedojnë për vazhdimin e linjave transportuese aktuale dhe vendosjen e linjave të reja për transport të mallrave nga Turqia drejt Katarit.
Duke theksuar se shumë projekte të cilat në Katar i kanë udhëhequr kompanitë e vendeve që ndërprenë marrëdhëniet me këtë vend me siguri do të anulohen, Al Thani tha se ky është një rast i madh për kompanitë dhe investitorët turq që të marrin projektet.
“Nuk është anuluar dhe nuk ka ngecje të asnjë projekti lidhur me përgatitjen e Kampionatit Botëror në Futboll që në vitin 2022 do të mbahet në Katar”, tha Al Thani.