Këtë javë akulli në Oqeanin e Ngrir të Veriut shkriu edhe më shumë që nga koha kur filloi të ndiqej me satelit kjo dukuri në vitin 1979. Rritja e sipërfaqes ujore pranë majës së botës mund të ketë pasoja për transportin global, gjallesat, madje edhe për diplomacinë ndërkombëtare.
Arinjtë polarë gjuajnë për foka nga akulli i detit, por rrezikojnë të mbyten nëse notojnë në distanca të gjata në ujë të hapur. Fotografitë satelitore të bëra publike nga NASA pasqyrojnë kërcënimin që u kanoset këtyre arinjve.
Një pamje tregon se sipërfaqa e akullt e Oqeanit të Veriut ka aktualisht madhësinë më të vogël që nga viti 1979.
Rekordi për tkurrjen e kësaj sipërfaqeje u vendos në 16 shtator. Sipërfaqa e humbur është e barasvlefshme me një sipërfaqe më të madhe se shteti i Teksasit, një distance e papërshkueshme edhe për një ariun më të fuqishëm polar.
Shkencëtarët thonë se çlirimi i sasive të mëdha të gazit karbonik në atmosferë është rritur, jo vetëm duke ngrohur qeanet por edhe duke kërcënuar larminë biologjike si në ujra të ftohta, edhe të ngrohta. Ben Orlove është studiues i klimës në Universitetin Columbia.
“Ndërsa rritet dioksidi i karbonit në atmosferë, një sasi e madhe e tij, rreth 40 për qind kthehet në oqean. Kjo rrit sasinë e acidit në oqean gjë që rrezikon koralet”.
Orlove vë në dukje se dëmi ndaj koraleve kërcënon llojet e peshqve përreth tyre.
Shkencëtarët në një simpozium në Institutin e Tokës në Universitetin Columbia thanë se nëse ka më pak akull, transporti nga Kanali i Panamasë do të bjerë. Kjo për arsyen se rruga e veriut, megjithëse e rrezikshme, e shkurton distancën mes Evropës dhe Azisë me rreth 6 mijë e 500 km.
Anne Siders e Qendrës së Columbia-s për Ligjin e Ndryshimit të Klimës thotë se vendet në kufi me Arktikun nuk janë të vetmet që kanë interesa në atë zonë.
“Pa dyshim që do të ketë interes për Arktikun nga vende që nuk kanë lidhje territoriale me Arktikun, për burime natyrore, për peshkim, për shumë arsye”.
Burimet energjetike janë mes këtyre arsyeve. Siders thotë se Kina dhe Japonia po kërkojnë të rrisin ndikimin e tyre, deri tani pa sukses, në Këshillin e Arktikut, një forum ndërkombëtar prej tetë vendesh në kufi me rrethin arktik.
Shkencëtarët thonë se më shumë ujëra të hapura në Arktik do të thotë më shumë avullim dhe fenomene ekstreme moti në vende të tjera. Peter Schlosser i Institutit të Tokës shton se uji i ngrohtë përreth Groenlandës mund të shkrijë disa nga akullnajat e ishullit duke dëmtuar zonat e ulëta kudo.
“Ato po ndikojnë në nivelin e detit. Në pjesën tropikale të Paqësorit për shembull dhe vendet ishuj, niveli i detit rritet dhe si rezultat ekzistenca e tyre rrezikohet”.
Arktiku ndodhet larg zonave me popullsi të dendur në glob. Megjithatë shkencëtarët tërheqin vëmendjen se vetëm fakti që janë larg nuk u garanton njerëzve se nuk do të ndjejnë pasojat e ngrohjet në zonat më veriore të globit.kohaislame