1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Aktivisti suedez: Udhëtimi im do të përfundojë kur Palestina të jetë e lirë

Më të lexuarat

ANKARA (AA) – Aktivisti suedez Benjamin Ladraa, i cili në shenjë reagimi ndaj persekutimit të ushtruar nga Izraeli ndaj Palestinës ka nisur një marshim nga Suedia për në Palestinë, thotë se udhëtimi i tij do të përfundojë kur Palestina të jetë e lirë.

Ladraa më 15 gusht të vitit 2017 është nisur nga qyteti Göteborg i Suedisë dhe pas Gjermanisë, Austrisë, Sllovenisë, Kroacisë dhe Bullgarisë, ai u ndal në Ankara të Turqisë. Për Anadolu Agency (AA) shpjegoi përjetimet dhe synimin e rrugëtimit të tij.

Ladraa thotë se udhëtimin e ka nisur për të krijuar vetëdije rreth shkeljeve të të drejtave të palestinezëve nga ana e Izraelit, duke shtuar se në shtetet që ka shkuar ka shpjeguar kauzën palestineze dhe ka ndarë informacione rreth udhëtimit me ndjekësit e tij në rrjetet sociale.

Ai tregon se plotëson nevojat ditore me paratë që ka tubuar para nisjes dhe se nuk bën shpenzime të larta dhe, sipas nevojës, qëndron në tendë.

Në vitin 2017, ai ka vizituar Bregun Perëndimor dhe personalisht i ka parë shkeljet e të drejtave të palestinezëve, thotë Ladraa, duke shtuar se vizita në fjalë e ka qenë faktor që e ka inkurajuar të marrë vendimin për të realizuar këtë udhëtim.

“Është e pamundur të mos jesh i vetëdijshëm për shkeljet e Izraelit ndaj të drejtave të palestinezëve”, thekson ai.

“Palestinezët duhet t’i lënë anash të gjitha dallimet politike dhe të jenë të bashkuar kundër okupimit, sepse ne mund të japim mbështetje me lëvizjet tona të solidarizimit, por kjo nuk i çliron ata. Palestinën mund ta çlirojë vetëm populli palestinez”, vlerëson Ladraa.

“Udhëtimi vazhdon edhe pas arritjes në Palestinë”

Ladraa beson se një ditë Palestina do të jetë e lirë, ndërsa thotë se udhëtimi i tij nuk do të mbarojë me arritjen në Palestinë.

“Unë do ta vazhdoj udhëtimin edhe pas arritjes në Palestinë sepse ai nuk mbaron me hedhjen e hapit drejt Palestinës. Udhëtimi mbaron kur Palestina të jetë e lirë”, shprehet aktivisti suedez.

Ai thotë se është përgjegjësi morale për të vepruar për palestinezët.

“Ndryshimi nuk vjen pa punuar shumë. Nuk mund të rrimë duarkryq dhe të zemërohemi duke shikuar televizorin apo telefonat tanë të mençur. Duhet të jemi edhe në rrugë për të ngritur zërin tonë, pasi veprimet flasin më shumë se fjalët”, thotë Ladraa.

Aktivisti Ladraa thotë se është duke i ndjekur demonstratat e fundit paqësore të palestinezëve në Rripin e Gazës, ndërsa e cilësoi si krim lufte vrasjen e një gazetari palestinez nga ana e ushtarëve izraelitë gjatë këtyre demonstratave.

Ai shton se ushtarët izraelitë vendosin në shënjestër njerëzit e pambrojtur, duke shkelur kështu të drejtën ndërkombëtare.

Sipas tij, komuniteti ndërkombëtar duhet të ngrisë zërin më shumë rreth të drejtave të njeriut, dinjitetit njerëzor dhe drejtësisë.

“Pas Turqisë, stacioni im është Egjipti”

Deri më tani, Ladraa ka përshkuar 3.000 kilometra ndërsa i kanë ngelur edhe rreth 2.000 për të arritur cakun e destinuar, ndërsa tregon se pas Turqisë, stacioni i tij i radhës është Egjipti.

“Me anije do të shkoj në Egjipt, kurse më pas në Jordani, sepse Siria duket e rrezikshme për të kaluar. Dua që të gjithë rrugën ta kaloj duke ecur, por jam i mendimit se nuk ia vlen të rrezikohet udhëtimi duke u përpjekur të kaloj nga Siria. Shpresoj të ketë paqe dhe unë në këtë mënyrë do të jem në gjendje të kaloj, por nëse nuk ndodh, atëherë do të shkoj në Egjipt dhe Jordani”, thekson aktivisti suedez, Benjamin Ladraa.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit