Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka folur sot për sulmin në Banjskë që ka ndodhur në shtatorin e vitit të kaluar, pasi Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë nga 45 të dyshuarve, në mesin e të cilëve edhe Milan Radoiçiq.
Stano në një konferencë për media tha Bashkimit Evropian ka mirëpritur faktin që Prokuroria Speciale e Kosovës ka përfunduar hetimet, ndërsa tha që presin përfundimin e procesit gjyqësor dhe atëherë do të jetë koha për përgjegjësi.
“Bashkimi Evropian e mirëpret faktin që Prokuroria Speciale e Kosovës ka përfunduar hetimin për sulmin në Banjskë dhe është ngritur aktakuzë… Bashkimi Evropian vazhdimisht ka përsëritur pritjet që të gjithë përgjegjësit dhe të përfshirët në këtë sulm brutal të mbahen përgjegjës. Tashmë ka nisur procesi gjyqësor dhe ne presim përfundimin e procesit”, u shpreh zëdhënësi i BE-së.
Ai tha se presin që Serbia të bashkëpunojë në hetimet për sulmin në Banjskë.
“Kemi thënë atëherë në fund shtatorit të vitit të kaluar se ky sulm përbënte një eskalim të qartë e paprecedentë…dhe do të ketë pasoja. Kur gjykata në Kosovë të vendosë kush është fajtor, kush është përgjegjës apo i pafajshëm, atëherë do të jetë koha për përgjegjësi”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, duke shtuar se do të presin përfundimin e procesit gjyqësor për të ndërmarr veprime. /Telegrafi/