1.1 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Ajsbergu i politikës

Më të lexuarat

Politika për shumicën e njerëzve është një ajsberg i stërmadh, jo thjesht në kuptimin e atyre që luhen pas skene dhe nuk bëhen publike, por edhe për ato që mund të njihen, dhe shumica e njerëzve nuk duan dhe as marrin mundimin t’i dinë, sidomos kur bëhet fjalë për ngjarje të ndryshme që ndodhin nëpër botë, larg nesh. Rasti i Afganistanit tani së fundmi, është thjesht një nga rastet e shumta në vargun e ngjarjeve, për të cilat të gjithë flasin dhe bëjnë ekspertin e parashikuesin!

Politika ka brenda historinë, e cila mund të lexohet, ka brenda ekonominë, e cila mund të mësohet dhe analizohet, ka brenda interesat, traditat, zakonet, ideologjinë, fenë, luftërat etj., të cilat mund të njihen dhe kuptohen, për të pasur një pasqyrë më të plotë të asaj që ndodh në një vend të caktuar. Ndërkohë, të gjitha këto njohuri të domosdoshme për të kuptuar atë që ndodh në botë, edhe pse janë të mundshme për t’u njohur, ato përbëjnë atë pjesën e madhe të padijes, të ajsbergut që pluskon nën ujë për shumicën e njerëzve. Çuditërisht, atyre iu mjaftojnë dy lajme këtu e dy lajme atje, dhe pjesën tjetër e kanë të gatshme në mendje, për të mbyllur trekëndëshin e injorancës së tyre dhe për të dhënë opinione nga më të çuditshmet dhe interpretime nga më idiotet.

Ne harrojmë, se ashtu si dikur ca evropianë injorantë na konsideronin si njerëz me bisht, nga legjendat e popujve fqinjë për ne, ashtu edhe ne sot themi dhe besojmë broçkulla për popujt e tjerë, pa i njohur ata, as historinë dhe besimin e tyre, as zakonet dhe traditat, dhe as situatat gjeopolitike dhe ekonomike në të cilat kanë kaluar dhe gjenden.

Politika dhe interpretimi i asaj që ndodh sot në botë, është një nga ato fushat ku çdokush bën ekspertin dhe profetin madje, sidomos nëse është ithtar i besimeve konspirative e ka edhe më të lehtë, sepse modelet dhe skemat i ka të gatshme.

Dikur thuhej se gjysma e dijes ishte të pranoje që nuk dije dhe të heshtje, por fakti se sot askush nuk të ndalon të thuash padije dhe të marrësh like të shumta për të, nuk të bën analist politik të ditur dhe largpamës mendjemprehtë. Çdokush do të bënte mirë të heshtte dhe të lexonte më shumë, për të plotësuar ato njohuri të domosdoshme për të kuptuar ngjarjet në botë, sesa të shprehte çdo gjë që i vjen në kokë, sikur të ishte shpallje hyjnore, të cilën nuk lejohet ta fshehësh apo ndonjë ide brilante, që harrohet nëse nuk shkruhet.
Ju lutemi mbajeni përbrenda padijen tuaj, sepse nuk u bë nami pse nuk e dhatë opinionin tuaj për çfarë ndodh nëpër cepat e botës, dhe as nuk përmbyset dynjaja, nëse njerëzit nuk marrin këshillat tuaja.

Hoxhë Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit