3.4 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

AITC: Boton librin e Aleksandër Meksit: XHAMITË E SHQIPËRISË

Më të lexuarat

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam, sjell para lexuesit shqiptar librin: Xhamitë e Shqipërisë Historia, Arkitektura, shek. XV- XIX

Titulli i librit: XHAMITË E SHQIPËRISË
Historia, Arkitektura, shek. XV- XIX
Autori: Aleksandër Meksi
Botues: AIITC
Nr. faqeve: 248
Vendi dhe viti i botimit: Tiranë 2015
ISBN: 978-9928-126-12-2

Xhamitë, sahatkullat, medresetë e ndërtuara në Shqipëri e në mbarë viset shqiptare janë produkt i mendjes krijuese të arkitektëve dhe të mjeshtërve shqiptarë, duke ruajtur edhe karakteristikat e objekteve të vendeve të origjinës. Shumë prej tyre ruajnë vlera të veçanta arkitekturale shqiptare dhe mbeten si monumente të zhvillimit historik të objekteve të kultit në viset shqiptare, të cilat kanë tërhequr e tërheqin vëmendjen e vendasve dhe të huajve, vizitorë e turistë të profileve të ndryshme nga të katër anët e botës. Sigurisht, ato u tërheqin vëmendjen edhe studiuesve.

Në krye të kësaj pune, me interesa të holla intelektuale për trashëgiminë kulturore shqiptare, ka qenë dhe vazhdon të jetë aktiv, me kompetenca të larta shkencore, studiuesi e arkitekti i njohur, prof. dr. Aleksandër Meksi. Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC), duke çmuar vlerat e punës kërkimore, studimore e botuese të prof. Meksit, gjatë muajit tetor ka vënë në dispozicion lexuesve shqiptarë librin “Xhamitë e Shqipërisë: Historia, Arkitektura shek XV –XIX”.

Ky punim trajton vetëm arkitekturën e xhamive dhe përbëhet prej hyrjes dhe katër krerësh. Kreu i parë, “Rrethanat historike (shek. XIV-XIX) dhe arkitektura e xhamive”, jep një tablo historike të vendit në këtë periudhë, shkallëzimin në kohë të vendosjes së pushtimit osman dhe të administratës pushtuese, rezistencën e shqiptarëve në shek. XV, procesin e islamizimit, në fillim të feudalëve vendas dhe pastaj shtrirjen e tij në popullsinë e qyteteve dhe më tej të fshatrave, fillimin e rimëkëmbjes ekonomike dhe dukurinë e ndërtimit të faltoreve të kultit mysliman.

Në kreun e dytë, “Xhamitë me sallë të mbuluar me kupolë”, në rend kronologjik parashtrohen xhamitë e studiuara prej nesh dhe prej studiuesve të tjerë shqiptarë, mjaft nga të cilat u shembën dhunshëm në vitit 1967, por për të cilat ishte bërë, ndërkohë, studimi dhe dokumentimi, ndonëse në mjaft raste vetëm fillestar.Për secilin monument jepet arkitektura, të dhënat historike, datimi, krahasimet me xhami të tjera.

Në kreun e tretë, “Xhamitë me sallë të mbuluar me çati druri”, paraqiten ndërtimet e këtij tipi, mjaft të përhapura në Shqipëri, jo vetëm si ndërtime modeste e të përmasave të vogla, por dhe me vlera arkitekturore. Këtu ato paraqiten në rend kronologjik, të studiuara si ndërtim, vlera, krahasimi me xhami të tjera brenda vendit dhe të arealit ballkanik, si dhe datimi.

Kreu i katërt, “Karakteristika të përgjithshme të arkitekturës së xhamive të Shqipërisë”, është një sprovë mbështetur dhe në klasifikimet e kolegëve tanë, për një vështrim të përbashkët të këtyre ndërtimeve në territorin e Republikës së Shqipërisë. Në të jepen gjykime për ndërtimin, shtrirjen, nivelin, zhvillimin në kohë të arkitekturës islamike, vendin e saj në ndërtimet bashkëkohore, lidhjet me gjinitë e tjera të arkitekturës, elementë të veçantë të formës dhe zbukurimorja, teknika e ndërtimit dhe vendi i saj në tërësinë e ndërtimeve të Perandorisë.

Ky botim i pajisur dhe me një rezyme në gjuhën angleze, është ripunuar dhe pasuruar me të dhëna të reja duke shpresuar se të tjerë më pas do të ndërmarrin studime më të plota, në të gjithë territorin e banuar nga shqiptarët në këta shekuj, së bashku me veprat e arkitektëve shqiptarë në Perandorinë Osmane e të bazuara mbi një njohje të plotë të arkivave, dëshmive të kohës dhe studimeve më të fundit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit