Ndërsa kemi filluar muajin e Ramazanit, le të shpresojmë dhe të lutemi që agjërimi dhe ibadetet tona të arrijnë në thellësitë e zemrave dhe shpirtrave tanë.
Sot është fillimi i muajit të shenjtë të Ramazanit, gjatë të cilit myslimanët agjërojnë nga agimi deri në perëndim të diellit si një akt adhurimi dhe nënshtrimi. Në një botë që është zhytur kaq shumë në vetvete, ku interesat dhe kënaqësitë individuale janë idealizuar, një njeriu modern agjërimi mund ti duket si një veprim i çuditshëm dhe madje një diçka ekstreme. Disa mund ta refuzojnë agjërimin duke e vlerësuar atë si të paarsyeshëm. Por një reflektim i shpejtë tregon se agjërimi është një veprim (ibadet) që më shumë bëhet për mendjen, frymën dhe shpirtin se sa për trupin tonë dhe na ndihmon të arrijmë shkallët më të larta të njerëzimit tonë.
Agjërimi është një akt i mendjes dhe vullnetit. Një njeri nuk do të agjërojë nëse ai nuk është i bindur për qëllimin fetar të agjërimit. Për të vendosur të agjërojë personi duhet të ketë njohuritë e mjaftueshme dhe gjykimin e duhur për ta bërë atë. Ky është një parim themelor i të drejtës islame, pasi ata që e kanë humbur ekuilibrin mendor nuk kanë përgjegjësi në përmbushjen e obligimeve fetare. Agjërimi na nxit që të mendojmë thellësisht për të reflektuar mbi veten dhe botën gjatë agjërimit. Largimi nga ushqimi, pirja dhe/ose marrëdhëniet seksuale gjatë agjërimit, në thelb është një akt që ka të bëjë me mendjen dhe vullnetin dhe jo me trupin tonë.
Agjërimi është gjithashtu një akt vullneti me anë të të cilit ne përdorim arsyen dhe vullnetin tonë për të qëndruar larg kënaqësive të kësaj bote me qëllimin për të arritur në gjendje më të larta të ekzistencës. Këtë nuk mund ta bëjmë pa u bindur për vërtetësinë e agjërimit dhe pa disiplinuar mendjet dhe trupat tanë.
Mirëpo më e rëndësishme se kjo është agjërimi me frymë dhe shpirt. Këto dy terma e kanë humbur kuptimin e tyre origjinal, kryesisht në shoqëritë konsumatore post-iluministe. Në disa raste, këto terma nuk i përdorim më as për të shpjeguar gjendjen njerëzore. Ndërkohë që për mijëra vjet, qeniet njerëzore janë konsideruar si të përbëra jo vetëm nga mendja dhe trupi, por edhe nga fryma e shpirti. Reduktimi i natyrës komplekse njerëzore në “Psike”, një term tjetër ky i preferuar i modernitetit, dhe përjashtimi i gjendjeve të tjera të natyrës njerëzore duke i cilësuar ato si jo-shkencore dhe/ose teologjike ka arritur në një kosto, të cilën ne e kemi të vështirë ta kuptojmë. Psikologjisja e frymës dhe shpirtit njerëzor ka shkaktuar rrëgjimin e gjendjes njerëzore.
Në traditën islame, “fryma” (nefs) i referohet njeriut në tërësi dhe ka gjendje të ndryshme, duke filluar nga përsosmëria shpirtërore dhe kënaqësia e deri te dekadenca morale e shkatërrimi. Kjo (nefsi) mund të na bëjë vërtet qenie njerëzore ose mund të na çojë në një gjendje më poshtë se sa ajo e kafshëve. Mund të bëhet një pasqyrë që reflekton bukurinë krijuese të Zotit ose një moçal që na tërheq neve drejt errësirës. Është kjo natyrë shumëdimensionale e frymës që kërkon vëmendjen tonë edhe gjatë agjërimit. Reduktimi i frymës njerëzore ndaj dëshirave të nënvetëdijshme (subliminale) është njësoj sikur të pranosh që njeriu përbëhet vetëm nga kockat dhe mishi.
Ne kemi një problem të ngjashëm sot edhe me fjalën shpirt. Këtë fjalë pothuajse nuk e përdorim fare në kuptimin e saj origjinal metafizik dhe moral. Shpirti i referohet substancës hyjnore që Zoti dha për të krijuar njeriun. Ajo lidh ekzistencën tonë tokësore me atë hyjnore. Kur e ushqejmë atë siç duhet, ai na ngre në nivelin e engjëjve dhe madje edhe më lartë. Nëse injorohet dhe errësohet (shpirti), kjo mund ti kthejë njerëzit në një përbindësh.
Me këto paralajmërime mund të themi se kur agjëron njeriu arrin një gjendje të vërtetë të përsosjes shpirtërore jo vetëm me trupin, por edhe me zemrën, frymën dhe shpirtin e tij. Kontrolli i vetvetes për të qëndruar larg kënaqësive fizike për një periudhë të caktuar kohore është një akt i rëndësishëm i vullnetit. Por është gjithashtu një ‘stërvitje’ për udhëtimin e tij shpirtëror. Duke marrë më pak nga bota materiale, fitojmë më shumë nga sfera shpirtërore.
Por, meqë Islami na nxit që të përvetësojmë një rrugë të mesme në të gjitha gjërat, ai nuk lejon për të shkuar në ekstremet e mohimit dhe vetë-privimit. Pas agjërimit nga agimi deri në perëndim të diellit, ne jemi të ftuar të çmojmë sakrificën tonë trupore dhe shpirtërore me një vakt që shërben si shpërblim për ditën. Por kjo është vetëm për të marrë ushqimin e nevojshëm për t’u kujdesur për trupat tanë. Esenciale është të vazhdosh udhëtimin shpirtëror gjatë natës me lutje, ibadet dhe meditim. Ndërsa ushqejmë frymën dhe shpirtin tonë me ushqimin e duhur, ne bëhemi më të plotë dhe më të pasur.
Duhet gjithashtu të kujtojmë se libri i shenjtë i Islamit, Kur’ani filloi të zbresë në muajin e Ramazanit. Kur’ani është libri ku ne gjejmë udhëzimet më ndriçuese për një jetë të shëndetshme shpirtërore. Kur’ani i nxit të gjitha qeniet njerëzore të përdorin mendjen dhe vullnetin e tyre për të udhëhequr një jetë të moralshme dhe të virtytshme. Gjendjet e zemrës, frymës dhe shpirtit ai i përshkruan me një qartësi të mrekullueshme. Kur’ani thotë se ne jemi njerëz në atë masë sa përpiqemi të kapërcejmë qenien trupore dhe ta pasurojmë shpirtin tonë pa shkuar kurrë në ekstreme dhe mohuar në tërësi gjendjen njerëzore.
Ndërsa kemi filluar muajin e Ramazanit, le të shpresojmë dhe të lutemi që agjërimi dhe ibadetet tona të arrijnë në thellësitë e zemrave dhe shpirtrave tanë.
Autor:Ibrahim Kalin – Zëdhënës dhe zv/sekretar i përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Turqisë
Shqipëroi: Serdar Hüseyni