3.4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Agjërimi i Ramazanit në gjendje të jashtëzakonshme

Më të lexuarat

“Jusufit a.s i është thënë: “Pse po mbetesh i uritur, kur ti je përgjegjës i depove të mbarë botës?” Kurse, ai është përgjegjur: “Kam frikë se, nëse ngopem, do të harroj të uriturin”

Nga Kujtim Kasami

Agjërimi

Qëllimi kryesor i agjërimit është që të jemi të devotshëm. Al-llahu i Madhërishëm mbi qëllimin e agjërimit në Kur’an thotë:

”O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm”. (El-Bekare:183)

Urdhëri për agjërim

Me këto fjalë Allahu i Madhërishëm iu drejtohet besimtarëve të këtij umeti duke i urdhëruar të agjërojnë. Agjërimi është përmbajtje nga të ngrënit, të pirët dhe marëdhëniet seksuale me qëllim të sinqertë për hir të Allahut të Madhërishëm. Agjërimi e pastëron, dëlirë dhe kullon shpirtërin nga përzierjet e liga dhe vetitë e neveritura. Për këtë, Buhariu dhe Muslimi shënojnë hadithin, në të cilin thuhet: “O ju të rinj, kush ka mundësi të martohet, le të martohet, e kush nuk ka mundësi të martohet, atëher le të agjërojë, se agjërimi është mbrojtje për të” .

“Es-sijam” – “Es-savm” është agjërimi. Në aspektin etimologjik do të thotë: të përmbajturit ndaj diçkaje dhe braktisja e tij.

Në terminologjinë islame agjërimi është: Abstenimi nga ushqimi, pija, marëdhëniet intime bashkëshortore, me nijet, nga agimi deri në perëndim të diellit, përsosmërinë e së cilit e arrin duke u larguar nga kundërvajtjet dhe veprimet që janë rreptësishtë të ndaluara.

Agjërimi i ramazanit është obligim i prerë, pavarësishtë nëse kryhet me kohë apo kompensohet, për atë që i plotëson katër kushte:

Të jetë musliman.
Të jetë i shëndoshë psikikishtë.
Të jetë i moshës madhore, ngase agjërimi i ramazanit nuk është i obliguarpër atë që nuk është i moshës madhore. Mirëpo, kujdestari duhet ta urdhërojë fëmijën të agjërojë, nëse mund ta durojë agjërimin, e kjo varet nga trupi dhe nga fakti nëse agjërimi bëhet verës apo dimrit. Fëmija që i mbush dhjetë vjet duhet të motivohet të agjërojë, siç bëhet edhe për namaz. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: Urdhërojini fëmijët tuaj të falen kur t’i mbushin shtatë vjet, ndërsa, i ndëshkojini kur t’i mbushin dhjetë vjet dhe ndani në shtretër të veçantë .
Ta dijë që agjërimi i ramazanit është obligim. Kjo ka të bëjë me personin, i cili e ka pranuar Islamin në një vend jomusliman. Nëse personi ndodhet në një shtet islam, që agjërimi i tij të jetë obligim nuk shtrohet si kusht, ngase për atë person padituria për obligimin e agjërimit nuk i falet në një vend islam dhe e ka detyrë t’i kompensojë ditët e lëshuara. Ai që e pranon Islamin në një vend joislam dhe nuk e ka kuptuar obligimin e agjërimit të ramazanit, agjërimi nuk i obligohet përderisa të mos e kuptojë këtë. Kur ta ketë kuptuar, nuk është i detyruar ta kompensojë atë që e ka lëshuar, ngase nuk e ka obligim pa dituri, ndërsa arsyetimi është padituria. Diturinë, e cila e obligon të agjërojë, e fitonë nëse e informojnë dy burra, ose një burrë dhe dy femra, ose një njeri i sinqertë .
Kushtet për pranimin e agjërimit

Nijeti (vendosja) në kohën e tij për çdo ditë, koha e nijetit është prej fillimit të natës, pas akshamit dhe zgjat deri në gjysmën e ditës, afërsishtë një orë para drekës. Nëse nuk e ka bërë nijet gjatë kësaj kohe, as nuk ka vendosur me zemër të agjërojë, agjërimi i tij nuk do t’i vlejë, as si agjërim farz, as si agjërim vullnetar, atë ditë nuk duhet të hajë dhe duhet ta kompensojë pa kefaret.
Nijeti është kusht, vendosja me zemër, kurse shqiptimi i nijetit me gjuhë është sunet. Në agjërim vetë ngritja në syfyr është nijet i qartë, mirëpo të shqiptuarit e nijetit me gjuhë është më i lavdëruar.
Të mos ekzistojë diçka që vjen në kundërshtim me agjërimin, si hajdi apo nifasi.
Të mos ndodhë diçka që e prish agjërimin .
Agjërimi është tre lloje

Agjërim i njerëzve të zakonshëm dhe ky agjërim është kur agjëruesit i agjëron thjeshtë stomaku. Ky lloj agjërimi është i pranuar dhe të quhet se ke agjëruar, por nuk e ka shpërblimin e agjërimit që përmendet në hadithet e Muhamedit a.s. Në një hadith Pejgamberi a.s. thotë: “Ka agjërues që nuk përfitojnë nga agjërimi veç urisë dhe etjes”, “Kush nuk largohet nga fjalët e ndyra dhe punët e ulëta, Zoti nuk ka nevojë që ai njeri të lërë ushqimin dhe pijen (për të agjëruar)”.
Agjërim i njerëzve të veçantë. Agjëruesit e këtij lloji veç stomakut u agjërojnë dhe pjesët e tjera të trupit. Atyre u agjërojnë sytë me të cilët nuk shikojnë haram gjatë këtij muaji. U agjërojnë veshët nga fjalët e ulëta, u agjërojnë duart nga të prekurit çdo gjë haram… Kjo jo vetëm gjatë agjërimit, por dhe natën pasi të kenë çelur iftar.
Agjërim tepër i veçantë. Ky është agjërimi më i mirë. Ky lloj është kur zemra të të agjërojë ndaj çdo gjëje që nuk e pëlqen All-llahu .
Përse të agjërojmë

Gjatë gjithë historisë njerëzore, njerëzit janë interesuar përse jemi të obliguar me agjërim?

Dijetarët, gjithmonë, në çdo kohë kanë dhënë përgjigje në këtë kontekst dhe janë munduar të sqarojnë për agjërimin dhe dobitë e tij.

S’do mend se agjërimi siguron shumë dobi madhështore, të cilat shumica nuk i dinë, duke menduar se agjërimi shkakton vetëm urinë, rraskapitjen e trupit, privim nga liria dhe sipas tyre, kjo nuk ka ndonjë arsyetim logjik, sepse e dëmton trupin pa siguruar ndonjë dobi… Kurse të mençuritë dhe intelektualët kanë arritur të pranojnë urtësinë e agjërimit, duke parë disa nga dobitë dhe fshehtësitë e tij, qëndrim të cilin e përkrahën mjekët, të cilët konstatuan se agjërimi është mjeti më i mirë i kurimit, mbrojtja më e shëndoshë dhe ilaçi më i dobishëm për shumicën e smundjeve trupore.

Ajo që vërehet dhe që mund të lexohet në çdo mësim-libër, ku shkruhet për agjërimin është se: – agjërojmë që të bëhemi të devotshëm.

Çka është devotshmëria?

Pra, qëllimi kryesor i agjërimit është që të jemi të devotshëm. Po çfarë është devotshmëria?

Devotshmëria është që All-llahu të të gjejë aty ku të ka urdhëruar dhe mos të të shohë aty ku ta ka ndaluar. Nëse të ka urdhëruar të falesh, të të gjejë në xhami në kohën e faljes. Nëse të ka urdhëruar të ulësh shikimet ndaj pamjeve të ndaluara, t’i bindesh këtij urdhëri. Nëse të ka urdhëruar t’i respektosh prindërit, t’i bindesh. Të ka ndaluar alkoolin, mos mbaj alkool në shtëpi…

Agjërimi ndikon në trupin e njeriut në dy mënyra, duke të dobësuar diçka dhe duke të forcuar diçka tjetër.

Ajo që dobësohet me agjërimi është dominimi i trupit mbi shpirtërin dhe agjërimi zvogëlon në masë të madhe ndikimin e epsheve në jetën e njeriut. Duke pakësuar ushqimin dhe të ngrënit, agjërimi pakëson dhe sistemon epshet. Nëse ndodh kjo, arrihet qëllimi final i agjërimit, i cili është siç thamë më sipër , devotshmëria.

Këto ishin dy gjëra që i dobëson agjërimi, kurse ato që i forcon janë:

1.Forcon rezistencën ndaj çfarë do lloj joshjeje pasi ty ndoshta të hahet, por kur mendon që po agjëron ndalohesh derisa të vijë koha e iftarit.

Rezistenca ndaj joshjeve është vetë devotshmëria.

2.Forcon marrëdhëniet shoqërore. Familja bashkohet e gjitha në kohë të iftarit.

Urtësitë e agjërimit

Dijetari i shquar Muhammed Ali Sabuni në librin e tij “Revaiu-l-Bejan tefsiri ajati-l-Ahkami mine-l-Kur’an” (Sqarime të shkëlqyeshme të komentimit të dispozitave Kur’anore), në pjesën e nëntë të këtij libri, në temën: Agjërimi si normë obligative për muslimanët; ndër të tjerta flet edhe për urtësistë e ligjësimit të agjërimit.

Në vazhdim, do të përmendim katër urtësitë e agjërimit, të cilat i lexojmë në librin e sipërpërmendur, edhe atë:

Urtësia e parë: Agjërimi është shprehje e përkushtimit të adhurimit ndaj Lavdiplotit, duke iu nënshtruar urdhërave dhe njëherësh duke u larguar nga ndalesat e Tij, prandaj edhe në hadithin kudsij thuhet: “Çdo veprim që bën biri i Ademit do të shpërblehet pos agjërimit, ai është për Mua dhe Unë e shpërblej për të, ai braktis ushqimin, pijen dhe epshin për hirin Tim” .

Urtësia e dytë: Urtësia e ligjësimit të agjërimit nënkupton kalitjen e shpirtërit, ndihmon në kontrollin e durimit dhe përballimin e vështirësive në rrugën e All-llahut të Madhërishëm. Është dallim i madh mes njeriut që udhëhiqet nga epshet dhe pasionet e tij, i cili bën një jetë bagëtie, që jeton për të ngopur vetëm barkun dhe epshin e tij, dhe mes njeriut që ka mposhtur epshin dhe e ka vënë nën kontroll, për faktin se ky është një engjëll nga engjëjt e pastër! Të vërtetën e tha Lavdiploti kur thotë: “… E ata që nuk besuan, përjetojnë kënaqësi ( në këtë jetë) dhe hanë ashtu si hanë kafshët, e vendi i tyre është zjarri”. (Muhammed: 12)

Urtësia e tretë: Agjërimi tek njeriu krijon ndjenjën e dashurisë, ndjesisë dhe dhembshurisë për të bërë prej tij një njeri altruist, shpirtmirë dhe për të vënë tek ai në funksion shkëndijat e fshehura të imanit… Jusufit a.s i është thënë: “Pse po mbetesh i uritur, kut ti je përgjegjës i depove të mbarë botës?” Kurse, ai është përgjegjur: “Kam frikë se, nëse ngopem, do të harroj të uriturin”.

Urtësia e katërt: Agjërimi kalit shpirtrin njerëzor, duke mbjellë në të frikën nga Madhëria e Lavdiplotit, i Cili e përcjell në lëvizjet e tij fshehurazi dhe sheshazi dhe e bën njeriun të devotshëm e të çiltër, duke e larguar nga çdo e keqe që e ka ndaluar Lavdiploti. Urtësia e agjërimit qëndron në arritjen e gradës së devotshmërisë, sepse Lavdiploti, kur përmendi urtësinë e ligjësimit të agjërimit tha: “Kështu që të bëheni të devotshëm”, prandaj devotshmëria është fryt i agjërimit, të cilin e korrë agjëruesi nga ky ibadet…

Vërtetë sa madhështor që është agjërimi dhe ç’urtësi shkëlqyese hyjnore ka në legjislacionin e All-llahut të Drejtë dhe të Urtë !!

Ky Muaj i Ramazanit do të mbahet mend gjatë sepse do të kaloj në gjendje të jashtëzakonshme, pa iftare dhe syfyre të përbashkëta, do të mungoj falja e namazeve të përbashkëta, me xhami të zbrazura…!
Megjithatë, ky ramazan do të jetë prezent në familje, do të përjetohet individualisht nga besimtarët ndërsa freskia dhe aroma e agjërimit do të ndjehet familjarisht.

Sigurisht në çdo situatë të vështirë dhe të jashtëzakonshme nuk është çdo gjë e keqe, shpresoj dhe jam thellë i bindur se edhe në këtë gjendje ka diçka të mirë.

Zoti mos na privoftë nga mirësit e Tij !

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit