0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Agjentë me influencë në Kosovë

Më të lexuarat

Aktualisht, në Kosovë veprojnë agjenturat influente të shteteve që ia duan të mirën Kosovës dhe të atyre shteteve që kanë qëllim armiqësor ndaj Kosovës. Ndër këto agjentura më e rrezikshmja është ajo serbe.

Gjatë historisë së njerëzimit përmes logjikës së shërbimeve sekrete, janë realizuar veprime të cilat nuk kanë mundur që t’i realizojnë ushtri të tëra. Sinonim i kësaj është i ashtuquajturi Kali i Trojës (Ilionit), përmes të cilit grekët mbërritën ta pushtojnë qytetin e fortifikuar, të cilën me luftë nuk arritën ta pushtonin dot, edhe pse dhjetë vjet me radhë e kishin mbajtur të rrethuar.
Edhe sot, historianë të shumtë kanë dilema se si trojanët ranë në karremin e servuar nga grekët (Odiseu)? Në Iliadë, Homeri përshkruan kohë pas kohe veprime zbuluese të ndërmarra nga ushtria greke, por nuk flet për asnjë moment për një shërbim të centralizuar, i cili merret me këtë punë. Vet akti i sajimit të mashtrimit mund ta vërtetojë ekzistencën e një shërbimi zbulues, i cili me kalimin e viteve me sa duket ka arritur te ngjitet shumë lartë në strukturat komanduese të ushtrisë së Priamit.
Pushtimi i Trojës nuk ka ndodhur për faktin se grekët e ndërtuan një kalë të drunjtë dhe atë e lanë jashtë mureve të qytetit. Grekët edhe më parë kanë mundur të ndërtojnë turma kuajsh të drunjtë, por ata do të kishin mbetur jashtë mureve të qytetit sikur dikush me influencë nga radhët e strukturave udhëheqëse trojane të mos kishte urdhëruar futjen e tyre brenda. Kështu, vetëm futja e dhjetëra ushtarëve sa ka zënë brendia e kalit të drunjtë nuk do të kishte paraqitur ndonjë problem për sigurinë e qytetit, sikur dikush me influencë nga udhëheqja trojane të mos e sabotonte shërbimin e zbulimit, i cili e kishte për detyrë që t’i përcjellë aktivitetet e ushtrisë greke gjatë tërheqjes. Siç duket pas vdekjes së Hektorit, Priamit plak i kishin dalë nga dora shumë gjëra dhe në hierarkinë e tij shtetërore grekët kishin rekrutuar njerëz me influencë dhe e kishte bërë atë që të marr vendime të gabuara.

Agjentura influente është në veprim
Termi “agjenturë influente” bëhet i njohur së pari nga një fjalim i shefit të KGB-së, Vladimir Kluçkov i mbajtur para deputetëve të Sovjetit Suprem më 17 qershor të vitit 1991. Kluçkov, duke iu referuar një dokumenti të cilin KGB-ja ia dërgonte Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të BRSS-së më 24 qershor të vitit 1977, para deputetëve sovjetikë i prezanton përmasat e rrezikut të shkatërrimit të shtetit sovjetik nga “Plani i CIA-s për rekrutimin e agjenturës influente nga radhët e qytetarëve sovjetikë”.Në kuadër të debateve se si u shkatërrua perandoria sovjetike, shumë analistë këtë ia atribuojnë aksioneve sekrete të CIA-s, në radhë të parë e potencojnë veprimtarinë e agjenturës influente, e cila duke qenë në vendet kyçe e ka sabotuar funksionimin e sistemit shtetëror në të gjitha segmentet e veçanërisht në atë ekonomik dhe politik. Në këtë kuadër, sot e kësaj dite “perestrojka” e Gorbaçovit, e cila merret si paraprijëse e shkatërrimit të shtetit sovjetik, shikohet si projekt i prodhuar nga agjentura influente e rekrutuar nga CIA.

Kush janë agjentët influentë?
Agjenti influent nuk do të thotë të jetë njeriu i parë i një shteti. Janë raste të rralla në histori kur njeriu i parë i një shteti ka arritur që të rekrutohet nga shërbimi armik. Agjentët me influencë, zakonisht i përkasin nivelit të dytë ose të tretë në institucione drejtuese, ku shërbimi armik e bën lojën e vet në mënyrë të heshtur dhe pa u hetuar. Kjo do të thotë se ata janë persona, të cilët me autoritetin e tyre politik (nganjëherë edhe ekonomik) ndikojnë te personat vendimmarrës në marrjen e vendimeve të gabuara, të cilët shkojnë në dobi të armikut. Zhvillimi i kësaj veprimtarie nuk mund të ndodhë i veçuar. Ajo do një përfshirje të gjithanshme, e cila gjithsesi duhet të ketë mbështetje mediale. Veprimi i gjithanshëm në fushata të këtilla të sofistikuara, mbërrin që me vete të marrë edhe shumë persona, të cilët pa vetëdije futen në këtë lojë, por që janë influentë në rrethin ku jetojnë dhe veprojnë.
Nëse vetëm pak shikojmë nga e kaluara jonë jo e largët, sigurisht se do të na kujtohen veprimet e agjenturës influente serbe, e cila ne gjysmën e dytë të viteve nëntëdhjeta provonte që shqiptarët e Kosovës t’i fuste në kuadër të sistemit jugosllav të administrimit.
Aktualisht, në Kosovë veprojnë agjenturat influente të shteteve që ia duan të mirën Kosovës dhe të atyre shteteve që kanë qëllim armiqësor ndaj Kosovës. Ndër këto agjentura më e rrezikshmja është ajo serbe, e cila është instaluar gjithandej dhe herë pas here nga mbështetja e paqëllimtë e disa mediave, Kosovës i shkakton dëme të papara. Le ta marrim vetëm një segment, atë të Shërbimit Policor të Kosovës (SHPK). Sipas publikimeve të bëra, personi i cili ishte i autorizuar për rekrutim, sistematizim dhe gradim në kuadër të SHPK-së, ka kërkuar azil politik në Angli dhe ka pranuar se ka qenë agjent i shërbimit serb (BIA). Deri sot, nuk është bërë publike asnjëherë nga organet e specializuara të SHPK-së, se cili është dëmi që ky person i ka shkaktuar këtij shërbimi. Nga dëmet më të mëdha që mund të ketë shkaktuar ky person është mënjanimi i personave intelektualë nga strukturat komanduese të SHPK-së dhe instalimi i rrjetit të tij në këto struktura, ku për pasojë kemi një zbulueshmëri shumë të ulët të krimeve nga SHPK. Është e pakuptueshme se si në kuadër të SHPK-së gradohen pjesëtarë, të cilët e kanë të dyshimtë diplomën e shkollës së mesme, ndërsa mbeten pa grada inxhinierët, ekonomistët, juristët… Kjo më së miri e vërteton praninë e agjenturës influente në këtë institucion, por edhe në institucionet tjera. Secili që ia do të mirën Kosovës, le të shikojë se kë ka afër tij!

FADIL KAJTAZI

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit