Luftimet në Gaza u ndërprenë sipas marrëveshjes së pauzës humanitare 4-ditore midis Izraelit dhe Hamasit
Situata humanitare në Rripin e Gazës është bërë shumë më e rëndë, tha të premten Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), raporton Anadolu.
Luftimet midis grupit të rezistencës palestineze, Hamasit, dhe Izraelit në Gaza u ndalën të premten në bazë të një marrëveshjeje katërditore humanitare.
“Dimri po afron shumë shpejt dhe po bëhet më i ftohtë në Gaza. Sëmundjet e lëkurës dhe diarreja janë rritur në mënyrë eksponenciale si rezultat i kushteve josanitare të përkeqësuara shumë nga shiu”, tha Komisioneri i Përgjithshëm i UNRWA-së, Philippe Lazzarini gjatë një vizite në enklavë.
“Në disa vende, shkalla e sëmundjeve është 45 herë më e lartë se sa ishte në vitet e mëparshme. Siç thashë më parë, është vetëm çështje kohe para se njerëzit në Gaza të fillojnë të vdesin për shkak të rrethimit dhe mungesës së elementeve bazë, jo vetëm për shkak të bombardimeve”, tha ai.
Lazzarini përsëriti kërkesën e tij për një armëpushim humanitar afatgjatë në Rripin e Gazës.
“Njerëzit kanë nevojë për pushim, ata meritojnë qetësi, ata meritojnë të flenë natën pa qenë në ankth nëse do t’ia dalin mbanë. Sa më gjatë të vazhdojë kjo luftë, aq më i thellë do të jetë polarizimi, zemërimi, zhgënjimi dhe aq më larg jemi nga perspektiva e një zgjidhjeje politike”, tha ai.
Izraeli dhe Hamasi shkëmbyen 24 izraelitë dhe të huaj me 39 palestinezë nga burgjet izraelite të premten, në ditën e parë të pauzës humanitare.
Sipas marrëveshjes, pengjet do të lirohen në grupe gjatë katër ditëve.
Izraeli filloi fushatë masive ushtarake kundër Rripit të Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi muajin e kaluar.
Që atëherë në sulmet izraelite janë vrarë të paktën 14.854 palestinezë, përfshirë 6.150 fëmijë dhe mbi 4.000 gra, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë.
Numri zyrtar i të vdekurve në Izrael është 1.200.