Të pasionuarit e UFC po numërojnë orët, teksa afrohet gjithmonë e më shumë një ndër ndeshjet më të shumëpritura në “Artet Marciale të Përziera” ndërmjet Conor McGregor dhe Khabib Nurmagomedov. “Shqiponja” Nurmagomedov paraqitet si kampioni në fuqi në peshën e lehtë në UFC, por njëherësh edhe si i pari rus apo dhe i pari sportist me origjinë myslimane që ka fituar titull në Ultimate Fighting Championship, ndërsa “Famëkeqi” McGregor i rikthehet dueleve në këtë sport pas një mungese pothuajse 2-vjeçare.
Të dy janë moshatarë dhe 30-vjeçari irlandez është dy muaj më i madh se sa Khabibi, që gjatë kohës që Conor ka munguar ka zhvilluar edhe dy ndeshje të tjera me kundërshtarë si Edson Barboza dhe Al Iaquinta, duke fituar në këtë mënyrë titullin vakant në peshën e lehtë në UFC, pas që në këtë sport përmbledh peshat nga 66-70 kilogramë. Tony Ferguson duhej të mbronte titullin në këtë peshë në muajin prill, por 34-vjeçarit amerikan iu hoq brezi, pasi dëmtoi gjurin, duke i hapur rrugë kështu luftëtarit rus, që mundi me vendim unanim italo-amerikanin Al Iaquinta.
Nurmagomedov konsiderohet si i pathyeshëm, teksa mban edhe rekordin e takimeve pa humbje në MMA, me plot 26 fitore radhazi, ndërkaq në krahun tjetër McGregor është një legjendë e këtij sporti, sepse pasi mundi më 12 nëntor të 2016 në Neë York Eddie Alvarez-in u bë sportisti i parë që mbajti dy tituj njëkohësisht në dy pesha të ndryshme në historinë e UFC. Reputacioni i irlandezit u dëmtua disi pas duelit të boksit me Floyd Mayweather Jr, sidoqoftë në Nevada 13 muaj më parë “Mystic Mac” i rezistoi Pretty Boy-t për plot 10 raunde, në një ndeshje ku boksieri i pathyeshëm nga Shetet e Bashkuara mendohet se fitoi 100 milionë dollarë, ndërsa Conor 30, sfidë që u fry shumë mediatikisht, por që gjithsesi pati një vëmendje të jashtëzakonshme.
Mjafton të përmendet fakti që në Mbretërinë e Bashkuar një duel i tillë pati një shikueshmëri më të madhe se sa edhe vetë supersfida e peshave të rënda në boks, që u mbajt në Stadiumin Wembley, Wladimir Klitschko-Anthony Joshua. Nurmagomedov për momentin konsiderohet favorit, në një sfidë që pritet me ankth dhe shumë emocion nga përkrahësit e këtyre dy sportistëve, ndeshje për të cilën Tony Ferguson ka uruar që të mbyllet pa fitues dhe të përfundojë me “double knockout”. Përpara duelit me Floyd Maweather Jr McGregor deklaroi se boksi përfaqëson vetëm 1/5 e arsenalit luftarak, që ai zotëron, sidoqoftë është e kuptueshme që Khabibi ndonëse mbetet i vetëdijshëm për aftësitë dhe forcën e tij ka një natyrë më të përmbajtur dhe shumë më modeste, ndërsa Conor në krahun tjetër është i famshëm për jetën dhe tepritë e tij.
Kështu për shkak të problemeve dhe incidentit që provokoi në muajin prill në New York, në Brooklyn Barclays Center “Notorious” shleu dënimin me pesë ditë në shërbim të komunitetit në korrik, muaj kur për hir të së vërtetës irlandezi pozoi me Vladimir Putin, pas një ftese të supozuar të marrë nga vetë presidenti rus për të ndjekur finalen e Kupës së Botës. Goxha ndryshim duke pasur parasysh që po në të njëjtën ditë, teksa Conor gjerbte uiskin e tij në lozhë, në Suitat VIP, Khabib Nurmagomedov preferoi ta ndjekë ndeshjen Francë-Kroaci në tribunën tjetër bashkë me tifozët. Dueli McGregor-Nurmagomedov do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, në Las Vegas dhe natyrisht gjithë të pasionuarit do të kenë rastin për ta shijuar në Supersport, një sfidë për të cilën plot dy milionë vetë pritet të paguajnë në Amerikën e Veriut nga 70 dollarë, për të ndjekur takimin nëpërmjet mënyrës Pay-per-View.