3.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Afro 3 mijë ndërmarrje të reja ekonomike u regjistruan vetëm gjatë muajve prill-qershor në Kosovë

Më të lexuarat

Gjithsej 2 mijë e 835 ndërmarrje ekonomike janë regjistruar si biznese në Kosovë, vetëm për tre muaj, prill-maj-qershor të këtij viti.

Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2022, në tremujorin e dytë ka pasur një rritje shumë të vogël, prej 0.01% të ndërmarrjeve të regjistruara, ndërsa nëse e krahasojmë tremujorin e dytë 2022, me tremujorin e njëjtë të vitit 2021, ka pasur rritje për 0.08% këtë vit.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar këtë javë “Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë për tremujorin e dytë (TM2) të vitit 2022”, në të cilin theksohet se aktiviteti më i preferuar ekonomik edhe gjatë kësaj periudhe në Kosovë, vazhdon të mbetet Tregtia, përcjell Buletini Ekonomik.

Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin si në vazhdim: Tregtia me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave, me gjithsej 692 ndërmarrje të regjistruara (24.4%), nga sektori i Akomodimit dhe aktiviteteve të shërbimeve me ushqim u regjistruan 332 ndërmarrje  (apo 11.7%), Ndërtimtaria me 299 ndërmarrje të regjistruara (10.5%); sektori i prodhimit me 286 ndërmarrje të regjistruara (10.1%), si dhe sektori i Aktiviteteve profesionale, shkencore dhe teknike me 266 ndërmarrje të regjistruara (9.4%), etj.

ASK-ja bën të ditur se prej të gjitha ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor, gjithsej 2 mijë e 735 ndërmarrje të regjistruara ishin të kategorisë me 1 deri në 4 të punësuar (96.5%), me 5 deri 9 të punësuar janë 63 sosh (2.2%); me 10 deri në 19 të punësuar janë 30 ndërmarrje të regjistruara (1.1%); me 20 deri 249 të punësuar janë 3 ndërmarrje të regjistruara (0.1%); dhe në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar ishin 4 ndërmarrje të regjistruara (0.1%).

Ndërkaq, sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor tjetër, mbizotëron komuna e Prishtinës me 809 ndërmarrje të regjistruara (28.5%), pastaj Ferizaji me 236 ndërmarrje të regjistruara (8.3%), Prizreni me 220 ndërmarrje të regjistruara (7.8%), Gjilani me 159 ndërmarrje të regjistruara (5.6%), Peja me 156 ndërmarrje të regjistruara (5.5%), dhe Mitrovica me 129 ndërmarrje të regjistruara (4.6%).

Ndërsa, komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor. /Buletini Ekonomik/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit