3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Administrata Biden shton përpjekjet për vaksinim

Më të lexuarat

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kenë një të tretën e popullsisë të pavaksinuar kundër COVID-19. Kjo shifër tregon se sa e vështirë është thyerja e hezitimit për t’u imunizuar ndërsa dallimet mes partisë demokrate dhe asaj republikane mbi vaksinën po vazhdojnë të pengojnë përpjekjet për të mposhtur virusin.

Sipas Qendrës amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, zonat në ShBA ku vaksinimi kundër COVID-19 është në shkallën më të ulët po shohin rritje të shtrimeve në spital, duke përfshirë të rriturit nga mosha 18 deri 49 vjeç, që tani përbëjnë 40 për qind të të shtruarve.

Javën që shkoi Presidenti Joe Biden tha se është koha për një fushatë më të gjerë informuese për të bindur njerëzit që të vaksinohen.

“Duhet të shkojmë në çdo komunitet, çdo lagje dhe shpesh herë edhe derë më derë, të ndihmojmë pjesën e mbetur të banorëve të mbrohen nga virusi”, tha Presidenti Biden.

Disa ligjvënës republikanë u shprehën të shqetësuar nga plani i qeverisë federale për të dërguar njerëz tek shtëpitë e amerikanëve. Administrata Biden sqaroi se presidenti nuk nënkupton që agjentët federalë do të detyrojnë njerëzit të vaksinohen.

Administrata tha se qeveria federale do t’u ofrojë mbështetje shteteve përmes “ekipeve të situatave emergjente”.

Ndasitë e vazhdueshme partiake duket se po pengojnë përpjekjet për vaksinim. Më pak gjysma e republikanëve të anketuar nga rrjeti ABC dhe Washington Posti thanë se janë vaksinuar, ose se do të vaksinohen, krahasuar me 93 për qind të demokratëve.

Dr. Anthony Fauci, këshilltari kryesor i Shtëpisë së Bardhë, thotë se është me rëndësi marrja e kontaktit me ata që nuk janë vaksinuar, përmes njerëzve që ata u besojnë.

“Duhet të largohemi nga përçarja, që ishte problem që nga fillimi i shpërthimit të pandemisë“, tha zoti Fauci.

Shtrimet në spital nga COVID-19 janë shtuar javëve të fundit në Arkansa, një shtet me prirje republikane. Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, vetëm 32 për qind e banorëve janë vaksinuar plotësisht.

Guvernatori Asa Hutchinson, një republikan, thotë se skepticizmi për vaksinat është i lidhur me besimin e ulët të konservatorëve ndaj qeverisë.

“Duhet të përgjigjemi, ashtu si në të kaluarën, që kapërcyem skepticizmin dhe mosbesimin përmes të vërtetës. Ju mund të tejkaloni rezistencën dhe kokëfortësinë duke thënë se kjo është e rëndësishme për komunitetin, shëndetin dhe kombin tonë“, tha ai.

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tha se shkollat duhet të hapen plotësisht në vjeshtë. Por shtoi se vendimi nëse studentët dhe stafi që janë vaksinuar plotësisht duhet ose jo të mbajnë maska, mund të jetë sërish një çështje partiake.

Guvernatorët republikanë në Arkansa dhe Teksas po kundërshtojnë maskat për studentët, ndërsa zyrtarët në Kaliforni, një shtet me prirje demokrate, po kërkojnë vendosjen e tyre, sepse distancimi fizik nuk është gjithmonë i mundur në klasë.

Vaksinimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Të dhënat e shpërndarjes së vaksinës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas Universitetit Johns Hopkins./VOA

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit