Nga: Dr. Amr Halid
Adhuro Zotin, jo Ramazanin
Kaluam një muaj të plotë në adhurim të Zotit, një muaj më pranë Krijuesit tonë. Ajo që u ndodh shumë besimtarëve është se me të lindur dita e parë e Fitër Bajramit, ndjejnë një farë plogështie. Ky çast kur ndihemi të plogësht, është nga momentet më të gëzuara për shejtanin. Ai bën çmos që të shtyjë drejt ndonjë gjynahu, i cili do të demoralizojë duke i humbur shpresat nga adhurimi i Ramazanit. Gjithçka që synon të realizojë shejtani në këtë ditë, është që ta humbasë shpërblimin dhe sevapin e fituar gjatë Ramazanit. Thotë Zoti në Kuran:”Me të vërtetë, pritshmëria e Iblisit për ata u vërtetua; ata shkuan pas tij, – por kjo pritshmëri e tij doli huq për një kategori njerëzish – përveç një grupi besimtarësh të vërtetë.” (Sebe, 20)
Vallë cilës kategori i përket ti o vëlla? A hyn tek besimtarët e vërtetë, apo tek ata ku vërtetohen pritshmëritë e shejtanit? Thotë Zoti në Kuran:”Mos u bëni si ajo gruaja që e shprish dhe e bën fije-fije atë që e ka tjerrë fort…” (Nahl, 92)
Jo adhurues i Ramazanit
Shumë njerëz nuk e kuptojnë se ajo që bëjnë pas Ramazanit, plogështia ndaj kryerjes së ritualeve, humbja e namazeve farze, çelja e derës së gjynaheve etj… nuk janë veçse shkëmbim i mirësive me mohim. Një person i tillë i ngjan asaj gruaje e cila pasi e ka thurur trikon, fillon dhe e shprish atë.
Të rinjtë myslimanë u lipset adhurimi i Ramazanit për gjatë gjithë vitit, me qëllim që të përmirësojnë veten dhe aktualitetin ku jetojnë. Prandaj, ruhuni nga gjynahet pas Ramazanit, aq më shumë ato gjynahe të rënda, siç janë konfliktet, keqtrajtimi i prindërve dhe lidhjet haram mes dy gjinive.
Pasha Zotin, rezistenca ndaj gjynaheve dhe haramit lë pas një shije të mirë dhe ëmbëlsi në zemër, ajo gëzon melekët dhe gëzon vetë Zotin. Prandaj, përpiqu sa të mundesh që ta privosh veten nga gjynahet edhe pas Ramazanit. Ruaje veten për hir të umetit mysliman, pasi atij i lipsen të rinj të qëndrueshëm në ibadet.
Ruaje vendosmërinë!
Bëni kujdes se mos u dobësohet vendosmëria dhe vullneti. Zoti na bëri pjesë të mirësisë së tij, pasi mundëm ta adhurojmë Atë gjatë gjithë Ramazanit. Është e palogjikshme që këto të mbjella, t’ia lëmë shejtanit ti korrë. Tashmë ti e kuptove ndikimin e ibadetit, e shijove shijen e imanit, ëmbëlsinë e bindjes dhe të lutjeve. Prandaj, të del detyrë ti ruash këto arritje, të vazhdosh me adhurime dhe të qëndrosh në të njëjtën linjë të udhës së drejtë.
Megjithatë, duhet të jemi të ndërgjegjshëm se nuk do mundemi të kryejmë të njëjtën sasi adhurimesh edhe pas Ramazanit. Ajo që kërkohet është që drita e ibadetit të mos fiket fare, le të dobësohet dhe venitet, por jo të fiket
Për këtë, do të na ndihmonte jashtë mase nëse linjën e adhurimit të Ramazanit, do e praktikonim gjatë dy javëve të para të Shevalit.
Besnik i Ramazanit
Jini të sigurt se shpirtin e adhurimit që kishim gjatë Ramazanit, mund ta kemi edhe pas tij, në çdo kohë. Me qëllim që ti kemi të freskëta mësimet shpirtërore që përvetësuam gjatë trajnimit njëmujor, le të veprojmë si më poshtë:
Filloni një hatme (lexim të plotë) të Kuranit, qoftë dhe një faqe në ditë!
Lutu çdo ditë, qoftë dhe dy minuta pas namazit të jacisë!
Përditësoje dhikrin e Zotit, sidomos atë të mëngjesit dhe mbrëmjes!
Përpiqu që namazet farze ti falësh në xhami, qoftë dhe tre namaze!
Qëndro pranë shokëve të mirë, pasi ata të ndihmojnë të jesh i qëndrueshëm në ibadet!
Agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit. Transmeton Ebu Ejub Ensarij, se i dërguari i Zotit a.s ka thënë:”Kush agjëron Ramazanin dhe e pason me gjashtë ditë agjërim nga Shevali, sikur ka agjëruar gjithë vitin.” (Muslim)
Zoti ua pranoftë
Shumë prej besimtarëve shtrojnë pyetjen: Vallë a na i pranoi Zoti veprat e mira gjatë këtij muaji? A na i ka shënuar emrat tek banorët e xhenetit?
E kush është ai që mund ti përgjigjet një pyetje të tillë, aq më tepër që edhe vetë shokët e Profetit a.s e kishin këtë shqetësim?
Thotë hazreti Aliu:”Shokët e të dërguarit të Zotit a.s bënin vepra të mira gjatë gjithë Ramazanit. Pasi përfundonte muaji, ata i kaplonte shqetësimi nëse u ishin pranuar ose jo.” Thotë Zoti në Kuran lidhur me shqetësimin e myslimanëve nëse u janë pranuar veprat e mira:” dhe që, kur japin atë që japin, zemrat e tyre i kanë plot shqetësim…” (Muminun, 60)
Megjithatë, ekziston një tregues dhe indikator, i cili na tregon nëse Zoti na i ka pranuar veprat e mira gjatë këtij muaj. Këtë e gjejmë tek ajeti:” O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” (Bekare, 183)
Pra, prej teje pritet që edhe pas Ramazanit të vazhdosh me vepra të mira dhe të dobishme, sidomos gjatë javës së parë pas Ramazanit. Nëse i neglizhon adhurimet dhe rrëshqet në gjynahe, frikësohu. Sakaq, nëse konstaton se sjelljet e tua janë përmirësuar dhe ke ndryshuar për mirë edhe pas Ramazanit, gëzohu pasi është shenjë e pranimit të Ramazanit.
Zoti na ka nderuar me adhurimin që kemi bërë gjatë Ramazanit, me leximin e Kuranit, namazin e teravive, namazin e natës etj… dhe koha për të shprehur mirënjohjen tonë, është pas Ramazanit.
Disa besimtarë e perceptojnë Fitër Bajramin si stacionin e fundit për forcimin e besimit dhe furnizimin shpirtëror. Në fakt, është e kundërta, pasi Ramazani është pikënisja për të pasur një fillim të ri me Zotin. Ramazani është me qëllim që të na ndihmojë që depozitën e veprave të mira, ta furnizojmë sa më gjatë pas Ramazanit.
Umetit mysliman nuk i ka mbetur shpresë tjetër përveçse të rinjtë e tij. Unë shpresoj që të rinjtë të manifestojnë qëndrueshmëri edhe pas Ramazanit, të jenë të suksesshëm në jetën e përditshme, pasi ky sukses do i ndihmojë në rrugën e tyre të reformave. Qëndrueshmëria juaj në adhurimin e Zotit, do bëjë që nijeti të mos e humbasë drejtimin e tij, por të jetë vetëm për Zotin. Prandaj, adhurojeni Zotin, jini të sinqertë dhe të qëndrueshëm pas Ramazanit sipas mundësive dhe mos harroni të kërkoni ndihmën dhe mbështetjen e Zotit.
Fjalën time dua ta mbyll me thënien e një orientalisti, i cili pasi studioi islamin dhe vlerat e tij në shërbim të njerëzimit, tha:”Ah çfarë feje, sikur të kishte burra!!!”
Prandaj, ruajeni energjinë e akumuluar gjatë këtij muaji dhe ndiqni udhët e jetës, në shërbim të njerëzimit.
Perktheu: Elmaz Fida
…
Rating: 4.0 of 5. 2 vote(s).