1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Adhurimi është rruga e rilindjes

Më të lexuarat

Nga: Dr. Xhasim Sulltan

Adhurimi është rruga e rilindjes

Dikujt ky titull mund ti duket i çuditshëm ndopak! A ka lidhje adhurimi me rilindjen?!
Pyetja dhe dyshimi i parë që hidhet në këtë kontekst është: Kemi kushedi sa popuj të cilët çajnë rrugën drejt rilindjes edhe pse adhurimi i tyre në total nuk është më shumë sesa adhurimi i një populli mysliman vetëm gjatë Ramazanit. Si rilindën ata edhepse adhurimet e tyre ishin të pakta? Adhurimet tona janë të shumta, por ne vazhdojmë në të njëjtën gjendje, nuk kemi bërë hapa përpara!
Shohin se që në hapin e parë përballemi me një pyetje që na huton. Edhe nëse themi se adhurimet tona lënë shumë për të dëshiruar, se nuk janë në nivelin e duhur sërish mbetet fakti se ky adhurim është më i madh dhe më i vlefshëm se ai i shumë popujve të tjerë. E tillë na duket situata dhe tabloja, të paktën në vështrim të parë.
Por, cili është thelbi dhe domethënia e adhurimit që është stampuar në mendjen kolektive dhe ku e ka burimin ky imazh që ka mbërritur në trurin tonë?
Për këtë, na lipset ta studiojmë mendjen teksa formohet që në vitet e para. Atëherë kur urdhërohet për kryerjen e adhurimeve individuale si namazi, agjërimi etj. dhe i gjithë fokusi përqendrohet tek to. Atëherë kur i flitet për adhurimet dobia e të cilave pasqyrohet në shoqëri, si kontributi social, ndërtimi i shoqërisë model, hapësirat publike etj. Asokohe fillojnë të marrin formë konturet fillestare të adhurimit në pavetëdijen e tij. Mandej, ky fëmijë hyn në shkollë. Le të supozojmë se shkolla i jep rëndësi lëndëve fetare dhe atje ai do të mësojë lëndën e fesë. Ai do të dëgjojë shpesh të flitet për adhurimet individuale. Ritualet dhe adhurimet dobia e të cilave prek shoqërinë do të fillojnë të tkurren, do të anashkalohen. Kjo, pasi adhurimet siç lexojmë në librat e fikhut, na duken si diçka individuale dhe personale, pasi kanë të bëjnë me namazin, agjërimin, haxhin, zekatin, shitblerjen, martesën e tij etj. Kur një person i zakonshëm i lexon këto tema në literaturë, krijon perceptimin e tij rreth adhurimeve dhe ritualeve, si një mjet shpëtimi individual. Le ta shohim këtë person tani që është rritur dhe ka hapur një libër të tefsirit në të cilin lexon: “Dhe nuk i kam krijuar xhindet dhe njerëzit veçse për të më adhuruar” ose “që të binden”, “ti dorëzohen urdhërit tonë” etj.
A mendoni se do përmirësohet imazhi i tij rreth adhurimit? Ai shkon në xhami, dëgjon predikuesin teksa i nxit për të falur namazin, kryer haxhin, agjëruar Ramazanin, dhënë zekatin dhe nuk i bën përshtypje fare se makinën e ka parkuar në një vend të papërshtatshëm dhe u ka zënë rrugën kalimtarëve. Atij nuk i bëhet vonë se i hedh këpucët e sandalet sa majtas-djathtas para se të hyjë në xhami, duke shkaktuar një rrëmujë të vërtetë tek dera, në paradoks me rreshtat e drejtë dhe të rregullt brenda xhamisë. Atij nuk ia zënë sytë mbeturinat e hedhura lart e poshtë përreth xhamisë, në paradoks të plotë me pastërtinë që lipset dhe kërkohet për vendin ku falet. Ai as që e merr mundimin ta ndryshojë këtë realitet. Ai i sheh të papërfillshme adhurimet dobia e të cilave i shkon shoqërisë, ndërkohë që adhurimet individuale i hiperbolizon. Mos vallë ky është Islami të cilin solli Kurani dhe e shtjelloi tradita profetike?!
Imazhi i vërtetë për adhurimin duhet të jetë sa më i plotë. Në thelb adhurimi është dorëzim dhe përulje e shoqëruar me dashuri për Zotin. Ai është zbatim i çdo urdhëri me burim hyjnor dhe distancim nga çdo ndalesë që ka ndaluar Zoti duke pasur parasysh disa rregulla: Adhurimet ndahen në individuale për të cilat çdo person është përgjegjës personalisht dhe individualisht, të cilat nuk mund ti kryejë tjetër kush veç tij.  Këtu hyjnë rituale si namazi, agjërimi, haxhi dhe zekati. Por, ekzistojnë dhe rituale (kifaje) të cilat i kërkohen të gjithë shoqërisë, e nëse disa individë të saj e kryejnë këtë obligim, bie përgjegjësia për të tjerët. Si shembull, mund të marrim profesionin e doktorit, inxhinierit dhe gjithë provileve të tjera artistike dhe teknologjike, të cilat mundësojnë funksionimin e rregullt të një shoqërie.
Pyetja e madhe që shtrohet është: Sa jemi të fokusuar ne si umet në konceptin e adhurimeve (kifaje) dhe sa përqind e konceptit të drejtë mbi të na mungon? Ku jemi me rrënjosjen e shkencës, teknologjisë ushtarake dhe civile, inxhinierisë bujqësore, shkencore dhe të shëndetit, arteve, mediat, kinemeja dhe të gjithë fushat që ndihmojnë në përcjelljen e ideve. Asnjë nuk dyshon se aktualisht qëndrojmë në fundin e taborit përsa i përket këtyre lëmive. Por, a ushtrojmë presion mbi strukturën mendore aktuale tonën që të ruajmë ekuilibrin mes obligimeve vetjake (ajnij) dhe atyre kolektive (kifaje)? Na mjafton të ndjekim podiumet mediatike të ndryshme për të zbuluar mesazhet që përcillen përmes tyre dhe riprodhimin e të njëjtit imazh të paekuilibruar që gjendet në mendjen kolektive.
Kur ne kryejmë adhurimet individuale dhe ato vullnetare (ritet), çdo student i fushës së sheriatit e di që adhurimet dobia e të cilave pasqyrohet dhe shtrihet në shoqëri, kanë shpërblim më të madh se adhurimet dobia e të cilave kufizohet tek një individ. Sa më shumë të shtohet dhe rritet qarku i dobisë, aq më shumë shtohet dhe rritet qarku i shpërblimit dhe sevapit.
Kështu, kur një person kryen ritualin boligativ të haxhit, menjëherë fillon e mendojë për haxhin tjetër që e ka nafile (vullnetar), aq më tepër që paratë nuk i mungojnë po ashtu koha dhe shëndeti. Atij i duhet të peshojë nëse është më e dobishme të kryejë një haxh tjetër, apo shumën e haxhit ta shpenzojë aty ku është më e dobishme për umetin e tij?
Shifrat mbi adhurimet dhe ritualet individuale dhe vullnetare janë shumë herë më të mëdha mes nesh, sesa ato adhurime dobia e të cilave shkon në shoqëri. Kjo nuk ndodh vetëm në shpenzimin e pasurisë por edhe atë të kohës dhe mundit.
Një nga haxhilerët më tregoi: Gjendeshim në Mina dhe të gjithë njerëzit ishin ulur duke lexuar Kuran në mënyrë individuale. Unë hidhja vështrimin përreth dhe sytë më hasnin pirgje të mëdhenj mbeturinash të cilat rrethonin ata që lexonin Kuran. Me vete pyesja se përse nuk ngriheshim të pastrojmë vendin? Vallë cila nga dy veprat do të ishte më e shpërblyer tek Zoti në ato çaste, leximi i Kuranit apo pastrimi i vendit gjë e cila do u zgjeronte rrugën kalimtarëve, e pastaj të uleshim sërish për të lexuar Kuran?
Adhurimi që synojmë është ai që bëhet si bindje ndaj Zotit me bindje dhe ndërgjegje të pastër. “Thuaj: Kjo është rruga ime; të ftoj drejt Allahut me dituri të plotë unë dhe çdokush që më pason mua. I përlëvduar qoftë Allahu. Unë nuk jam prej idhujtarëve!” (Jusuf, 108)
Motivim për kryerjen e ritualeve dhe adhurimeve individuale në mënyrë të ekuilibuar me adhurimet dhe obligimet dobia e të cilave shihet në shoqëri.
Vetëm atëherë kur e gjithë jeta të shndërrohet në adhurim, mund të themi se adhurimi është rruga e rilindjes. Ky besimtar i cili po kryen ritualin individual me qëllim që të pajiset me energji shpirtërore, është ai që e di mirë se me të vajtur në punë, ai ka kaluar nga një formë adhurimi në një tjetër. Ai ndjen të njëjtën përgjegjësi edhe kur është në fabrikë, dyqan apo në parcelën bujqësore duke punuar.
Një person i tillë, nëse do të vihej para dy zgjedhjeve, mes adhurimit individual dhe adhurimit dobia e të cilit pasqyrohet në shoqëri, do të zgjidhte vullnetarisht të dytin. Vetëm asokohe për individët e umetit do të merrte jetë ajeti: “Thuaj: Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve.” (En’am, 162)
Asokohe të gjitha energjitë dhe potencialet pozitive të umetit tonë, marrin jetë dhe organizohen dhe aftësitë e saj për startimin e civilizimit rriten dy herë më shumë se aftësitë e kombeve të tjera. Kur përbërësit e besimit aktivizohen si në xhami, fabrikë, bujqësi, biznes dhe shkencë me të njëjtën performancë krahasimi me të tjerët e humbet vlerën.
Por kur busulla devijon dhe kufizon adhurimin vetëm në rang individual dhe të shkëputur nga jeta, atëherë jemi në të njëjtën situatë nga e cila vuajmë sot.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit