1.1 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Ademi a.s dhe krimi në familje

Më të lexuarat

Nga: Xhasim Mutava

Ademi a.s dhe krimi në familje

Hyrje
 
Ndër krimet më të rënda konsiderohen ato që ndodhin mes familjes, mes vëllezërve të gjakut. Dihet që roli kryesor i babait është përcjellja e edukatës dhe vlerave më të mira tek fëmijët. Në të gjithë civilizimet  gjejmë prindër të cilët interesohen dhe shpenzojnë për t’i edukuar fëmijët me qëllim që t’a kontrollojnë veten dhe të mos jenë agresivë.
Prej këtej, ne do të trajtojmë krimin e parë familjar që ka ndodhur në historinë njerëzore. Personazhet kryesorë në këtë krim ishin dy djemtë e Ademit a.s, vëllezërit Kabili dhe Habili. Më pas, këtë ndodhi do e pasurojmë me disa këshilla të profetit Muhamed a.s mbi këtë çështje. Do të flasim mbi rëndësinë e edukimit shoqëror të fëmijëve, ku dhe si shfaqen tendencat për agresivitet te fëmijët. Gjithashtu, do të përmendim edhe disa dobi të gjynaheve që bëjnë njerëzit.
 
Historia e krimit në familje
 
“Lexoju (o Muhamed) saktësisht ngjarjen e dy bijve të Ademit, kur ata bënë nga një kurban, njërit iu pranua, kurse tjetrit jo. Njëri i tha tjetrit: “Ty gjithsesi do të të vras”. Tjetri tha: “Allahu pranon vetëm prej të devotshmit. Nëse ti ngre dorë të më vrasësh mua, unë nuk do ta ngre dorën që të të vras, sepse, në të vërtetë, unë i frikësohem Allahut, Zotit të gjithësisë. Unë parapëlqej të marrësh barrën e gjynahut tim dhe të gjynahut tënd e kështu të bëhesh ndër banorët e zjarrit. Ky është ndëshkimi i keqbërësve”. Vetja e tij e nxiti në vrasjen e të vëllait dhe e vrau. Kështu, ai u bë nga të humburit. Allahu dërgoi një sorrë që rrëmihte në tokë, për t’i treguar sesi ta mbulonte kufomën e të vëllait. (Kabili) tha: “Mjeri unë, a nuk qenkam i zoti të bëhem si kjo sorrë e ta mbuloj trupin e tim vëllai?!” E u bë nga të penduarit.” (Maide, 27-31)
Sipas historianëve, Ademi a.s ishte urdhëruar që të martojë çdo djalë të një shtatzënie, me vajzën e një shtatzënie tjetër. Martesa mes djalit dhe vajzës së një barku ishte e paligjshme. Motra e Kabilit (që ishte bujk) ishte më e bukur se motra  Habilit (që ishte çoban). Kur Habili deshi të martohej me motrën e Kabilit, ky i fundit refuzoi dhe tha:”Ajo është motra ime, ka lindur menjëherë me mua dhe është më e bukur se motra jote. Unë e merritoj të martohem me të më shumë se ti.” (Historia e Taberiut, 1/127)
Duke parë insistimin e Kabilit, Ademi a.s i tha:”O biri im! Flijo një kurban për Zotin dhe të njëjtën gjë të bëjë dhe vëllai yt Habili! Kurbani i kujt do të digjet i pari, atij i takon vajza më e bukur.”
Duke qenë se Kabili merrej me bujqësi, ofroi si kurban drithëra, misër dhe grurë. Kurse Habili merrej me shtimin e të imtave dhe ofroi si kurban një lopë. Pas kësaj zbriti një flakë e bardhë nga qielli dhe e dogji kurbanin e Habilit, duke e lënë kurbanin e Kabilit të paprekur. Kjo e zemëroi tejmase Kabilin dhe filloi t’a xhelozojë vëllanë. Më pas filloi të mendojë në eleminimin fizik të tij. Një ditë, teksa Habili ndodhej në fushë, e kishte zënë gjumi. Kabili përfitoi nga këto rrethana dhe e vrau.” (Historia e Taberiut, 1/140)
Ndërkohë, disa dijetarë të tjerë mendojnë se shkaku që Kabili vrau Habilin nuk ka të bëjë për martesën me të motrën. Këtë mendim e përforcon fakti që  si në Kuran ashtu dhe në hadithet e sakta të Profetit a.s nuk përmendet shkaku i vërtetë.
Tregon Abdullah ibnu Abasi – Zoti qoftë i kënaqur me të – :”Ndërkohë që dy djemtë e Ademit a.s ishin të ulur, thanë:”Sikur të bënim një kurban për Zotin!”
Asokohe, nëse dikush ofronte një kurban, shenja që Zoti e pranoi ishte ardhja e një flake që e digjte. Ndërkohë që kurbanin që nuk e pranonte, nuk e digjte flaka. Të dy djemtë ofruan nga një kurban. Habili që ishte çoban ofroi një nga kafshët e tij më të mira. Kurse Kabili merrej me bujqësi dhe ofroi si kurban një sasi drithërash. Zjarri zbriti dhe e dogji kurbanin e Habilit, duke e lënë atë të Kabilit të paprekur.
Duke e parë këtë, Kabili i tha vëllait:”Si do të dal para njerëzve, ndërkohë që të gjithë e dinë se kurbani yt u pranua kurse i imi u refuzua?! Jo për Zotin, nuk do të lejoj që njerëzit të mendojnë se je më i mirë se unë.”
Vëllai iu përgjigj:”çfarë faji kam unë? Zoti e pranon veprën e mirë vetëm nga të devotshmit.” (Tefsiri i Ibnu Kethirit 2/43)
Pasi e vrau të vëllanë, Kabili nuk dinte ç’të bëjë me kufomën e tij. Kjo është tregues se vrasja ishte krimi i parë që ndodhte mes njerëzve, përndryshe ai do dinte si t’a varrosë të vëllanë. Duke ndejtur i hutuar nga ajo që kishte bërë, Zoti dërgoi dy sorra të cilat filluan të luftojnë me njëra-tjetrën. Në fund, njëra prej tyre e mbyti sorrën tjetër dhe më pas hapi një gropë dhe e groposi. Kjo me qëllim që të mësojë Kabili se çfarë duhet të bëjë me të vëllanë e vrarë.
Pas gjithë kësaj, Kabili nuk dinte ku të drejtohej. Ai sapo kishte vrarë të vëllanë dhe nuk ndihej rehat kur dilte para njerëzve. Kështu, u largua dhe u vendos në Aden, në Jemen. Gjatë qëndrimit atje, shejtani i pëshpëriste ide të tilla si:”Zjarri e dogji kurbanin e Habilit, pasi ai e adhuronte zjarrin. Prandaj ndiz një zjarr të përhershëm dhe adhuroje bashkë me pasardhësit e tu.
Kështu, filloi të përhapej për herë të parë adhurimi i zjarrit dhe ishte Kabili i pari që e shpiku këtë risi. Me kalimin e kohës, mes fëmijëve dhe pasardhësve të Kabilit filloi të përhapej dhe degjenerimi moral, imoraliteti dhe lakuriqësia. Thuhet që ata u mbytën gjatë tufanit të Nuhut a.s.” (Historitë e profetëve në Kuranin famëlartë. Autori Semih Atif Zejn, faqe 85)
 
Kabili dhe tradita e vrasjes
 
Transmeton Abdullah ibnu Mesudi se i dërguari i Zotit a.s ka thënë:”Për çdo njeri që vritet padrejtësisht deri në ditën e kijametit, një pjesë të gjynahut do e ketë dhe djali i parë i Ademit (Kabili), pasi ai e veproi këtë vepër për herë të parë…” (Buhari 3/1213, hadithi 3157)
 
 
Dy modele, njëri pozitiv tjetri negativ
 
Transmeton Ibnu Mubarek se i dërguari i Zotit a.s ka thënë:”Zoti ka sjellë dy bijtë e Ademit a.s si modele. Ju ndiqni modelin pozitiv dhe lini atë negativin.” (Tefsiri Ibnu Kethirit 2/43)
Kurse Ebu Musa El-esh’arij transmeton se i dërguari i Zotit a.s ka thënë:”Mes nesh dhe ditës kur do të ndodhë Kijameti, do të ndodhin sprova (fitne) që i ngjasojnë pjesëve më të errëta të natës. Do të ketë njerëz që zgjohen besimtarë dhe ngrysen jobesimtarë, ngrysen besimtarë dhe gdhihen jobesimtarë. Një i ulur gjatë këtyre fitneve, është më i mirë se një i ngritur, një që ecën është më i mirë se një që vrapon. Prandaj i thyeni harqet, i copëtoni gjalmat dhe i gjuani shpatat me gurë. Nëse dikë e përfishijnë fitnet, le të sillet si djali më i mirë i Ademit a.s.”
(Ebu Daud, 2/502 hadithi 4259)
 
Përse njerëzit bëjnë gjynahe?
 
1 – Zoti i jep edhe gjynahqarëve nga mirësitë dhe begatitë e Tij të pafund. Si pasojë e kësaj, gjynahqari mëson t’ia kthejë me të mirë dikujt që i ka bërë keq.
2 – Disa nga cilësitë e Allahut janë: Falës, I Gjithëmëshirshëm, Pranues i pendimit, I Urtë … Nëse nuk do të ishin gjynahet dhe fajet e njerëzve, këto cilësi nuk do të njiheshin. Ne e dimë që Zoti i mbulon gjynahet tona, duke parë që Ai nuk na demaskon për gjithçka që veprojmë.
3 – Zoti e ndërgjegjëson njeriun që caktimi dhe kaderi i Tij vepron mbi të gjithë njerëzit dhe askush nuk i shmanget dot atij.
4 – E bën njeriun të ndërgjegjshëm për dobësitë e tij dhe për nevojën që ka për Krijuesin dhe Kujdestarin e përhershëm.
5 – E prezanton me bujarinë dhe zemërgjerësinë e pafund të Tij, sidomos në çastet e pranimit të pendimit.
6 – Pendimi ia zbut zemrën njeriut, e bën më të dashur dhe më mirënjohës për begatitë e Zotit.
7 – Kur njeriu llogarit gjynahet e shumta, menjëherë i shkojnë në mendje të mirat me të cilat Zoti e ka nderuar deri atëherë.
8 – Gjynahet e bëjnë njeriun më të kujdesshëm ndaj grackave të armikut të tij.
 
Edukimi shoqëror i fëmijëve
 
Agresiviteti tek fëmijët, shprehet në forma të ndryshme sipas shoqërisë dhe ambjentit ku kanë lindur dhe janë rritur. Një nga fiset indiane në Amerikë – p.sh – e ndëshkojnë shumë keq fëmijën nëse shprehin tendenca agresiviteti. Po ashtu, e ndëshkojnë nëse e keqtrajton dhe dëmton një zog ose kafshë.
Në Brazil, ekziston një fis, anëtarët e të cilit i nxisin fëmijët që në vegjëli të zihen dhe të luftojnë me heshta dhe harqe.
Kurse Eskimezët që njihen me emrin “uktu” dhe që jetojnë në gjirin Hudson, prindërit e tyre i injorojnë të gjithë sjelljet agresive të fëmijëve. Si rezultat i kësaj sjelljeje, vërehet se fëmijët që janë në moshën pesë vjeçare rrallë herë e shprehin zemërimin dhe agrersivitetin e tyre në mënyrë të qartë. (Bazat e psikologjisë së fëmijëve dhe adoleshentëve 271-272)
 
Agresiviteti i fëmijëve dhe të rinjve është në rritje
 
Deviacioni nuk është një dukuri që është shfaqur vetëm në kohët moderne. Një nga murgjërit e Faraonit, ka shkruar mbi një shkëmb, gjashtë mijë vite më parë:”Bota po shkon drejt shkatërrimit dhe shpërbërjes…pasi fëmijët nuk u binden më prindërve të tyre.”
Në kohën tonë, shohim që devijimet janë shtuar dhe rëndësia që ne i kushtojmë kësaj dukurie ka arsyet e veta:
Që nga viti 1948 numri i të rinjve nën tetëmbëdhjetë vjeç që kryejnë vepra të rënda është në rritje. Djemtë janë më të prirur për devijime se vajzat. Forma në të cilat shfaqet agresiviteti tek djemtë janë: Vjedhja e makinave, plaçkitja e shtëpive dhe kusaria.
Kurse tek vajzat format e agresivitetit dhe devijimit janë:”Largimi nga shtëpia dhe rebelimi kundër pushtetit të familjes.” (Bazat e psikologjisë së fëmijëve dhe adoleshentëve 504-505)
 
Interpretim psikologjik mbi agresivitetin tek fëmijët
 
Një ndër hipotezat më të përhapura dhe që është mirëpritur nga qarqet shkencore është se “Shkurajimet e shumta çojnë në agresivitet”. Shpesh herë vërejmë tendenca agresiviteti tek të dështuarit dhe të demoralizuarit. Fëmijët, gjatë etapave të zhvillimit, ndeshen shpesh herë me dështime (të cilat janë pengesa dhe barriera që e pengojnë të realizojë qëllimin e tij). (Bazat e psikologjisë së fëmijëve dhe adoleshentëve 273)
 
Përfundim
 
Krimi që bëri Kabili duke vrarë të vëllanë e tij, nuk ishte një krim i lehtë. Ai i mori jetën  një njeriu që ishte  vëllau i tij. Prandaj, një krim i tillë hyn tek krimet në familje dhe konsiderohet si krimi më i rëndë.
Aktualiteti ku jetojmë sot, është i mbushur me krime dhe statistikat konfirmojnë se krimet që kryehen nga fëmijët dhe të rinjtë janë në rritje. Një ndër shkaqet e përhapjes së këtij fenomeni të shëmtuar, është mungesa e prindërve ose e njërit prej tyre dhe edukata e ulët që fëmijët marrin në familje. Një familje e shpërbërë dhe e katranosur, nuk mund të rrisë dhe edukojë veçse fëmijë të tillë.
Prindërit e kanë obligim parësor të ndjekin ecurinë e fëmijëve të tyre dhe me të konstatuar shenja agresiviteti dhe devijimi, duhet të shpejtojnë dhe të kërkojnë ndihmën e ekspertëve të asaj fushe.
E lusim Zotin që t’i ruajë fëmijët tanë nga çdo e keqe!
 
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit