9.9 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

ACARI I XHEHENEMIT – Hoxhë Florian Leli

Më të lexuarat

ACARI I XHEHENEMIT

Ebu Hurejra tregon se i dërguari i Allahut (sallahu alejhi ue sellem) ka thënë:

“Zjarri iu ankua zotit e i tha: O zot! Hëngra veten time! Atëherë i lejoi atij dy shfryrje: një shfryrje në dimër dhe një shfryrje në verë. Kjo (shfryrje) është i nxehti më madh dhe acari më i ashpër që gjeni”. Hadithin e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.

Zjarri në këtë hadith është zjarri i xhehenemit. Në komentimin e këtij hadithi, Ibën Haxheri thotë: “Janë kundërshtuar për këtë ankesë, a është ankesë e shqiptuar apo e nënkuptuar nga situata? Të dy mendimet kanë përkrahës. Ibën Abdulberri thotë: Secili mendim ka argumente dhe raste të ngjashme. Megjithatë mendimi i parë është më i përzgjedhur. Ndërsa Ijadiu thotë: Ky mendim është më i forti. Kurtubiu thotë: E shqiptuara duhet patjetër të interpretohet me kuptimin e parë. Thotë: Kur ai që thotë të vërtetën (profeti) na tregon diçka të mundshme, nuk është e nevojshme t’i japim një kuptim të dytë (t’i bëjmë tavil) dhe shpjegimi sipas kuptimit të parë është më parësor. Neveviu pasi shprehet me fjalë të ngjashme thotë: Shpegimi i tij sipas kuptimit të parë është mendimi i drejtë. Torbeshtiu përmend fjalë të ngjashme. Ndërsa Bejdaviu përzgjedh mendimin se ankesa është figurative”. Mbaruan fjalët e Ibën Haxherit.

Shfryrja e përmendur në këtë hadith, në aspektin leksikor është ajri që çlirohet gjatë proçesit të frymëmarrjes. Pra xhehenemi e shfryn afshin e ngrohtë duke e çliruar jashtë dhe kështu zbutet dhe nxehtësia i bie. Është një moment “frymëmarrjeje” dhe çlodhjeje. Kur zjarri i xhehenemit ndizet është aq i ngrohtë sa zjarri i kësaj bote është vetëm një e shtatëdhjeta e tij. Ndërsa kur zbutet i bie nxehtësia dhe në minimumin e nxehtësisë së tij, në “shfryrjen verore” është edhe më i nxehtë se sa i ngrohti më përvëlues që hasin njerëzit në këtë botë. Kjo është çlodhja e xhehenemit, përpara se të rindizet sërisht. Vapa që njerëzit hasin në këtë botë është vetëm një pjesë e atij afshi që çlirohet nga xhehenemi, i afrohet afshit të tij, por nuk është asgjë krahasur me zjarrin e tij.

Banorët e xhehenemit do të dënohen edhe me acar. Në hadith është përdorur fjala “zemherir” (زَمهَرير), e njëjta fjalë e përdorur edhe në Kuran. Zemheriri është acari i egër. Acari me të cilin dënohen banorët e xhehenemit është shumë e shumë herë më i egër se ai i kësaj bote. Në minimumin e tij, atëherë kur zbutet, ai do të jetë edhe më i ashpër se sa acari i kësaj bote. Acari i kësaj bote është vetëm një pjesë e ftotësisë së çliruar nga shfryrja e xhehenemit (shfryrja dimërore), pra asgjë krahasuar me acarin në botën tjetër.

Në të kundërt me banorët e xhehenemit, banorët e xhenetit nuk do të shohin as vapë përvëluese dhe as acar të ashpër. Në suren Insan Allahu thotë: (Nuk shohin në të as diell dhe as acar). Me diellin _ashtu si edhe në gjuhën shqipe_ shpeshherë kihet për qëllim vapa dhe nxehtësia e madhe. Në këtë ajet është përdorur fjala “zemherir”, si në hadithin e mësipërm dhe komentuesit e njohur të Kuranit e kanë komentuar me acarin e ashpër. Kështu e kanë komentuar Muxhahidi, Katadeja dhe të tjerë, e Allahu është më i ditur.

O Allah! Mos na bëj prej atyre që e shijojnë dënimin tënd në këtë botë dhe në botën tjetër! Na ruaj prej dënimeve të tua në këtë botë dhe në botën tjetrën! Amin!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit