4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

A votojnë shqiptarët për shqiptarin?

Më të lexuarat

Daut Dauti

Kandidati për president të Republikës së Maqedonisë Veriore, Blerim Reka, e ka zgjedhur kryeqytetin e këtij vendi, Shkupin, për ta hapur fushatën zgjedhore. Me këtë rast, edhe zyrtarisht, është bërë me dije programi i Blerim Rekës të cilin ai do ta zbatojë nëse zgjedhet president.

Përgatitja akademike dhe përvoja diplomatike e Blerim Rekës është pasqyruar në programin e tij të cilin ai synon ta zbatojë. Prandaj, programi i tij është i elaboruar në atë mënyrë sa që vështirë gjendet hapësirë për kritikë. Synimi i tij për funksionimin e një republike të njëmendtë përfshinë punën e cila duhet të zbatohet nëpërmjet pesë pikave.

Stabilizimi i marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni është pika e parë. Shkurtimisht, këtu sugjerohet se koncepti ekzistues multi-etnik i shoqërisë maqedone nuk është funksional. Shoqëria multi-etnike është formalitet kurse shteti mono-etnik (në duar të maqedonëve) është realitet. Për t’u arritur një shoqëri evropiane, Blerim Reka propozon ‘shtet për të gjithë’ ku qytetarët do të trajtoheshin njësoj. Për t’u bërë kjo, shqiptarëve duhet t’iu bëhet e mundshme qasja në organet shtetërore, siç janë: Presidenca, Kryeministria, punët e jashtme, financat dhe fusha e zbulimit.

Pika e dytë përqendrohet në politikën e jashtme dhe propozohet që ajo të jetë e orientimit evro-atlantik. Në këtë drejtim, Maqedonia Veriore duhet të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s, e cila gjë sjellë stabilitet në këtë shtet dhe në rajonin e Ballkanit. Me këtë ndërlidhet edhe pika e tretë që është koekzistenca rajonale e fqinjësisë së mirë. Kthimi i perspektivës jetësore në vend është brenga e çdo qytetari të këtij vendi dhe lidhet më shumë me ekonominë. Gjendja ekonomike vlerësohet si e rëndë në të cilën duhet të punohet dhe të evitohet largimi i njerëzve nga vendi (pika e pestë). Ky program duhet të jetë joshës për të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Një analizë e shkurtër bën me dije se ky program është i zbatueshëm.

Por, programet politike dhe ekonomike zbatohen vetëm nëse ke pushtet, të cilën gjë e kërkon Blerim Reka. Kjo kandidaturë ka hapur një mori diskutimesh në Maqedoninë Veriore. Blerim Reka e ka thyer digën e një ‘liqeni artificial’ i cili tashti e ka vërshuar fushën. Kanë lindur një seri e pafund e pyetjeve. Një pyetje e rëndësishme është: a votojnë maqedonët për shqiptarët? Por, pyetja më e rëndësishme dhe disa milonë dollarëshe është: a votojnë shqiptarët për shqiptarin?

Në Maqedoni nuk është praktikë që joshqiptarët të votojnë për shqiptarët, por në zgjedhjet presidenciale ka patur rast të tillë. Programi i Blerim Rekës i drejtohet edhe kësaj kategorie të qytetarëve të Maqedonisë, por kjo mund të mos shprehet në kutitë e votimit të cilat shpesh e ruajnë aftësinë e befasisë. Momentalisht, në opinion ekziston përshtypja se nuk ka ndonjë interesim të joshqiptarëve për kandidatin shqiptar. Kjo mund të jetë arsyeja që në konventën e hapjes së fushatës zgjedhore në Shkup, Blerim Reka iu drejtua kryesisht votuesve shqiptarë. Fjalimi i tij dominohej nga ngjyrat patriotike. Edhe më patriotike ishin fjalimet e dy liderëve politikë, Zijadin Selës (Aleanca për Shqiptarët) dhe Bilall Kasamit (Besa), të cilët e përkrahin kandidaturën e Blerim Rekës. Ky fakt bënë me dije që problemi i shqiptarëve në Maqedoni është çështje politike. Pabarazia politike shprehet dukshëm në fushën sociale, sidomos në atë ekonomike pasi që shteti ende i përjashton shqiptarët nga këto sfera të rëndësishme dhe të ndjeshme.

Megjithatë, ekziston një kategori minore e shqiptarëve që ndjehen komodë. Ata janë të paktë dhe lidhen me partitë e tyre në pushtet të cilat nuk janë shfrytëzuar për organizim të përgjithshëm, por si mjet për krijimin e beneficioneve dhe të mirave tjera që përfundojnë në duar apo xhepa të një numri të vogël njerëzish (shqiptarë). Këtu duhet kërkuar përgjigjen e pyetjes: a votojnë shqiptarët për shqiptarin?

Katër parti politike shqiptare (BDI, PDSH, Alternativa dhe RDK) janë pjesë e qeverisë së koalicionit që udhëhiqet nga kryeministri dhe prijësi i socialdemokratëve (LSDM) Zoran Zaev. Kandidati i tyre është Stevo Pendarovski, kurse opozita maqedonase (VMRO-DPMNE) përkrah Gordana Siljanovkën. Udhëheqësit e partive shqiptare në pushtet, sikurse edhe disa media shqiptare, janë zënë në një pozitë të palakmueshme. Këto media, sidomos udhëheqësit politikë, për shkak të aspektit moral dhe nacional, nuk janë shprehur kundër kandidaturës së Blerim Rekës, por shfrytëzojnë sistemin ‘underground’ për të përhapur kundërshtimet që kanë.

Gjatë periudhës zgjedhore, sidomos në ditën e votimit, përkrahësit apo votuesit e partive shqiptare në pushtet do të ballafaqohen me një dilemë të madhe. Do të votojnë për kandidatin që është njeriu që vjen nga mesi i tyre apo do të votojnë për njërin nga kandidatët maqedonë të cilët në të kaluarën nuk kanë treguar ndonjë interesim me karakter pozitiv për shqiptarët e këtij vendi? Apo, sipas fjalimit të Blerim Rekës: ‘A do të dëshmojnë shqiptarët se janë vetëm votues (të maqedonëve) apo edhe të votuar’ ose janë komb me përcaktim politik dhe dinjitet apo janë ‘komb statistikor’? Me fjalë tjera, a do të jenë shqiptarët faktorë apo vetëm legjitimues të organeve të shtetit maqedon i cili shpesh është kundër tyre?

Këto pyetje do të marrin përgjigje në ditën e votimit, më 21 prill. Kjo do të jetë dita e gjykimit të pjekurisë politike dhe kombëtare të shqiptarëve.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit