3.4 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

A u fol për Asociacionin? Çfarë tha Lajçaku e çka Bislimi pas takimit në Bruksel?

Më të lexuarat

Të enjten në Bruksel është mbajtur takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në nivel të kryenegociatorëve.

Megjithëse nuk ka pasur takim trelateral, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak ka takuar ndaras kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq.

Emisari i BE-së, Lajçak ka thënë se diskutimet me të dy kryenegociatorët kanë qenë të frytshme për të bërë përparim në disa çështje.

“Sot kam pritur kryenegociatorët e Kosovës, Besnik Bislimin dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq, për një raund të takimeve të Dialogut në Bruksel. Diskutimet ishin shumë të frytshme për të bërë përparim në një numër të çështjeve në agjendën tonë”, ka shkruar Lajçak në platformën “X”.

Bislimi pas takimit me Lajçakun: Draft-propozimi për Asociacionin nuk ishte pjesë e diskutimeve

Ndërkaq, nga Qeveria e Kosovës përmes një komunikate për media, kanë konfirmuar se nuk ka pasur takim trelateral.

Sipas njoftimit, në takim u trajtuan tema të cilat ndërlidhen me zbatimin e Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit, Aneksit Implementues të 18 marsit dhe planin e ri për ecjen përpara të 21 tetorit.

“Ky ishte takimi vijues i procesit pas atij të 26 tetorit me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe BE-së, ku Republika e Kosovës theksoi qëndrimet e saj si dhe gatishmërinë për nënshkrim dhe zbatim të plotë të marrëveshjeve”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje bëhet e ditur se “draft-propozimi për zbatim të nenit 7 ndërlidhur me nenin 10 nuk ishte pjesë e diskutimeve, por u ritheksua qëndrimi i kryeministrit Kurti të paraqitur me 26 tetor para liderëve, që nënkupton se ecja tutje duhet bërë në pajtim me parimin se vetëm nënshkrimi nënkupton pranim dhe zbatim të marrëveshjeve”.

I dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi gjatë takimit në Bruksel

“Në diskutimin mbi planin e sekuencimit të zbatimit u paraqitën komentet tona që insistojnë në zbatim të plotë të Marrëveshjes Bazike. U trajtuan dhe marrëveshjet të cilat kanë hasur në pengesa e moszbatueshmëri në proces nga pala serbe, siç janë ajo e energjisë dhe çështja e personave të zhdukur me dhunë. Kosova u pajtua me draftin e dokumentit për termat e referencës për zbatimin e Deklaratës mbi Personat e Pagjetur, pas pranimit nga ana e BE-së të komentit tonë”.

Qeveria e Kosovës tha se vijon të mbetet e përkushtuar dhe palë konstruktive në proces, e angazhuar maksimalisht për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe për njohje reciproke.

E vet Bislimi në një deklaratë për media pas përfundimit të takimit ka thënë se pa nënshkrim të marrëveshjeve të arritura deri më tani, nuk mund të ecet përpara drejt zbatimit të tyre.

Sipas tij takimet e së enjtes në Bruksel kanë përfunduar pa një takim trepalësh, sepse nuk ka pasur nevojë për diçka të tillë.

Bislimi e ka konfirmuar se në takim me Lajçakun është diskutuar për një plan të sekuencuar të zbatimit të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe për aneksin e zbatimit.

Palët kanë arritur pajtueshmëri për këtë Marrëveshje në shkurt në Bruksel, ndërsa për aneksin e zbatimit, në mars në Ohër.

“Gjatë javës së kaluar, zoti Lajçak na e ka sjellë një draft të ri, i cili e fut për herë të parë paralelizmin e plotë në zbatimin e Marrëveshjes, apo zbatim më të balancuar, dhe ne jemi përpjekur që për këtë draft t’i japim komentet finale, në mënyrë që i njëjti të jetë i pranueshëm edhe për palën tonë. Mendoj se ka pasur gatishmëri të madhe të Lajçakut që t’i akomodojë propozimet tona dhe të gjitha janë argumentuar mirë në detaje”, ka thënë Bislimi, pas takimit.

I pyetur nëse është diskutuar për draft-statutin për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë – të dorëzuar nga një delegacion perëndimor javë më parë në Prishtinë e Beograd – Bislimi ka thënë se kjo pikë ka qenë në agjendë, por pala kosovare e ka bërë të qartë qëndrimin e vet qysh më 26 tetor, kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka biseduar me zyrtarët perëndimorë.

Ai ka thënë se duhet të ketë nënshkrim të draft-statutit dhe Marrëveshjes për normalizim, në mënyrë që ato të zbatohen.

“Nuk mund të nisë zbatimi [pa nënshkrim], sepse duhet garancia që kemi një marrëveshje valide, që sjell obligime edhe për palën tjetër”.

I pyetur nëse qëndron deklarimi i zyrtarëve evropianë se draft-statuti i prezantuar është versioni më i mirë që ka pranuar Kosova, Bislimi ka thënë se një qëndrim i tillë është subjektiv, sepse “Kosova nuk ka pasur deri më tani oferta”.

“Kemi pasur drafte që kanë qarkulluar, por mund të themi që drafti që i është dorëzuar Kosovës nga miqtë tanë të Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së, gjatë përgatitjes së neneve të veta, ka pasur një kujdes të shtuar për provizionet kushtetuese të Kushtetutës së Kosovës”, duke shtuar se çështja nëse është ai dokument plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës e vendos Gjykata Kushtetuese.

Bislimi ka thënë se në takim është diskutuar edhe për çështje të energjisë, për regjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës, dhe për mbajtje të zgjedhjeve në komunat në veri të Kosovës.

I pyetur nëse do të ketë një takim të radhës në kuadër të dialogut mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, deri në fund të vitit, Bislimi ka thënë se Lajçak nuk ka përmendur datë konkrete. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit