Përdorimi i misvakut gjatë agjërimit
Për rëndësinë e përdorimit të misvakut dhe dobitë e tij të shumta, kanë ardhur hadithe autentike nga i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, të cilat nxisin në përdorimin e tij. Prej këtyre haditheve po përmendim:
Transmetohet nga Ibën Umeri radijAllahu anhu i cili ka thënë: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem flinte ndërsa misvakun e kishte me vete. E kur ngrihej prej gjumit, fillonte (së pari) me misvakun.” [1]
Transmetohet nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu i cili ka thënë: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Sikur mos ta rëndoja ummetin tim, do t’i urdhëroja ta përdorin misvakut për çdo namaz.” [2]
Transmetohet se Hudhejfe radijAllahu anhu ka thënë: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem kur ngrihej natën, e pastronte gojën e tij me misvak.” [3]. E shumë hadithe të tjera.
Përdorimi i misvakut është i pëlqyeshëm në të gjitha kohërat, megjithatë në pesë kohë përdorimi i tij është akoma edhe më i rëndësishëm, si: kur fillon namazin, kur merr abdes, kur lexon Kuran, kur ngrihesh nga gjumi dhe kur ndryshon (kundërmon) era e gojës. [4]
Dijetarit Abdulaziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë!) është pyetur: “A është i njëjtë përdorimi i misuakut si në fillim të ditës ashtu dhe në fundin e saj gjatë ramazanit, apo ka dallim?”
Përgjigje: “Si fillimi i ditës ashtu dhe fundi i saj është njësoj (për përdorimin e misvakut). Prandaj përdorimi i misvakut është sunet, si në fillim të ditës ashtu dhe në fund të saj.” [5]
Përktheu: Unejs Sheme
[1] Transmeton Ahmedi (5979), Buhariu në “Et Tarikhul Kebir” (1/24), Ebu Jeala, Et Taberani në “El Kebir” (13598) e të tjerë pos tyre. Hadhin e ka gjykuar si të mirë (hasen) shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) në “Es Sahihah” (5/ me nr. 2111).
[2] Buhariu (887) dhe Muslimi (252).
[3] Buhariu (889) dhe Muslimi (255).
[4] En Nevevij në “Sherh Muslim” [vëll. 2].
[5]“Suvalat Ibën Uehf lishejh Islam el imam el muxhedid Abdulaziz bin Baz”.