0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

A mund të ndikojë lufta në Ukrainë në marrëdhëniet franko-gjermane?

Më të lexuarat

Parisi dhe Berlini kanë mosmarrëveshje mbi ndihmën ushtarake në Ukrainë. Por, a mund të pajtohen dy fuqitë evropiane në këtë pikë?

Në një konferencë për Ukrainën në Paris në fund të shkurtit 2024, presidenti francez, Emmanuel Macron, nuk përjashtoi mundësinë e dërgimit të ushtarëve francez në Ukrainë.

Kjo deklaratë nuk u prit mirë nga Gjermania.

Disa orë më vonë, gjermani Olaf Scholz u përgjigj: “Evropa dhe NATO nuk do të dërgojnë asnjë ushtar në Ukrainë”.

Me sa duket, deklarata e Macron ishte “vijë e kuqe” për Gjermaninë.

Gjatë së njëjtës konferencë, udhëheqësi francez nuk e humbi rastin të kujtojë se shumë prej vendeve mendojnë të dërgojnë vetëm çanta dhe helmeta në Ukrainë, duke theksuar janarin e vitit 2022 kur Gjermania dërgoi 5 mijë helmeta në Ukrainë, por jo armë.

Që atëherë, situata ka ndryshuar shumë.

Pas SHBA-ve, Gjermania është mbështetësja më e madhe e Ukrainës, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

Sipas Institutit Kiel, Gjermania është zotuar të ofrojë 17 miliardë euro ndihmë për Kievin, kur Franca ka premtuar vetëm 1.8 miliardë euro.

“Franca ishte më pak hezituese për të ofruar armë të rënda, por e bëri atë shumë më pak publike. Dhe deri më tani, ajo heziton të thotë saktësisht se çfarë ka dorëzuar dhe në çfarë mase. Ajo e justifikon atë me faktin se më pas mund të zbulonte sekretet e mbrojtjes”, tha Dr. Carolyn Moser, drejtoreshë e një grupi kërkimor në Institutin Max Planck të Heidelberg.

Një burim tensioni midis Berlinit dhe Parisit gjithashtu është edhe mungesa e komunikimit.

Përballë pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, Scholz njoftoi në fund të shkurtit 2022 një ndihmë prej 100 miliardë eurosh për të modernizuar ushtrinë gjermane.

E Francës nuk i erdhi mirë që nuk u informua paraprakisht.

Një tjetër pengesë në marrëdhëniet franko-gjermane është Iniciativa Evropiane e Mburojës së Qiellit.

I nisur nga Gjermania, projekti i cili përfshin 21 vende të NATO-s, por jo Francën, përbëhet nga sisteme gjermane (IRIS-T), amerikane (PATRIOT) dhe izraelite (Shigjeta-3).

Por, këto mosmarrëveshje kanë ekzistuar edhe para sulmit të Moskës ndaj Ukrainës.

Në vitin 2017, Macron mbajti një fjalim në Sorbonë, duke bërë thirrje për një rishikim të mbrojtjes evropiane, gjë që ra në vesh të shurdhër të Gjermanisë.

Kjo pasi vizioni francez dhe gjerman për mbrojtjen evropiane ndryshojnë thelbësisht në një pikë: rolin e NATO-s.

“Ndërsa Franca aspiron për një autonomi të caktuar, Gjermania preferon një qasje transatlantike”, shpjegon Moser.

Megjithatë, mbrojtja është vetëm pjesë e një serie mosmarrëveshjesh të gjata midis Parisit dhe Berlinit.

Një ndarje e madhe midis të dyjave historikisht ka qenë edhe energjia.

Ndërsa Franca varet nga energjia bërthamore duke siguruar rreth 70% të energjisë elektrike të saj, Gjermania ka mbyllur termocentralin e saj të fundit bërthamor në vitin 2023.

E me sa duket lufta në Ukrainë po e rikthen çështjen e energjisë në tavolinë, sepse Gjermania, një konsumator i madh i gazit rus, duhet të kërkojë furnizime diku tjetër.

Tjetër mosmarrëveshje midis të dy vendeve evropiane është edhe marrëveshja e tregtisë së lirë midis BE-së dhe Mercosur, bllokut tregtar të Amerikës së Jugut.

“Për Gjermaninë, tregtia e lirë është thelbësore sepse ekonomia e saj është shumë e varur nga eksportet”, tha Jacques-Pierre Gougeon, drejtor kërkimi në Institutin për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Strategjike (IRIS).

Mirëpo, lufta në Ukrainë ka prishur edhe më shumë marrëdhëniet mes shteteve.

“Kishte një lloj ndarje të heshtur të roleve midis një France më udhëheqëse për çështjet e mbrojtjes, çështjet strategjike, dhe më pas Gjermanisë për çështjet ekonomike. Dhe është e qartë se ky ekuilibër tani është dobësuar me ambiciet gjermane për çështjet e mbrojtjes”, tha Gaspard Schnitzler, drejtor kërkimi në IRIS.

Marrëdhëniet franko-gjermane janë kthyer në plan të dytë për Berlinin, i cili gjithnjë e më shumë i ka sytë nga Lindja.

Në fjalimin e tij në Pragë në gusht të vitit 2022, Scholz bëri thirrje për zgjerimin e Bashkimit Evropian për të përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor, Ukrainën dhe Moldavinë.

Si të përmirësohen marrëdhëniet franko-gjermane?

Disa mënyra janë sugjeruar nga vëzhguesit për të rikthyer në rrugën e duhur tandemin franko-gjerman.

Për ekspertin Moser, dyshja duhet të komunikojnë më mirë.

Ndryshe, Macron do të vizitojë Gjermaninë për një vizitë zyrtare shtetërore më vonë këtë muaj, ku të dy liderët pritet të diskutojnë, ndër të tjera, prioritetet për mandatin e ardhshëm të BE-së përpara zgjedhjeve evropiane të planifikuara për 6-9 qershor. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit