-0.5 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

A mund të bëhen armiqtë aleatë në luftën kundër ndryshimit të klimës?

Më të lexuarat

Nga: Limor Simhony “Foreign Policy”

Dy nga temat kryesore të diskutuara gjatë samitit të vendeve të G-7 në qershor, ishin siguria kolektive dhe veprimet kundër ndryshimit të klimës. Por ndarja e këtyre çështjeve, ishte një mundësi e humbur.

Kohët e fundit, qeveritë amerikane dhe britanike,kanë nisur ta konsiderojnë ndryshimin e klimës si një kërcënim të sigurisë kombëtare dhe si një nxitës të paqëndrueshmërisë, madje po e përmendin dendur edhe në strategjitë e tyre të mbrojtjes.

Një nga shqetësimet kryesore për zyrtarët amerikanë dhe britanikë të mbrojtjes, është se ndryshimi i klimës mund të krijojë kushte, të cilat do të rrisin armiqësitë midis kombeve apo brenda tyre. Këto kushte përfshijnë thatësirat, përmbytjet, zjarret, stuhitë dhe fatkeqësi të tjera natyrore, të cilat mund të çojnë mungesë të ushqimit dhe ujit, migrim masiv dhe shpërthime sëmundjesh epidemike, duke çuar potencialisht në konflikte të dhunshme mbi tokën ose burimet, apo në trazira civile që mund të destabilizojnë qeveritë.

Po ashtu ndryshimi i klimës e bërë të nevojshme ndërhyrjen e forcave ushtarake për të ndihmuar në përpjekjet e ndihmës, apo për t’u përballur me kushtet gjithnjë e më ekstreme të motit. Kjo e fundit kërkon mënyra të reja të trajnimit, si dhe pajisje të reja të adaptueshme ndaj kushteve ekstreme të mjedisit, siç janë valët e zgjatura të të nxehtit ekstrem dhe stuhitë.

Por ndryshimi i klimës nuk duhet të konsiderohet vetëm si një kërcënim. Ai mund të jetë gjithashtu një mundësi për një bashkëpunim të ngushtë ndërkufitar. Në fakt, bashkëpunimet rajonale ushtarake dhe civile rajonale, mund të jenë në gjendje të bëjnë atë që bëri dikur tregtia në promovimin e marrëdhënieve paqësore midis kombeve.

Meqë ndryshimi i klimës i prek të gjithë, dhe fatkeqësitë natyrore godasin pa dallim, vendet mund t’i tejkalojnë dallimet ideologjike, etnike, fetare dhe të llojeve të tjera – dhe madje edhe konfliktet e mëparshme – për të krijuar lidhje në një betejë kolektive kundër diçkaje që i kërcënon të gjithë.

Stërvitja e përbashkët, si dhe shkëmbimi i informacionit dhe teknologjisë, mund të forcojë aleancat ekzistuese, dhe të ndihmojë në një menaxhim më të mirë të konflikteve në rast se ndërtohet besimi me kalimin e kohës. Ai mund të ndihmojë gjithashtu edhe në përgatitjen e qeverive për një menaxhim më të mirë të krizave të shkaktuara nga klima.

Bashkëpunimi ushtarak në kohë paqeje, do të ishte një pjesë kyçe e çdo partneriteti të tillë. Forcat e armatosura trajnohen për të reaguar gjatë emergjencave natyrore. Ata zotërojnë aftësi që nuk i kanë shumë organizata jofitimprurëse, si për shembull makineri, pajisje dhe burime të mëdha njerëzore, të mirë-trajnuara dhe organizuara, ku përfshihen edhe mjekët, dhe që janë të gatshme të zhvendosen shpejt në terren.

Kombet mund të shohin përtej dallimeve të tyre, për të krijuar një urë bashkëpunimi në një betejë kolektive kundër diçkaje që i kërcënon të gjithë. Një bashkëpunim i tillë ofron mundësi reale për përmirësimin e marrëdhënieve ndërshtetërore në të gjithë botën, sidomos në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, ku tensionet midis vendeve janë të përhapura, dhe ku ndryshimet klimatike do të kenë potencialisht efekte të thella.

Shumë qytete në bregdetin e Mesdheut, si Aleksandria në Egjipt dhe qytetet në Tunizi dhe Libi, rrezikohen të përmbyten për shkak të rritjes së nivelit të detit. Burimet ujore, si Deti i Vdekur – i ndarë midis Jordanisë dhe Izraelit – po zvogëlohen për shkak të rritjes së temperaturave dhe pakësimit të reshjeve.

Thatësira në Siri ka shkaktuar një migrim masiv nga zonat rurale në ato urbane. Ndryshimi i klimës,ka pasur ndërkohë një ndikim të konsiderueshëm negativ në kapacitetin bujqësor të vendeve në rajon. Stuhitë e dhunshme kanë shkaktuar përmbytje në Xheda të Arabisë Saudite.

Valët ekstreme dhe të zgjatura të të nxehtit prej më shumë se 49 gradë Celcius, kanë rrezikuar jetën e miliona njerëzve në Irak, Kuvajt, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe gjetkë. Bahreini, Kuvajti, Libani, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, territoret palestineze, Izraeli, Arabia Saudite, Irani dhe Omani të gjithë vuajnë nga një furnizim i kufizuar me ujë.

Këto kushte kanë pasur një efekt destabilizues për vendet, si brenda – duke nxitur demonstrata dhe krizë ekonomike –ashtu edhe duke rritur tensionet midis vendeve. Për shembull, mosmarrëveshjet mbi burimet e ujit, rrisin vazhdimisht tensionet midis Izraelit

dhe Palestinezëve, veçanërisht në Gaza, ku ka një mungesë të madhe të ujit të pijshëm.

Fatmirësisht ka që tani shembuj të bashkëpunim e midis vendeve në Lindjen e Mesme. Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe po bashkëpunojnë për çështjet mjedisore në kuadër të një marrëveshje të vitit të kaluar. Izraeli dhe Jordania, kanë pasur një bashkëpunim afatgjatë për ndërtimin e një tubacioni për të zhvendosur ujin nga Deti i Kuq në Detin e Vdekur, me synim parandalimin e tkurrjes së tij të mëtejshme për shkak të shkretëtirëzimit.

Këto partneritete janë të mirëseardhura, por ato priren të jenë dypalëshe bilaterale apo të përfshijnë vetëm një pjesë të vogël të vendeve që kanë tashmë lidhje diplomatike mes tyre.
Kombet e Bashkuara krijuan 6 qendra bashkëpunimi rajonale (RÇ). Ajo e Lindjes së Mesme e ka selinë në Dubai që nga viti 2019. Po ajo nuk është gjithëpërfshirëse pasi mbulon vetëm vendet arabe. RÇ jep këshilla dhe zhvillon seminare, por nuk promovon lidhjet ushtarake për adresimin e përpjekjeve të ndihmës në rastin e emergjencave natyrore.

Për shkak të tensioneve dhe konflikteve të shumta midis vendeve të Lindjes së Mesme, mund të jetë e dobishme ndihma e vendeve të palëve të treta, për të negociuar dhe koordinuar krijimin e aleancave rajonale. Shtetet e Bashkuara mund të jenë një lojtare kryesore.

Por edhe Britania e Madhe ka shprehur së fundmi vullnetin të përfshihet në ndërmarrje të tilla

Ky nuk është një mision i thjeshtë. Disa vende do t’i rezistojnë, ose duke refuzuar të bashkëpunojnë me armiqtë, ose sepse e shohin paqëndrueshmërinë e vazhdueshme në rajon si në shërbim të interesave të tyre.

Sidoqoftë, aleancat midis kombeve me perspektiva të ndryshme ideologjike ose interesa konkurruese, kur përballen me një armik të ndërsjellë – si rasti i SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik që luftuan kundër Gjermanisë naziste – nuk janë të rralla.Ndërsa fatkeqësitë natyrore po godasin gjithnjë e më shpesh, kombet mund të jenë të gatshme të lënë mënjanë dallimet për të punuar së bashku në këtë çështje shumë specifike.

Shënim:Limor Simhony, këshilltare dhe studiuese e politikave me banim në Londër. Ajo është doktoruar në Departamentin e Studimeve të Luftës në Kolegjin Mbretëror të Londrës.
/abcnews.al/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit