0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

A mund të agjërojmë ditën e Xhuma meqë është ditë Arafati?

Më të lexuarat

Pyetje: Këtë vit dita e Arafatit qëllon ditë xhumaje, ndërkohë kemi dëgjuar që agjërimi ditën e xhuma është i ndaluar. A mund të agjërojmë atë ditë?

Përgjigje: Po është e vërtetë që Profeti alejhis-salatu ues-selam e ka ndaluar të veçohet dita e xhuma me agjërim mes ditëve të tjera të javës. Transmetuan Buhariu dhe Muslimi.

Mirëpo sipas një versioni të Buhariut dhe Muslimit thuhet: “Mos e veçoni ditën e xhuma me agjërim, vetëm nëse agjërohet një ditë para ose një ditë pas saj (e shoqëruar).”

Në një version tjetër që e shënon Muslimi thuhet: “Mos e veçoni ditën e xhuma për agjërim vetëm nëse është pjesë e agjërimit që dikush e agjëron (zakonisht).”

Siç shikohet në versionin e parë të hadithit ndalimi është kur njeriu e veçon ditën e xhuma ndër ditët e tjera pa shkak. Ndërkohë nëse e shoqëron atë agjërim me një ditë para ose pas nuk është më pjesë e ndalimit.  Kurse për versionin e dytë të hadithit dijetarët si Ibn Haxheri në shpjegimin e Buhariut dhe të tjerë, e sqarojnë se bëhet fjalë për agjërimin, që është bërë zakon te muslimanët, siç janë ditët e bardha për çdo muaj, ose agjërimi i vazhdueshëm një ditë po e një ditë jo, ose dita e Arafatit, apo dita e Ashurasë kur ajo qëllon ditë xhumaje. Në këtë rast agjërimi në ditën e xhuma nuk është pjesë e ndalesës, edhe nëse agjërohet dita e xhuma më vete, sepse nuk është me qëllim veçimi i ditës së xhuma, por është agjërim prej traditës profetike që përkon në ditën e xhuma. Gjithashtu edhe shkollat e njohura juridike islame (medh’hebet), nuk e shikojnë të ndaluar agjërimin në ditën e xhuma në këto raste. Andaj çdo besimtar që dëshiron të agjërojë ditën e Arafatit, që bie në ditën e xhuma mund të agjërojë lirisht dhe për këtë nuk ka kurrfarë ndalese.

Komisioni Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit