6.2 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

A mos jemi rikthyer në vitet 1960?

Më të lexuarat

Rusia dhe Kina, drejt shkatërrimit të rendit që ndërtoi dikur SHBA-ja

Nga Hal Brands, Bloomberg

Nga Ukraina në Gaza, dhe deri në Detin e Kinës Jugore, bota po ballafaqohet aktualisht me shumë kriza. Bashkëpunimi ndërkombëtar është i paralizuar nga rivaliteti diplomatik, ndërsa tekno-optimizmi i ka lënë vendin një tekno-ankthi shumë të përhapur.

Superfuqia e vetme, SHBA-ja, po çalon dukshëm teksa po shkon drejt zgjedhjeve presidenciale të radhës. Një dobësi, e cila mund të ketë pasoja fatale, sepse rivalët e saj po armatosen me shpejtësi për luftërat e tashme dhe ndoshta edhe të ardhshme.

Nga ana tjetër, secila prej këtyre sfidave është simptomë e një ndryshimi më të thellë historik që po ndodh. Për një brez pas Luftës së Ftohtë, bota u strukturua bazuar tek një sërë të vërtetash: triumfi i demokracisë mbi autokracinë, virtytet e globalizimit dhe inovacionit, perspektivat për paqe midis fuqive të mëdha dhe roli stabilizues i fuqisë amerikane.

Këto të vërteta mbështetën ndërtimin e një bote e cila ishte jashtëzakonisht e favorshme për SHBA-në dhe aleatët e saj. Po ashtu, panorama ishte e favorshme për financat dhe tregtinë globale. Arsyeja pse bota sot duket kaq kaotike, është se po bien të vërtetat e dikurshme, ndërsa po marrin formë konturet e një epoke të re.

Rendi në zhvillim është ai në të cilin janë rikthyer blloqet gjeopolitike dhe ku rivalët strategjikë po zhvillojnë beteja të egra ideologjike dhe teknologjike. Ekonomia ndërkombëtare është shndërruar në një fushëbetejë, pasi ndërvarësia dhe pasiguria shkojnë dorë për dore me njëra-tjetrën.

Qeverisja globale dhe zgjidhja e problemeve po duken gjithnjë e më shumë si artefakte të një epoke të dikurshme më të lumtur se e sotmja. Dhuna ndërkombëtare po përshkallëzohet teksa po rritet rreziku i një lufte të madhe, madje edhe ai i një lufte botërore.

Fuqia e SHBA-së duket ende e madhe. Por sjellja e Amerikës po bëhet më e rrëmujshme, ndërsa politika e saj më pak e qëndrueshme. Gjithsesi, edhe këto trazira mund të prodhojë shanset për një të ardhme të mirë. Por së pari, duhet që politikëbërësit të kuptojnë mirë epokën që po jetojmë.

Bota e pas Luftës së Ftohtë kishte pasiguritë, padrejtësitë dhe vijat e saj ndarëse. Por bota që u shfaq pas rrëzimit të Murit të Berlinit perceptohej ende si një epokë unike e përparimit dhe perspektivave të mira. Demokracia po e mposhtte autokracinë. Numri i demokracive u rrit nga rreth 40 në fillim të viteve 1970, në 120 deri në vitin 2000.

Globalizimi ishte në zgjerim të madh: Tregtia botërore gati u katërfishua midis viteve 1989-2019, ndërsa flukset e investimeve të huaja direkte u rritën me tetë herë midis viteve 1992-2000. Hapja ekonomike po i rriste standardet e jetesës në mbarë botën.

Mendohej se ulja e tensioneve ndërkombëtare do të krijonte një zhvillim të përbashkët, që vetëm tiranët më të mëdhenj do të guxonin ta prishnin. Globalizimi u nxit edhe nga revolucioni dixhital, i cili lehtësoi tregtinë dhe rriti produktivitetin. Po ashtu, teknologjia e informacionit dukej se favorizonte lirinë; mediat sociale nxitën protestat që rrëzuan qeveritë represive në Egjipt dhe Ukrainë në fillim të viteve 2010.

Sigurisht, progresi pati edhe anën e tij të errët. Sulmet që pësoi SHBA më 11 shtator 2001, treguan se si edhe aktorët e dobët mund të shfrytëzonin lehtësinë e udhëtimit ndërkombëtar, komunikimit dhe financave për të goditur kudo nëpër botë. Por në përgjithësi, një botë që supozohej se po qetësohej nga integrimi ekonomik, dukej gjithnjë e më shumë e favorshme për paqen midis fuqive të mëdha.

Por në retrospektivë, përparimi i pas Luftës së Ftohtë ishte më i brishtë nga sa dukej. Shumë demokraci të reja u konsoliduan në një mënyrë të dobët, gjë që i la ato të prekshme ndaj ndryshimeve me prirje autokratike. Edhe tipare të tjera të kësaj epoke, ishin si thika me dy presa.

Kështu globalizimi solli zhvillim, por edhe pabarazi dhe pasiguri kulturore, efekte që nxitën një lëvizje të madhe neo-populiste, e cila nuk ka përfunduar ende. Teknologjia e informacionit u dha disidentëve mjete të reja për të kritikuar sundimtarët represivë, por po ashtu u dha edhe sundimtarëve mënyra më të mira për të gjurmuar dhe mbyllur gojën kritikëve të tyre.

Më e rëndësishmja, rendi i pas Luftës së Ftohtë që mbështetej në dominimin e SHBA-së dhe Perëndimit, nisi të haste në probleme sapo filloi të zbehej ky dominim. Rusia u ringrit si një fuqi ushtarake, teksa Kina përjetoi një rritje ekonomike mbresëlënëse.

Me kalimin e kohës, vendet që nuk e donin një sistem të rrënjosur tek vlerat liberale dhe udhëheqjen e SHBA-së, u bënë më agresive në sfidat e tyre. Rusia pushtoi fqinjët e saj Gjeorgjinë dhe Ukrainën, Kina pretendoi dhe pushtoi në mënyrë graduale pjesën më të madhe të Detit të Kinës Jugore, ndërsa Irani nxiti kaos në Lindjen e Mesme.

Ky sulm, ndodhi pikërisht në kohën kur po dobësohej angazhimi i Amerikës ndaj sistemit që kishte krijuar vetë pas vitit 1945. Janë disa tiparet e epokës që po jetojmë. Së pari janë rikthyer blloqet rivale. Në Ukrainë, një grup autokracish euroaziatike – Koreja e Veriut, Irani dhe Kina – po ndihmojnë përpjekjet e Rusisë për ta rrëzuar normën ndërkombëtare të mossulmimit.

Ato përballen me një grup demokracish të përparuara – nga Amerika e Veriut, Evropa dhe Indo-Paqësori – të cilat po e përkrahin Kievin për të mbështetur një sistem më të madh që u ka shërbyer mirë atyre. Këto rreshtime nuk janë gjithëpërfshirëse – shumë vende në Jugun Global kërkojnë që të luajnë me të dyja palët, por ato po forcohen teksa po rriten tensionet ndërkombëtare.

Së dyti, vazhdon sërish beteja e ideve. Rusia dhe Kina po riorganizojnë normat dhe organizatat ndërkombëtare për t’i bërë autokracitë më të sigurta. Ato besojnë se sistemet e tyre joliberale, mund të prodhojnë disiplinë, përpjekje dhe forcë më të madhe sesa demokracitë dekadente.

Rusia ka përdorur fushatat e keqinformimit, sulmet kibernetike dhe sabotazhet kundër demokracive në të dyja anët e Atlantikut. Ndërsa Pekini përdor një sërë armësh – mediat miqësore, ryshfetet, sulmet kibernetike, sanksionet ekonomike – për të ndalur kritikat dhe për të shkaktuar të mosmarrëveshje në Tajvan dhe shoqëri të tjera liberale.

Së treti, po përshkallëzohet lufta për përparësinë në fushën e teknologjisë. Një brez më parë, udhëheqja teknologjike e Amerikës ishte e padiskutueshme. Tani balanca ka ndryshuar. Kina ka shënuar përparime të mëdha në armët kibernetike dhe raketat hipersonike.

Ajo po investon shumë tek Inteligjenca artificiale, llogaritjet kuantike dhe teknologji të tjera në kuadër të asaj që po quhet Revolucioni i Katërt Industrial. Nëse ajo do të dominojë në teknologjitë kryesore në zhvillim, mund ta dominojë këtë epokë.

Së katërti, konkurrenca e ashpër po saboton zgjidhjen e problemeve globale. Sfidat transnacionale po bëhen më të mëdha, megjithatë tensionet gjeopolitike kanë penguar bashkëpunimin SHBA-Kinë për çështje serioze, nga Covid-19 tek ndryshimet klimatike. Fuqitë e mëdha nuk po munden të bashkëpunojnë as për të mbajtur hapur rrugët jetike tregtare.

Së pesti, në mesin e luftërave të ftohta, luftërave teknologjike dhe atyre tregtare, është bërë e pashmangshme hija e luftës së vërtetë. Ukraina po shkatërrohet në konfliktin më të madh të Evropës që nga viti 1945.

Lindja e Mesme është duke u trazuar nga përplasje të shumta të ndërlidhura midis tyre. Numri i përgjithshëm i luftërave midis shteteve, është më i larti ndër dekada.

Stabiliteti i sistemit ndërkombëtar, ka qenë prej kohësh i lidhur ngushtë me stabilitetin e rajoneve kyçe të Euroazisë: Evropës, Lindjes së Mesme dhe Azisë Lindore. Lufta ose kërcënimi i luftës i përshkon të tria zonat njëherësh. Kjo e bën më të dukshëm një tipar të fundit të epokës sonë: një Amerikë ende e fuqishme, por më pak të besueshme. Përparësitë e SHBA-së, ato ekonomike dhe ushtarake, mbeten thelbësore dhe angazhimi amerikan mbetet i domosdoshëm për një botë të denjë.

Mjerisht, në një kohë kur shumë vende perëndimore përballen me paralizë politike, paqëndrueshmëri ose një përzierje të të dyjave, dramat e brendshme të Amerikës mund të jenë shumë të dëmshme.

Shënim: Hal Brands, profesor në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins, SHBA.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit