3.4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

A mbaroi me kaq Ramazani?

Më të lexuarat

Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

E lusim Allahun e Lartësuar të na falë gabimet tona, të na pastrojë zemrat tona, të na ruajë familjet tona dhe të na bëjë durimtarë në vazhdimin e punëve të hairit. Salavatet dhe selamet qofshin mbi krijesën tonë më të dashur, Muhamedin salallahu alejhi ue selem, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që e kanë pasuar dhe do ta pasojnë rrugën e tij!

Ndonëse muaji i Ramazanit shkoi, njerëzit vërtet në këtë muaj i ke vërejtur duke bërë diçka më tepër se muajt e tjerë sa i përket anës së ibadeteve.

Vërenim këtë muaj njerëz që agjëronin, falnin namazet farze, falnin teravitë, xhamitë tona ishin plot, falnin namaz nate, bënin dhikër, lexonin Kuran, jepnin sadaka, shumë e shumë veprime që janë hair për njeriun.

Mirëpo, çfarë pas Ramazanit?! A mbaroi Ramazani me kaq?
Muslimanët pas muajit të shenjtë të Ramazanit nisin dhe bëhen neglizhues e koprracë dhe bëhen dembelë kur është fjala për namazin, sadakanë, leximin e Kuranit, etj.
Të nderuar muslimanë, veprat e mira duhet të vazhdohen, se vdekjes nuk i dihet. Ramazani shkoi dhe ti ende je gjallë, vdekja nuk të ka ardhur. Ata që i përcollëm, lusim Allahun t’i mëshirojë, kurse ne që jemi ende gjallë e lusim Allahun të na falë.

Pra, vdekjes nuk i dihet, mund të të takojë edhe pas disa muajsh, kur të jesh bërë neglizhues i ibadeteve drejtuar Allahut të Madhëruar. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të vijë ty e vërteta (vdekja).” (El-Hixhr: 99)

Pse xhamitë tona zbrazen nga namazlinjtë që mbushin rreshtat në muajin e Ramazanit? Pyete, o rob i Allahut, veten se për kë agjërove? Për kë u fale ti, për kë lexove Kuran? A s’i bëre këto për Allahun?
Nëse i ke bërë për hir të Allahut, Allahu është edhe tani i gjithhershëm, është i gjallë dhe nuk e kap gjumi; nëse ke agjëruar për Ramazanin, vërtet Ramazani ka shkuar!
Atëherë edhe veprat e tua për fat të keq kanë shkuar nëse s’ke agjëruar për hir të Allahut.
Robër të Allahut, vazhdimi i veprave të mira është shenjë prej shenjave se agjërimi juaj është pranuar inshallah. Thonë dijetarët islamë: “Shpërblimi i një të mire është një e mirë pas saj; ai që e vepron një vepër të mirë dhe pastaj e pason me një vepër tjetër të mirë, kjo është shenjë se Allahu ia ka pranuar këtë të mirë. E, nëse pas ndonjë vepre të mirë ka bërë një vepër të keqe, kjo është sinjal se Allahu ia ka refuzuar atë vepër të mirë.”
Vazhdo pra me vepra të mira dhe vepra të hairit, se nuk ke dëm, vetëm dobi!

Rob i Allahut, vazhdimi i veprave të mira është shkak që ti të hysh në xhenet inshallah. Thotë Muhamedi salallahu alejhi ue selem: ”Në xhenet është një dhomë, shihet pjesa e jashtme nga ajo e brendshmja dhe gjithashtu e brendshmja nga e jashtmja, të cilën e ka përgatitur Allahu i Lartësuar për ata që ushqejnë të varfrit, ata që janë fjalëmbël, e përcjellin agjërimin (edhe pas Ramazanit) dhe falen natën, kur njerëzit janë në gjumë.” Trasmeton Ahmedi 5/343, Ibn Huzejme 2137. Dhe thotë shejh Albani, Allahu e mëshiroftë, se është hadith i mirë (hasen).

Subhanllah, mirësi e madhe! O ti që jep lëmoshë, o ti që vazhdon agjërimin! Allahu ka për të të dhuruar një dhomë në xhenet, e cila shihet nga jashtë brenda dhe e kundërta. Është ajo që syri nuk e ka parë dhe njeriu nuk mund ta paramendojë, dhuratë prej dhuratave të Allahut të Lartësuar.
Pra, le të mos përfundojnë me këtë muaj veprat tuaja të mira, o muslimanë, le të mos mbyllet dera e pendimit tuaj. Mos e sëmurni zemrën pasi e keni shëruar me dritën e besimit, se tek Allahu është shpërblimi. A nuk ka thënë Allahu i Lartësuar: “Me të vërtetë që për muslimanët dhe muslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të bindurit ndaj Allahut dhe të bindurat ndaj Allahut, të drejtët (të sinqertët) dhe të drejtat (të sinqertat), duruesit dhe durueset, të përulurit dhe të përulurat, mirëbërësit dhe mirëbërëset, agjëruesit dhe agjërueset, ruajtësit e nderit dhe ruajtëset e nderit, përkujtuesit e Allahut vazhdimisht dhe përkujtueset, pra, për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.” (Ah’zab, 35)

Së pari i drejtohem nefsit tim e pastaj juve, që të mos i neglizhojmë punët e hairit pas këtij muaji. Puna më e mirë është puna e vazhdueshme. Ka thënë Muhamedi salallahu alejhi ue selem: “Veprat më të dashura për Allahun janë ato të vazhdueshmet, edhe në qoftë se janë pak.” Hadith sahih.

Ku janë muslimanët e sotëm në praktikimin e veprave të mira të vazhdueshme? Ku janë muslimanët e sotëm në agjërimin pas muajit Ramazan? Ku janë muslimanët në namazin e natës?
Ushqehemi vetëm një herë në vit apo çdo ditë? Ashtu siç ka nevojë trupi të ushqehet, ashtu ka nevojë edhe shpirti me vepra të mira. Kujtoni gjeneratat e para të sahabëve, të tabiinëve dhe të tabitabiinëve dhe dijetarët e devotshëm, se si i kanë vepruar ata veprat e mira.
Hasan Basriu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Allahu i Lartësuar nuk i ka caktuar afat veprës së besimtarit, përveç vdekjes.”

Mos u ktheni pas o muslimanë dhe të përsëritni mëkatet e kaluara, si shikimi haram, mosfalja e namazit, largimi nga leximi i Kuranit. Mos bëni sërish mëkate, si ata që i kalojnë netët e Ramazanit në kafene, duke kërcyer, duke dëgjuar haram dhe duke bërë prostitucion.
Allahu na ruajttë!

Mos e sëmurni zemrën pasi e keni shëruar!

Mundohuni t’i vazhdoni punët tuaja të mira, vazhdoni të agjëroni ditët e Shevalit, për të cilat nxiste edhe Pejgamberi salallahu alejhi ue selem. Ebu Ejub El-Ensariu, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush e agjëron muajin Ramazan dhe e pason me agjërimin e gjashtë ditëve të Shevalit, i konsiderohet sikur të ketë agjëruar tërë vitin.”

Subhanallah, mos t’ju ikin këto ditë pa agjëruar!
Ju uroj agjërim të lehtë të ditëve të Shevalit dhe lus Allahun që të na mundësojë të mos përfundojnë veprat tona me ikjen e muajit Ramazanit, po të vazhdojnë inshallah.

 

Senada Ramadani – Klubikulturor.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit